Kulturë

Muzika pa të drejta autoriale e kushte çakordohet përballë potencialit

“Njohja e muzikës si katalizator për zhvillimin ekonomik dhe social”

“Njohja e muzikës si katalizator për zhvillimin ekonomik dhe social” ka qenë tema e panelit të parë të edicionit të katërt të Konferencës së Muzikës në Prishtinë me pianisten, profesoreshën e muzikës e organizatoren e shumë ngjarjeve kulturore, Besa Luzha, producentin Florent Boshnjaku, udhëheqësin e operimeve të festivalit “Sunny Hill”, Shpat Begolli, Robbert Baruch nga kompania botërore e muzikës “Universal Music Group” dhe eksperten e muzikës, Ieva Oxenbury

Skena muzikore ka potencial e të ardhme të ndritur, por nuk ka zgjidhje të duhura të problemeve siç është zhvillimi i infrastrukturës dhe menaxhimi e mbrojtja e pronësisë intelektuale. Esencial është vlerësuar zbatimi i Ligjit për të drejtat e autorit në panelin e parë të edicionit të katërt të Konferencës së Muzikës në Prishtinë. Në ngjarjen që ka në qendër muzikën në dimensione të ndryshme, pozita e muzikës si katalizator për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, ka qenë njëra prej temave që ka bërë bashkë muzikantë e njohës të fushës. Por shtjellimit të temës së parë i kanë paraprirë fjalimet hapëse.

Muzika si bazë e identitetit dhe zhvillimit ekonomik  

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se ngjarja gradualisht po shndërrohet në një nga më të rëndësishmet dedikuar industrisë së muzikës në vend. 

“E vendosur si një ngjarje e javës së muzikës, javë e mbushur me ngjarje muzikore në qytet, kjo konferencë ka një rol të rëndësishëm në trajtimin e diskutimit dhe çështjeve që prekin formësimin dhe zhvillimin e industrisë së muzikës në vendin tonë”, ka thënë Çeku para të pranishmëve. 

Ka thënë se temat që trajtohen janë më shumë se bashkëbisedime e diskutime. 

“Do të trajtohen tema si të drejtat e autorit, roli i muzikës në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, diskutimet mbi festivalet e muzikës e mbi ndërtimin e qëndrueshëm të skenës së muzikës elektronike, të gjitha këto diskutime që duhet të bëhen si bashkëbisedime, dëgjohen me shumë vëmendje, janë momente jo vetëm të diskutimit, por edhe të reflektimit të qasjes sonë të përbashkët se si të ecim bashkë”, ka thënë ministri Çeku. 

Udhëheqësi i misionit të Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, Eriz Dietz, ka thënë se Konferenca thekson kulturën muzikore në Kosovë si dhe rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave autoriale. 

“Të gjithë e dimë se mbështetja e artit mund të na çojë te ndryshimet pozitive dhe besoj se Kosova e ka këtë potencial. Muzika nuk është vetëm art, por gjithashtu katalizator i fuqishëm për zhvillimin ekonomik e social. E ka mundësinë që të bashkojë komunitete, të promovojë shkëmbimet kulturore dhe të krijojë mundësi përpara. Besojmë se investimet në art mund të sjellin dobi si nga perspektiva kulturore, ashtu edhe ekonomike”, ka thënë ai. 

Përfaqësuesi rezident i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queirós, ka thënë se muzika në Kosovë është më shumë sesa argëtim. Sipas tij, është edhe formë shprehëse. 

“Është bazë e një identiteti kulturor dhe shtytës i rritjes ekonomike. Rëndësia e muzikës e ka një moment për të kontribuuar edhe në të ardhura dhe në pasurimin kulturor në mbarë Kosovën. Secilën ditë ne shohim kreativitet të shkëlqyer. Muzika është e ndryshme, e llojllojshme, me muzicientë të rinj. Vetëm para një jave u fitua një çmim në Barcelonë dhe ata tani njihen në botë, duke dëshmuar energjinë dhe potencialin e tyre. Këta individë, jo vetëm që janë të njohur në botë, por edhe e sjellin botën këtu në Kosovë”, ka thënë ai duke iu referuar suksesit të fundit të korit “Siparantum”, por si shembull e ka marrë edhe jehonën e festivalit “Sunny Hill”. 

“Për shembull është festivali ‘Sunny Hill’ që është një shembull shumë i fuqishëm që tërheq me mijëra vizitorë dhe kontribuon me miliona në ekonominë lokale. Ngjarje sikurse kjo potencojnë rëndësinë e potencialit ekonomik që sjell industria e muzikës. Sidoqoftë, ende ka shumë punë për t’u bërë në ekosistemin e muzikës në Kosovë për një rritje që shumë artistë nuk e kanë ende mbështetjen e duhur për të menaxhuar dhe për të mbrojtur punën e tyre kreative e cila i limiton potencialet”, ka thënë Queirós.

