Kulturë

“Na flet Asdreni” me vargje e melodi risjell portretin e kryepoetit

Artistë nga Shqipëria e Kosova janë bërë bashkë në mbrëmjen artistike me titull “Na flet Asdreni”, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, për ta kujtuar poetin e veprimtarin e njohur në 150-vjetorin e lindjes. Koncerti multidimensional e ka sjellë portretin e tij nëpër kohë të ndryshme

75-vjet prej vdekjes e 150 vjet prej lindjes së Asdrenit, veprimtaria e tij është ende frymëzim këngësh e melodish. Në një gërshetim të përbashkët midis fjalëve dhe tingujve, në Prishtinë është kujtuar veprimtaria e tij. Autori i vargjeve të himnit kombëtar ka bërë që krijimtaria e tij të jetë e pranishme më shumë se e kujtdo tjetër në ceremonitë më të rëndësishme në Kosovë e Shqipëri. Në nderim të veprimtarisë së tij të pasur artistike, dy shtetet kanë vendosur që ta nderojnë poetin pikërisht nëpërmjet këngëve, vargjeve dhe melodive. Në kryeqytet, vargje me të cilat Asdreni përshkruante mallin për vendlindjen kanë qenë ato që janë përçuar më së shumti nga skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës për gati dy orë. Jeta dhe veprimtaria e tij është manifestuar në forma të ndryshme artistike. Artistë nga Shqipëria e Kosova janë bërë bashkë në mbrëmjen artistike me titull “Na flet Asdreni”, për ta kujtuar poetin e veprimtarin e njohur në 150-vjetorin e lindjes.

Për ta sjellë portretin e tij nëpër kohë të ndryshme, koncerti multidimensional ka nisur me një video që poetin e veprimtarin e njohur e kthejnë në vendlindjen e tij, në Drenovë, aty ku jetoi deri në moshën trembëdhjetëvjeçare, por prej së cilës s’u shkëput asnjëherë. Asdreni u lind më 11 prill 1872, në Drenovë, afër Korçës. Në fshatin e lindjes ndoqi shkollën fillore në gjuhën greke, kurse në vjeshtën e vitit 1885, me dy vëllezërit më të mëdhenj mbërritën në Bukuresht. Ndoqi studimet në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Bukureshtit. Gjatë karrierës së tij dha kontribut të madh në lëvizjen kombëtare.

Image
Në Prishtinë, vargje me të cilat Asdreni përshkruante mallin për vendlindjen kanë qenë ato që janë përçuar më së shumti nga skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës për gati dy orë. Jeta dhe veprimtaria e tij janë manifestuar në forma të ndryshme artistike

Si një shëtitje në biografinë e tij nëpërmjet vargjeve e këngëve ka vazhduar mbrëmja që u organizua nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë. Për veprën e tij nëpërmjet ekranit ka folur akademiku Rexhep Qosja. Minutat e para kanë qenë vlerësim i veprimtarisë së tij nga Qosja, të realizuar në një intervistë ku ai e përshkruan Asdrenin si poet të vargjeve atdhetare e që kjo dallohej edhe në titujt e poezive të tij. Për më tepër, në këtë intervistë Qosja ka thënë se pa dyshim Asdreni e ka modernizuar poezinë shqipe dhe për këtë arsye quhet poeti i parë shqiptar modern. Trioja e recituesve, Ligoraq Riza, Zamira Kita dhe Kristian Kroveshi, kanë qenë ata që i kanë vënë në skenë vargjet e shkruara dekada më parë nga poeti Aleksandër Stavre Drenova. Kori kamertal “Dardanica” e formacioni orkestral me artistë nga Kosova e Shqipëria kanë kënduar edhe disa nga këngët e kompozuara nga kompozitori Josif Minga, i cili e ka udhëhequr artistikisht këtë mbrëmje. Performancat në skenë janë shoqëruar edhe me imazhe të poetit e veprimtarit të shquar shqiptar. Sipas Mingës, nëpërmjet koncertit që pas Prishtinës do të mbahet edhe në Korçë të mërkurën, janë munduar të përcjellin një mesazh të përbashkët patriotik, duke prekur edhe traditën e duke bërë bashkë mesazhet e poetit për të shkuarën e të tashmen.

“Programi nuk është thjesht koncert, është një memorie, një rikthim që Asdrenin e sjellim të gjallë ashtu siç është. Jam krenar që e bashkova këtë ngjarje jo vetëm si aktivitet muzikor, por edhe me shumë të tjera që tregojnë se si rrodhën të gjitha ngjarjet me këtë personalitet”, ka thënë ai për KOHËN, pasi që në skenë nëpërmjet këngëve e recitimit është vendosur një pjesë e madhe e krijimtarisë poetike të Asdrenit. Pjesa e fundit e mbrëmjes është ndalur pikërisht te himni i flamurit, i cili është interpretuar në një version të harmonizuar nga kori nën dirigjimin e Edon Ramadanit. Sipas Mingës, bashkëpunime të tilla midis dy shteteve për nderimin e figurave si Asdreni janë të domosdoshme.

“Ne artistët vjedhim të gjitha visaret e shpirtit, ne kemi marrë mjaltin e poezive të tij që në thelb janë vetë muzikë dhe kur e materializuam me Edonin, dy llojet e artit, fjala dhe muzika, u bënë në një raport shumë të veçantë. Është një këmbim i domosdoshëm artistik, sepse kemi nevojë për këto bashkëpunime se sjellim më afër mirënjohjen dhe respektin e artistëve mes vete”, ka thënë tutje Minga.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me himnin kombëtar është bërë pjesë e pashqitur në memorien e popullit. Sipas Kurtit, poeti i njohur me veprat e tij të shkruara gjatë katër dekadave pasuroi dhe modernizoi letërsinë shqipe krahas poetëve më të shquar.

“Asdrenit do t’i mjaftonte vetëm poezia ‘Himni i Flamurit’ për t’u radhitur në plejadën e shkrimtarëve të Rilindjes sonë Kombëtare. Një poezi që sublimoi idetë e luftës sonë për liri dhe pavarësi si më parë kur ato ishin parashtruar në manifestin e Sami Frashërit në ‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet’”, ka thënë Kurti mbrëmjen e së hënës.

Asdreni nisi të shkruante poezi dhe të botonte artikuj që në fillim të shekullit XX. Në 1904-n botoi në Bukuresht përmbledhjen e tij të parë me 99 vjersha, “Rrez diélli”, që ndahet në 5 cikle: Atdhesie, Fushore, Mendimtare, Dashurie, Satirike, të ndara këto sipas tematikave të ndryshme. Atë ia kushtoi Skënderbeut. Vijoi traditat e poezisë së Naim Frashërit, lartoi dashurinë për atdheun, nxiti bashkatdhetarët të rreshtoheshin në luftën për çlirim nga zgjedha turke. Vëllimi i dytë i Asdrenit, “Ëndrra e lotë”, e botuar në Bukuresht në 1912-n, shfaq një pjekuri më të madhe. Kjo përmbledhje, po me 99 vjersha si e para, ndahet në 5 cikle: Atdheu, Natyra, Mendimi, Bukuria, Të Ndryshme dhe i kushtohet udhëtares dhe mikes së Shqipërisë Edith Durham. Poeti, publicisti dhe patrioti shqiptar, Asdreni, vdiq më 11 dhjetor 1947 në Bukuresht.