Prishtinë, 30 maj – Tingujt akusmatikë, efektet vizuale dhe manipulimi i shkathët bënë që të përftohej një ndjesi e jashtëzakonshme e një zhanri jo fort të njohur të muzikës.
Me tetë autoparlantë të vendosur gjithandej sallës dhe projektorin ku shfaqeshin sekuenca videografike, kompozitori belg Clément Parmentier bëri atë që njohësit e muzikës e përshkruajnë si specializim e që shpjegohet si lokalizim i burimeve të zërit në hapësira virtuale dhe fizike. Të martën mbrëma, në natën e pestë të edicionit të 18-të të festivalit “ReMusica”, publiku prishtinas pati rastin të shijojë një univers të tërë ndjesish, përshtypjesh e nuancash nga jeta, të shkrira në një baraspeshë të mahnitshme të tingujve akusmatikë.
Pas masterklasës me studentë belgë e shqiptarë, profesori nga Konservatori Mbretëror i Monsit arriti të endë një rrjetë të abstraksionizmit, me dromca zërash e fëshfërimash nga jeta e përditshme, duke përçuar tek secili ndjesinë e një zhytjeje gati metafizike mes ëndrrës dhe realitetit. Meqë edhe vetë fjala akusmatikë rrjedh nga greqishtja e vjetër ‘akousma’ (diçka e dëgjuar), ky zhanër eksperimental i muzikës merret pak ose aspak me melodinë, harmoninë dhe ritmin. Në të lënda e kompozuar është një gërshetim mes tingujve elektronikë dhe efekteve shoqëruese dhe ngjyra e tingullit, timbri, përbëjnë veçantinë kryesore.
“Ajo çfarë kam luajtur sonte është një panel me gjëra të ndryshme. E gjitha çka propozova ishte një panel i madh me muzikë dinamike e përbërë nga një film, pastaj me videomuzikë, muzikë radiofonike dhe akusmatike”, theksoi më tej kompozitori belg.
Kështu, Parmentier ekzekutoi veprën “La roue ferris” të kompozitorit francez Bernard Parmegiani (1927-2013), si dhe pjesë të kompozitores argjentinase Beatriz Ferreyra (1937). Efekte të veçanta tingullore solli edhe me shfaqjen e filmit të shkurtër “Gemini” të kineastëve belgë Manah Depauw dhe Jen Debauche. Duke përkapur motivet surreale të filmit, Parmentier me manipulimet teknike të zërit arriti të përçojë në mënyrë plastike ngarendjen e personazhes femër dhe sozisë së saj në kërkim të një qetësie të pambarimtë.
I pranishëm në ngjarje ishte edhe ambasadori i Belgjikës në Kosovë, Jean-Louis Servais, i cili u shpreh i lumtur me organizimin e festivalit “ReMusica”.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")