Kulturë

Nata e “Eurovisionit” me dy garues shqiptarë

Në edicionin e vet të 65-të, gara evropiane e këngës, “Eurovision”, po sfidon gjendjen e pandemisë. Pas gjysmëfinales së parë të mbajtur të martën, publiku në Rotterdam të enjten mbrëma do të ketë mundësinë të shijojë 17 garues që përfaqësojnë San Marinon, Estoninë, Republikën Çeke, Greqinë, Austrinë, Poloninë, Moldavinë, Islandën, Serbinë, Gjeorgjinë, Portugalinë, Bullgarinë, Finlandën, Latvinë, Zvicrën e Danimarkën. Në rrugën drejt finales, në gjysmëfinalen e dytë, do të sprovohen edhe dy këngëtarë shqiptarë, Anxhela Peristeri dhe Gjon's Tears, duke përfaqësuar përkatësisht Shqipërinë dhe Zvicrën

Pas vitit të kaluar ku gara e njohur e këngës evropiane, “Eurovision”, u anulua për shkak të pandemisë së koronavirusit, ajo po kthehet këtë vit me një përzierje muzike e melodramash.

Delegacione shtetërore kanë udhëtuar drejt qytetit bregdetar holandez të Rotterdamit duke respektuar masat e rrepta të sigurisë për të pakësuar rrezikun e infektimeve, derisa adhuruesit e “Eurovisionit”, që marrin pjesë në dy gjysmëfinalet dhe finalen e madhe që mbahet të dielën, u janë nënshtruar testeve.

Me gjithë këto masa, kontesti që synon të bashkojë Evropën nëpërmjet këngëve po vazhdon traditën e vet 65-vjeçare.

Irlanda dhe Austria janë në mesin e gjashtë shteteve që ua kanë thënë lamtumirën “Eurovisionit” në gjysmëfinalen e parë të mbajtur të martën. Atyre u janë bashkuar edhe Kroacia, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Sllovenia.

Dalja e hershme e Australisë shënon herën e parë që ky vend dështon të ecë tutje drejt finales prejse nisi të garojë më 2015. Edhe Islanda është shtrënguar të tërhiqet pasi një prej anëtarëve të saj ka dalë pozitiv për Covid-19, sado që kënga e saj do të mbetet në garë.

Organizatorët kanë njoftuar të mërkurën se Daði og Gagnamagnið ka “marrë vendimin e vështirë për t’u tërhequr nga performimi…meqë ata duan të performojnë bashkërisht në grup”.

Ndërkaq dhjetëshja fatlume që mësyn drejt finales përbëhet nga Azerbajxhani, Belgjika, Qiproja, Izraeli, Lituania, Malta, Norvegjia, Rusia, Suedia dhe Ukraina.

Derisa po vijon rruga drejt finales së madhe, të enjten mbahet gjysmëfinalja e dytë. Me një performim të reperit amerikan Flo Rida, në këtë eveniment do të marrin pjesë 17 vende. Armenia ishte paraparë të merrte pjesë në gjysmëfinale, por është tërhequr prej garës për shkak të krizës që ka kapluar vendin pas luftës në Nagorno-Karabakh.

Tutje 26 vende do të marrin pjesë në finalen e së dielës, që përbëhen nga vendi nikoqir - Holanda, “Pesëshja e Madhe” (Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar), si dhe 10 vendet e para nga secila prej dy gjysmëfinaleve.

Në gjysmëfinalen e dytë publiku në Rotterdam do t’i ketë dy garues shqiptarë. Është Anxhela Peristeri me këngën e kënduar në shqip “Karma”, që përfaqëson Shqipërinë, si dhe këngëtari me prejardhje nga Kosova, Gjon Muharremaj, i njohur edhe si Gjon’s Tears, që përfaqëson Zvicrën me këngën “Tout l'Univers” të kënduar në frëngjisht.

Votimi do të kryhet në secilin vend pjesëmarrës nga një panel i ekspertëve të industrisë muzikore, si dhe nga publiku.

Ndryshe Bjellorusia është përjashtuar pak para se të fillonte gara për shkak se organizatorët, “European Broadcasting Union”, kanë thënë se kënga origjinale e këtij shteti “vinte në pikëpyetje natyrën jopolitike të garës”. Edhe kënga zëvendësuese është përjashtuar njësoj.

Tema e sivjetme e garës së “Eurovisionit” është “Open up”. Ajo, në të vërtetë, qe zgjedhur para se pandemia të paralizonte jetën publike gjithandej rruzullit, por tani përkon edhe më shumë sidomos kur Evropa po përpiqet të ringrihet pas pandemisë.

Secila ngjarje e garës do të jetë e hapur për 3 500 njerëz – vetëm 20 për qind e kapacitetit të arenës – e që duhet të tregojnë testin negativ që është bërë në 24 orët e fundit.

Marrë nga: “eurovision”, “nationalworld”, “BBC”, “apnews”. Përgatiti: Salih Mehmeti