Kulturë

Muzikantë të rinj evropianë bashkohen në Prishtinë me tinguj për paqe

Artistët e rinj nga Evropa Qendrore janë bashkuar në Prishtinë me gala-koncertin në kuadër të programit të Platformës për Kulturë të Evropës Qendrore. Koncerti ka ardhur me mesazhe paqeje e ura bashkëpunimi, por ka rivënë në pah mungesën e sallës koncertale

Një nga skenat e improvizuara si sallë koncertale në kryeqytet i shërbeu shpërfaqjes së talentit të muzikantëve të rinj nga Evropa Qendrore. Veprat e virtuozëve të njohur në botë, mjeshtërisht i kanë sjellë instrumentistët nga Çekia, Austria, Hungaria, Kosova dhe Sllovakia, ku më i riu që ka performuar është vetëm 14-vjeçar. Talenti i tyre kthehet në lojë kur skenën e njëjtë e ndajnë dy motra dhe nëna e tyre.

“Është paksa e komplikuar, pasi të dyja deshëm të luajmë këtë pjesë, kështu që…”, ishin fjalët që i paraprinë “grindjes” së motrave për të luajtur në violinë e violë pjesën e preferuar, teksa nëna e tyre i shoqëronte në piano.

Kjo është hera e parë që këta muzikantë vijnë në Kosovë për të prezantuar veprat e bashkëkombësve të tyre para publikut kosovar.

Ka pasur disa koncerte të muzikës klasike kohëve të fundit në Prishtinë, por e veçantë ka qenë mbrëmja e së martës, kur skenën e Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë e kanë ngjitur me elegancë talentët e rinj. Ndriçonte një llambadar, drita e të cilit binte pingul në ulësen ku do të zinin vend pianistët, teksa dy banera qëndronin anash sa për të prezantuar ngjarjen e asaj mbrëmjeje. Publiku ishte mbledhur në tri anë për të parë performancën e të rinjve, e që nuk tregohej pasiv as në pauzat sekondëshe të tyre. Edhe ky koncert ka dëshmuar njëherë tjetër për mungesën e infrastrukturës, sallës koncertale, kur nga ballkoni i Pallatit vinin zhurmat e kalimtarëve, të cilat nuk i mbulonin as tingujt më dinamikë e të harmonizuar të të dy instrumenteve së bashku.

Image

Në koncert ka performuar, po ashtu, edhe muzikantja kosovare Lisa Sahatqiu


Mbrëmja u hap me tinguj flauti. Instrumentistja 18-veçare nga Austria, Avigea Louisa Delivicheva, ka sjellë Bachun. Ajo ka filluar të luajë në flaut që nga mosha gjashtëvjeçare, ndërsa ka fituar disa çmime brenda dhe jashtë vendit të saj.

“Nuk kam qenë kurrë në Kosovë, kam qenë shumë e emocionuar që para tre muajve kur kam kuptuar se do të vij këtu. Të jem e sinqertë, nuk dija çfarë të pret, por kam parë shumë njerëz këtu të cilët kanë qenë shumë të hapur, falënderues, të mirë dhe shoqërues”, ka thënë ajo. Përshtypje të ngjashme kishte edhe pianistja çeke, Veronika Liskova, e cila përveçqë performoi solo, e shoqëroi edhe bashkëkombësin Adam Bydzovsky në interpretim në klarinetë.

“Ishte përvojë e mirë”, ka thënë shkurt klarinetisti 18-vjeçar, i cili bashkë me Veronikan kanë sjellë veprat e kompozitorëve çekë, Bohuslav Martinu dhe Vitezslav Novak. Ndërsa vetë pianistja e ka vlerësuar koncertin si mundësi të mirë për të treguar aftësitë e saj.

“Më pëlqeu Prishtina, na thanë të luajmë muzikën çeke, në mënyrë që të sjellim diçka nga kultura jonë, edhe organizimi ishte mirë, dhe mundësi e mirë të jemi këtu”, ka thënë ajo. Të dy muzikantët e rinj çekë numërojnë në bagazhin e tyre nga disa çmime. Veronika Liskova kishte dalë e para në “Pianoforte Ricany Competition”, ndërsa Adam Bydzovsky mori çmimin e parë në garat kombëtare në nivel të shkollave për arte bazike, ndërsa në vitin 2020 dhe 2022 fitoi vendet e dyta në “Pardubice Brass Competition”. Shkëlqimin prej artisti e ka shfaqur edhe më i riu i mbrëmjes, violinist sllovak Teo Geriter. Mosha prej 14 vjeç nuk reflekton edhe gjatë lojës së tij në instrument. Me duartrokitje të gjata u prit, ashtu sikur edhe u përcjell deri tek vendi i tij pasi performoi veprat “Sonatë për solo-violinë Nr.1” të Bachut dhe “Fantasia 9” të Georg Philipp Telemann, si dhe “Caprice për solo-violinë” të violinistit dhe kompozitorit italian Niccolo Paganini. Në koncert ka performuar, po ashtu, edhe muzikantja kosovare Lisa Sahatqiu, nxënëse në shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Ajo është fituese e rregullt e çmimeve kryesore në garat e organizuara në vend. Kishte fituar edhe çmimin kryesor në kompeticionin “Pianisti i Ri”, por edhe jashtë vendit, ku në Paris kishte marrë çmimin e parë në “International Nouvelles Etoiles Competition”, ndërsa në Gjermani mori çmimin special “Chopin Piano Fest”. Me dy vepra të Chopinit, “Nocture” e “Etude”, është prezantuar në këtë koncert. Veçanti në skenë kanë sjellë në violë e violinë motrat hungareze Amira e Miriam Abouzahra të shoqëruara në piano nga nëna e tyre pianiste Nora Emony, e cila numëron shumë çmime ndërkombëtare teksa ka luajtur në orkestrat e qendrave më të mëdha në Evropë. Në koncert ka performuar “Carmen Fantasie” të kompozitorit hungarez Eugen Huber. Rëndësi të veçantë i ka kushtuar karrierës së vajzave të saj pianiste, të cilat sollën dramë në skenë edhe me lojën e tyre të veçantë. Lojën e bëjnë edhe më të bukur teksa mbulojnë njëra-tjetrën për të dominuar audiencën, si “grindje” e motrave për të qenë e para, derisa performancën e përmbyllin duke luajtur të dyja të njëjtin instrument, si thirrje për bashkëpunim. Të dyja kanë filluar të merren me violinë që nga mosha tre dhe katërvjeçare dhe lista e skenave dhe e garave ku kanë marrë pjesë është e gjatë