Lufta që zhbëri skenën dhe rinisja nga e para

Ceremoninë e hapjes e ka pasuar menjëherë paneli i parë i Konferencës –  “Recognizing music as a catalyst for economic and social development”. Panelistë kanë qenë pianistja, profesoresha e muzikës e organizatorja e shumë ngjarjeve kulturore, Besa Luzha, producenti i muzikës Florent Boshnjaku, udhëheqësi i operimeve të festivalit “Sunny Hill”, Shpat Begolli, Robbert Baruch nga kompania botërore e muzikës “Universal Music Group” dhe ekspertja e muzikës Ieva Oxenbury, e cila edhe e ka moderuar panelin. 

Oxenbury ka thënë se muzika është pjesë e ADN-së së njerëzve në Kosovë. 

“Kemi pasur shumë takime kuptimplota dhe rëndësia e muzikës është shumë e madhe në këtë shtet. Shumë shpesh nuk mendojmë se çfarë është në prapavijë dhe çfarë bën muzika përveç asaj që ofron kënaqësi për njerëzit, për mirëqenien e tyre mendore, si është, si krijohet dhe si kontribuon në ekonomi e në mirëqenie sociale, identitetin kombëtar. Por sot do të koncentrohemi specifikisht në aspektin ekonomik dhe se si ajo kontribuon në sektorë të ndryshëm dhe jo vetëm për nga kreativiteti”, ka thënë ajo. 

Producenti muzikor Florent Boshnjaku ka përmendur Festivalin e Këngës në RTK që e ka drejtuar artistikisht për dy edicione, si përvojë të rëndësishme në karrierën e tij mbi 40-vjeçare në fushën e muzikës. Ka thënë se industria e muzikës në vend gjatë luftës e ka humbur tërësisht kontekstin dhe gjithçka është dashur të niset nga e para. 

“Gjatë kohës së ish-Jugosllavisë industria ka qenë pak më e organizuar, mirëpo kur erdhi lufta humbëm kontekstin që e kishim më parë, gjithçka ndryshoi dhe u desh të fillojmë nga e para. Kemi filluar të krijojmë lidhje dhe pastaj kemi ardhur deri në këtë pikë, siç është tani festivali ‘Sunny Hill’. Kur flasim se si është tash muzika në Kosovë, është shumë ndryshe, por ne kemi vuajtur për shumë kohë. Nëse flas për veten, jo të ankohem, por është me rëndësi të thuhet se këngët e mia kanë marrë pjesë në Eurovision nëpërmjet Shqipërisë”, ka thënë Boshnjaku. 

Derisa ka folur për të drejtat autoriale ka thënë se duhet të punohet në këtë aspekt në mënyrë që gjeneratave të reja t’u ofrohen kushte për të operuar në mënyrën më të mirë në skenën muzikore. 

“Industria e muzikës është e mirë, e themeluar në diçka që është profitabile dhe me ndikim shumë të madh kulturor jo vetëm në Kosovë. Mendoj se ne e kemi më mirë sesa Shqipëria sa i përket muzikës komerciale apo sesa shqiptarët në Maqedoni, sepse kemi pasur aq shumë individë që kanë arritur kontrata me ‘Universal’ apo me kompani të ngjashme të mëdha. Kemi edhe grupe të njohura mirëpo jemi ende larg. Ka gjëra të vogla që po ndodhin, duke filluar nga të drejtat e autorit. Duhet të ketë ligj si duhet, besoj se atëherë do të ishte gjithçka shumë më mirë”, ka thënë ai më tej. 

Në panel skena muzikore është prezantuar në disa dimensione. Profesoresha e muzikës e pianistja Besa Luzha ka prekur skenën e muzikës klasike duke kujtuar themelimin e institucionit të Filharmonisë së Kosovës. Ka thënë se sfida e parë ka qenë se duhej të punohej me të tjera pikëpamje që ekzistonin deri atë kohë. 

“Kur filluam çdo gjë me muzikën klasike, sfida e parë tek ne ka qenë që të fillojmë të mendojmë me një tjetër mendësi. Kanë qenë vitet 2000 kur një grup muzikantësh kanë filluar ta krijojnë Filharmoninë. Kemi shkuar tek institucionet dhe gjëja e parë që kanë pyetur ka qenë se ku e kemi planin dhe buxhetin dhe askush nuk kishte përgatitur diçka. Në atë moment jemi sfiduar me shumë seriozitet sepse ministrat e asaj kohe thoshin se nëse nuk sillet plani deri të hënën nuk mund ta vendosim në diskutim dhe nuk mund ta krijojmë Filharmoninë”, ka thënë Luzha. 

Ka përmendur përvojën e fillimit të punës me institucionin e nisjen e organizimit të festivaleve. 

