Kulturë

“Muzika e fjalëve” – frymëzim për letërsinë për fëmijë

Gjuha është njësoj si muzika që rrjedh natyrshëm e njerëzishëm. Kur rrëfimet e poemat bashkëndahen mes njerëzve, mendjet marrin krahë, fluturojnë e takohen në qiell. “Ne nisim ta kuptojmë njëri-tjetrin. Ne bëhemi fqinj në vend të jabanxhinjve”, janë fjalët e shkrimtares kubanezo-amerikane, Margarita Engle, që kanë kumbuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë. Kësaj ngjarjeje i është bashkuar edhe Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë, që kanë përzgjedhur tri esetë më të mira nga një konkurs ku morën pjesë nxënës të shkollave fillore të Komunës së Prishtinës

Edhe për dikë që të kaluarën e mban mend përmes krajatave të emigrimit, poezitë dhe rrëfimet janë brumë për t’u ndier shpresëplotë. Mesazhet e shkrimtares amerikano-kubaneze, Margarita Engle, kanë veshur me simbolikë frymëzuese 2 prillin – Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë. Prej vitit 1967, kjo ngjarje ka ambicien për të frymëzuar dashuri për lexim dhe për të vëmendësuar librat për fëmijë.

“Kur ne lexojmë, mendjet tona marrin krahë/ kur ne shkruajmë, gishtërinjtë na këndojnë”, janë dy vargjet e para të poezisë “Muzika e fjalëve” të bërë enkas për këtë ditë nga shkrimtarja 69-vjeçare, Engle.

Image
Shkrimtarja kubanezo-amerikane, Margarita Engle, enkas për Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë ka shkruar poezinë “Muzika e fjalëve”

Me leximin e kësaj poezie të enjten është hapur sipari i manifestimit letrar për Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë të bashkorganizuar nga biblioteka “Hivzi Sulejmani”, organizata joqeveritare ETEA dhe Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë.

Aktiviteti ka nisur me një minutë heshtje për shkrimtarin për fëmijë, Hasan Hasani, i cili u nda nga jeta në dhjetor të vitit të kaluar.

Në fjalën e tij hyrëse, drejtori i bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, Munish Hyseni, ka thënë se 2 prilli është një festë e madhe e librit në shenjë nderimi për shkrimtarin danez për fëmijë Hans Christian Andersen.

“Sot me miliona fëmijë, prindër, krijues e shkrimtarë anembanë botës festojnë në gjuhën e tyre, në dashurinë e tyre”, ka thënë ai.

Fill pas kësaj janë bërë të ditur emrat e fituesve të tri eseve më të mira nga konkursi letrar në të cilin morën pjesë nxënës nga shkollat fillore e të mesme të ulëta në kryeqytet.

“Kishim mbi dyzet punime të dorëzuara në konkurs dhe jam krenar që mora pjesë në vlerësimin e këtyre eseve”, ka thënë shkrimtari Ibrahim Kadriu, i cili ishte pjesë e jurisë bashkë me Xhevat Sylën dhe Fatime Mehmetajn.

Sipas vendimit të jurisë, në këtë konkurs letrar eseja e nxënësit Dition Mala “Një pikëpamje nga libri i harruar” (me shifrën “Deti”) u vlerësua si fituese e vendit të parë; ajo e Vesa Shalës me titull “Kopshti i librave” (me shifrën “Liqeni”) u shpërblye me vendin e dytë, si dhe eseja e Urta Reçicës “Libri ngjyrëvjollcë” (me shifrën “Pasuria”) me vendin e tretë.

Sipas vlerësimit me shkrim të jurisë, esetë e nxënësve paraqesin një ngritje të cilësisë, “një shkallë më të lartë artistike të shkrimeve të nxënësve”. Po ashtu, sipas vlerësimit, me temat që pasqyrojnë botën e brendshme psikologjike dhe përditshmërinë, nxënësit kanë realizuar krijime me vlera ideo-artistike dhe letrare.

“Kemi përshtypje se edhe temën e sivjetme, që u është prezantuar fëmijëve, pra librin dhe rolin e tij në shoqëri dhe mjediset ku frymojmë dhe veprojnë e kanë realizuar mirë. Prurjet që kanë bërë ata, na japin të kuptojmë se në këtë kohë që ka dinamiken e vet edhe ata janë bashkëpjesëmarrës të të gjitha dukurive dhe problemeve që i sjell jeta”, thuhet, mes të tjerash, në vlerësimin e jurisë. “Andaj edhe përmes skicave, rrëfimeve, eseve dhe tregimeve ata kanë realizuar ëndrrën e vet për larushinë e temave që kanë vënë në shënjestër të shqyrtimit”.

Me nismën e shkrimtarit Agim Deva, 22 vjet më parë kishte nisur hapërimin e vet poetik Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë.