Gala-koncerti është zhvilluar në kuadër të programit të Platformës Kulturore të Evropës Qendrore (PCCE) për shtrirje kulturore në Ballkan dhe në vendet e Evropës Juglindore.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, koncertin e konsideron si shkëmbim kulturor i cili kontribuon edhe si mjet për paqe në botë.

“Besoj se shkëmbimi kulturor, bashkëpunimi mes artistëve, në këtë rast të rinjve dhe fëmijëve që janë të talentuar, është mundësia më e mirë për ta intensifikuar dialogun ndërkulturor, natyrisht për ta parë artin dhe kulturën jo vetëm si ngjarje, por si mjet për paqe në botë, sidomos në rajonin tonë”, ka thënë Çeku, teksa është shprehur i lumtur që kjo platformë ka zgjedhur kryeqytetin kosovar për të mbajtur këtë aktivitet. Aktualisht presidencën e PCCE-së e mban Hungaria, ndërsa në mandatin tjetër do t’i bartet Austrisë. Ambasadori i këtij shteti në Kosovë, Christoph Weidinger, është shprehur se mesazhi i kësaj ngjarjeje është misioni që ai bart

Image

Shkëlqimin prej artisti e ka shfaqur edhe më i riu i mbrëmjes, violinist sllovak Teo Geriter (14)


“Këtë natë ishte hera e parë që sollëm artistët e rinj në Kosovë, jemi shumë krenarë dhe mendoj se ata e bënë të suksesshëm, jam i lumtur që mirëpritëm artistët austriakë. Mesazhi ishte gjithashtu i rëndësishëm, se Kosova i përket Evropës”, ka thënë ai.

Ndërsa presidentja e kësaj platforme, Nagy-Gery Klara, ka thënë se programi është kompletuar me recitalin në piano nga Lisa Sahatqiu. “Mendojmë se PCCE-ja dhe kultura e Kosovës kanë shumë të përbashkëta. Në ekipin e këtij gala-koncerti kemi zgjedhur fëmijët muzikantë nga Evropa Qendrore, në mënyrë që të prezantojmë dhe promovojmë talentët tanë dhe artistët e rinj, të cilët artistë nuk performojnë vetëm nga shtetet tona anëtare, por programi do të kompletohet edhe me recitalin në piano nga talentja e re kosovare”, ka thënë Klara, e cila është edhe përfaqësuese e shtetit të Hungarisë në PCCE.

Këtë ngjarje e ka paraprirë takimi i ministrit me ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Jozsef Bencze, ambasadorin e Çekisë, Pavel Bilek, shefin e Zyrës së Sllovakisë, Rastislav Kostilnik, si dhe drejtoreshën e PCCE-së, Nagy-Gery Klara. Pjesëmarrës në takim ishin edhe drejtori austriak i platformës, Martin Pammer, ai polak Rafal Wolski dhe çeku Jan Bondy, ku u vlerësua se kultura e shteteve të Evropës Qendrore dhe Kosovës kanë shumë të përbashkëta dhe se kontaktet e këtyre shteteve duhen mbajtur të lidhura, për të shërbyer më pas në organizime të tjera mes vendeve. Gjithashtu ambasadorët e përfaqësuesit e shteteve përkatëse përmendën rolin dhe kontributin e tyre për komunitetin kosovar atje, me theks të veçantë në bursat që u shpërndahen studentëve.

Ngjarja e organizuar nga Ambasada e Hungarisë, në Prishtinë zbarkoi për herë të parë në historinë e Platformës Kulturore të Evropës Qendrore. PCCE u themelua në Vjenë në vitin 2001, nga Austria dhe pesë vende kandidate në atë kohë në BE: Çekia, Hungaria, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia. Qëllimi kryesor i Platformës në atë kohë ishte pozicionimi i rajonit të Evropës Qendrore në Bashkimin Evropian, duke u fokusuar në interesat dhe vlerat e përbashkëta kulturore, ku pjesëmarrësit synojnë “të forcojnë identitetin e përbashkët të Evropës Qendrore dhe dukshmërinë e tij në kontekstin e një dimensioni evropian”. Koncepti ka mbetur i njëjtë në thelb, por ka ndryshuar për nga aspekti gjeografik. Aktivitetet e saj kulturore u zgjeruan edhe në Ballkan.