“Pa kurrfarë përvoje paraprake është dashur të bëjmë diçka të thjeshtë duke krijuar një draft të buxhetit e të tregojmë se kaq njerëz janë. E njëjta ka ndodhur edhe me festivalet. Kur kemi filluar e kemi ditur thjesht se duam të organizojmë ngjarjen sepse kemi konsideruar që është e rëndësishme të demonstrojmë talentin e njerëzve. Por dikur ka pasur shumë pak dhe tani e shihni se kemi një gamë mjaft të gjerë festivalesh të natyrave e kategorive të ndryshme”, ka thënë Luzha.

Pesë për qind e kosovarëve në industrinë kreative

Robbert Baruch nga kompania botërore e muzikës “Universal Music Group” ka thënë se në Kosovë numër i vogël i njerëzve merren me industrinë kreative por megjithatë Kosova po depërton në këtë fushë.

“Janë diku vetëm pesë për qind e kosovarëve që punojnë në industrinë kreative dhe kontribuojnë vetëm tre për qind të bruto produktit vendor, kur do të duhej të ishte shtatë deri tetë për qind me nivelin e arsimit dhe kreativitetit”, ka thënë ai. 

Esencial e ka konsideruar luftimin e piraterisë dhe mbrojtjen e të drejtave të autorit. 

“Është shumë e rëndësishme krijimi i të ardhurave, infrastruktura muzikore, menaxhimi i të drejtave që në Kosovë, pothuajse janë zero, që nënkupton se këngën tuaj mund ta ngarkon dikush tjetër dhe ju nuk përfitoni aspak. Duhet të gjendet audienca në nivel global që do të thotë se duhet të kërkoni nga qeveritë tuaja të investojnë në eksportin muzikor, në marketing. Kjo është ajo ku edhe shtëpitë muzikore mund të ndihmojnë. Unë u them të gjithë njerëzve që nëse duan të hynë në karrierën e muzikës, të përfshihen në të drejtat dhe anën e biznesit, sepse nëse dëshironi ta ktheni talentin tuaj për biznes, duhet të dini për vetë biznesin”, ka thënë ai. 

Udhëhëqësi i operimit të festivalit “Sunny Hill”, Shpat Begolli, ka thënë se është e rëndësishme që festivalet pos mbështetjes nga institucionet, të orientojnë mundësitë e përkrahjes edhe nga sektori privat. 

“Sa i përket anës institucionale është ligji i mbështetjes (sponsorizimit v.j.) ku festivalet mund të aplikojnë edhe në sektorin privat për të fituar mbështetje edhe nga ta. Kjo është ndihmesë shumë e madhe për festivale më të vogla sepse mund të krijojnë mbështetje të ndryshme për nga mënyra sesi financohen, jo vetëm nga sektori publik, por edhe ai privat. Në ‘Sunny Hill’ ka shumë për t’u bërë edhe nga ana e Komunës, por edhe e Qeverisë. Por duke marrë parasysh se është shtet në zhvillim, këta janë hapa që po merren në mënyrë graduale”, ka thënë Begolli. 

Në hapje të Konferencës së Muzikës në Prishtinë u vlerësua se skena muzikore në Kosovë ka të ardhme premtuese, por se infrastruktura është vetëm në letër. Se duhet menaxhim më të mirë dhe se vendi ka nevojë për ngjarje edhe më të mëdha sesa ai i përmasave të “Sunny Hill”.

Konferenca e Muzikës në Prishtinë, si zakonisht, edhe këtë edicion e zhvillon punimet e aktivitete për tri ditë deri të shtunën. 

Të enjten programi ka vazhduar me panelin me temë “Merging public and private: Hoë can institutions support the music ecosystem?” me panelistë Angharad Cooper, Ieva Oxenbury, Darko Dimitrov, Liburn Jupollli dhe Jordi Puy Campas.  Ky i fundit ka mbajtur edhe punëtorinë “Artist-facing workshops: How to regjistër and protect your IP” ndërsa është mbajtur prezantimi nga Vikram Gudi me temë “Introducing new income streams for artist: Sync and marketing”. 

Të premten në ditën e dytë të Konferencës së Muzikës në Prishtinë është mbajtur paneli i diskutimit me temë “The power of music to promote inclusivity and empower individuals with disabilities” me panelistë Burim Halitin, Fitnete Grabovci-Krasniqin, Flaka Isufin, Lekë Gjurgjialin dhe Veronë Përçukun. Pas kësaj ngjarje, Sibel Halimi dhe Trëndelinë Bucolli kanë diskutuar nën temën “The role of art in social emancipation and cultural dialogue”. Nën temën “Rap Battle”, Bonart Ajvazi, Buta, Dardan Belegu dhe MC Kresha e kanë mbyllur programin e paneleve e diskutimeve ndërsa Konferenca ka kurorëzuar ditën e dytë të ngjarjes me koncertin e grupit “P.I.N.T” në sallën e djegur të Pallatit të Rinisë. Konferenca e Muzikës në Prishtinë vazhdon punimet edhe sot (e shtunë) e njëra prej temave është edhe shpërthimi i muzikës elektronike.