Duke folur për historikun dydekadash të këtij eventi, shkrimtari Ibrahim Kadriu ka thënë se asokohe synimi ishte të bëhej diçka për fëmijët e traumatizuar nga flakët e luftës.

“Dhe ne vazhduam për 22 vjet duke shkuar në fshatra e vendbanime të ndryshme jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e Mal të Zi”, ka thënë ai.

Sipas Kadriut, edicioni i sivjetmë nuk u mbajt me rastin e Ditës së Mësuesit për shkak të rrethanave të pandemisë.

“Por, megjithatë, ne zgjodhëm këtë ditë që të jemi mysafirë në një ngjarje pranë librave e lexuesve”, ka shtuar ai.

Minutat në vazhdim të aktivitetit janë pasuar me lexime poezish nga Ibrahim Kadriu, Skënder Zogaj, Jonuz Fetahu, si dhe Erina Rrahmani.

I pranishëm në ngjarje ishte drejtori i Kulturës, Adrian Berisha, i cili e ka vlerësuar Karvanin e Shkrimtarëve për Fëmijë si një mekanizëm që mundëson aktivitete e projekte të ndryshme.

“Për neve, si Drejtori e Kulturës, bashkëpunimi me institucionet bartëse është jetik në funksionimin sa më të mirë të shërbimeve kulturore”, ka thënë, mes të tjerash, Berisha.

Në fund të aktivitetit është bërë edhe promovimi i librit “Librat na qetësojnë” me ese nga konkursi paraprak i nxënësve të shkollave të Komunës së Prishtinës, ndërkohë që shkrimtarët e Karvanit për Fëmijë dhuruan libra autorialë për Bibliotekën e qytetit.

Ndryshe, Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë është një ngjarje e përvitshme e sponsorizuar nga organizata jofitimprurëse “International Board on Books for Young People” (IBBY). Duke nisur që nga viti 1967, kjo ditë ka zgjedhur ditëlindjen e shkrimtarit të njohur danez Hans Christian Andersen. Aktivitetet rëndom përfshijnë gara në shkrim, kumte çmimesh për libra, si dhe ngjarje të tjera me autorë të letërsisë për fëmijë.

Çdo vit, IBBY zgjedh një vend të caktuar për të qenë sponsorizues ndërkombëtar i këtij eventi. Me këtë rast i jepet mundësia një autori të shquar nga vendi nikoqir që të shkruajë një mesazh për fëmijët në botë, si dhe një ilustratori të njohur për të bërë një poster.

Image
Nderi për posterin e sivjetmë të Ditës Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë i ka takuar autorit brazilian të ilustrimeve të librave për fëmijë, Roger Mello

Me zgjedhjen e ShBA-së si vend nikoqir, autorja e mesazhit të sivjetmë ishte Margarita Engle, një shkrimtare kubanezo-amerikane e njohur kryesisht për libra për të rinj. Shumica e rrëfimeve të saj janë të shkruara në vargje si shëmbëllim i trashëgimisë së saj kubaneze dhe vlerësimit të saj të thellë për natyrën.

“Për mua, fjalët paqebërëse janë personale. Unë vij nga një familje e ndërlikuar ikanakash, emigrantë, dhe njerëzve që kanë vendosur të qëndrojnë kudo që ata kanë lindur. Unë kam zgjedhur t’i dua ata njësoj. Poezia dhe rrëfimet më ndihmojnë të ndihem shpresëplotë. Rimat, ritmet, dhe madje edhe hapësirat e lira mes fjalëve në një faqe krijojnë jehona në mendjen time, njësoj si tingujt e bukur që dëgjoni për një kohë të gjatë pas tringëllimit të një kambane”, ka shkruar Engle në mesazhin e saj të sivjetmë. “Gjuha është muzikë. Ajo rrjedh në një mënyrë që është sa natyrore, aq edhe njerëzore. Kur ne i bashkëndajmë rrëfimet dhe poemat tona, mendjet tona marrin krahë, fluturojnë dhe takohen në qiell. Ne fillojmë të kuptojmë njëri-tjetrin. Ne bëhemi fqinj në vend të jabanxhinjve”.

Ndërkaq, nderi për posterin e sivjetmë i ka takuar autorit brazilian të ilustrimeve të librave për fëmijë, Roger Mello. Në përshkrimin e posterit të tij, ai ka thënë se kafshët dhe njerëzit nga të gjitha kontinentet kanë gjetur frymëzim nga muzika e fjalëve në poezitë e Engleit.

“Fëmijët janë të larmishëm, poetikë dhe filozofikë; vetëm dëgjoni poezinë, vetëm dëgjoni tingëllimën. Në fjalët e Margaritas: rrahje zemre, tundje thundrash e përplasje krahësh. Unë doja të vizatoja këtë tingull të pakufi në artin e këtij posteri. Muzikë, fjalë, imazhe – të pakufi sikurse shpirti i IBBY”.