Kulturë

Muzeu i Nënë Terezës në Prizren ende pa letra

Përderisa ekspozita është hapur tash e një javë, objekti ku ajo zë vend ende nuk është inauguruar si muze i Nënë Terezës. Për këtë duhet statut i veçantë dhe duhet të zgjidhet midis Komunës së Prizrenit dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Projekti për institucionin muzeor ka një histori mbi dhjetëvjeçare zvarritjesh

Dyert e Muzeut në Prizren janë hapur në ditën e pestë të shtatorit për ekspozitën që synon të informojë publikun lidhur me jetën dhe veprën e murgeshës, bamirëses dhe të shenjtës Nënë Tereza. Por vetë ndërtesa ende nuk është inauguruar si muze. Një gjë e tillë, sipas profesionistëve nga “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB – Kosova) kërkon statut të veçantë, dhe se një gjë e tillë duhet të zgjidhet midis Komunës së Prizrenit dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

“Ndërtesa ende si muze nuk është përuruar, për shkak se duhet statut i veçantë për ta shndërruar një objekt në muze. Për momentin është vetëm kjo ekspozitë... Përndryshe si pronë i përket Komunës së Prizrenit, ndërsa është ndërtuar prej Ministrisë së Kulturës, kështu që për afatet e tyre nuk jam e informuar, por po besoj që duhet të krijohet një grup për të marrë një vendim të tillë”, ka bërë të ditur Edona Rugova nga CHwB-Kosova, në ditën e hapjes së ekspozitës dedikuar Nënë Terezës.

KOHA ka kërkuar informata nga Komuna e Prizrenit rreth punës së Muzeut dhe numrit të vizitorëve në javën e parë të ekspozitës, sikurse edhe sqarime rreth mënyrës së funksionimit dhe menaxhimit të tij.

Zëdhënësja e kësaj komune, Jona Hoxhaj, ka njoftuar se organet komunale ende nuk e kanë marrë në menaxhim ndërtesën.

“Komuna e Prizrenit akoma nuk e ka marrë në menaxhim objektin, duke qenë se implementues i projektit ka qene CHwB-ja. Po presim që deri në fund të këtij muaji të bëhet pranim-dorëzimi i objektit”, ka thënë Hoxhaj në një përgjigje me shkrim.

KOHA ka mësuar se në parim ka një pajtim mes zyrtarëve të MKRS-së dhe të Komunës së Prizrenit për krijimin e një grupi të përbashkët për definimin e statutit të Muzeut të Nënë Terezës.

Gjatë javës së shkuar kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, kishte pritur në takim ministrin e MKRS-së, Hajrulla Çeku. Ky i fundit, pas këtij takimi, ka theksuar nevojën për përshpejtimin e finalizimit të projekteve të përbashkëta.

“Biseduam për një numër të madh të projekteve që i kemi të përbashkëta në fushën e sportit, trashëgimisë kulturore, kulturës dhe rinisë në përgjithësi. Besoj se kemi nevojë për të shtuar dinamikën e përmbylljes së projekteve që janë të hapura për t’i nisur edhe projektet e reja investive në Komunën e Prizrenit”, ka thënë Çeku, duke nënvizuar se Prizreni ka potencial të jashtëzakonshëm kulturor e sportiv dhe se meriton vëmendje të veçantë.

Ndërkaq kryetari Totaj kishte konfirmuar pajtimin për bashkëpunim në realizimin e projekteve aktuale dhe projekteve të reja në art, kulturë dhe sport. Në mesin e projekteve të diskutuara ai kishte përmendur edhe inaugurimin e ekspozitës për “Nënë Terezën”.

“Koha Ditore” vite më parë kishte raportuar se si projekti i kontraktuar në vitin 2010 nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për ndërtimin e Muzeut të Nënë Terezës në Prizren kishte mbetur me dyer të mbyllura, ani pse sipas raporteve zyrtare punimet kishin përfunduar në vitin 2012. Në mesin e vitit 2014 ishte dhënë edhe drita e gjelbër për pranimin teknik të objektit, por megjithëkëtë Muzeu nuk ishte funksionalizuar.

Ndërtesa e Muzeut të Nënë Terezës është ndërtuar afër Katedrales së Zojës Ndihmëtare në Prizren, në lagjen ku dikur kishin jetuar të parët e Gonxhe Bojaxhiut.

Edona Rugova nga CHwB ka konfirmuar se ndërtesa e Muzeut të Nënë Terezës në Prizren nuk ishte funksionalizuar prej vitesh.

“Ndërtesa e Muzeut të Nënë Terezës është ndërtuar vite më parë, dhe nuk ka arritur të funksionalizohet deri në vitin 2019. Ne si CHwB Kosova dhe RESC Shkup në kuadër të projektit ndërkufitar të përkrahur nga BE-ja kemi marrë përsipër për ta rregulluar. Intervenimet që janë bërë janë qasja përmes liftit për personat me aftësi të kufizuara, instalimi i ngrohjes, rregullimi i sistemit të ujit, dhe renovimi e izolimi i komplet ndërtesës. Pos kësaj është realizuar edhe ekspozita, e cila shtrihet në tri kate, duke filluar me jetën e saj si fëmijë, prejardhjen e prindërve të saj nga Kosova, deri në momentin kur ka vendosur të bëhet misionare dhe është nisur për në Dublin të Irlandës dhe i bashkohet rendit të Loretos. Më pas shkëputet nga ky rend, dhe me leje te veçantë themelon një rend të ri, me të cilin ajo fillon të hapë shtëpi që trajtojnë të sëmurë, në prag të vdekjes dhe të varfër, duke iu ofruar kujdes, dhe shtrihen në gjithë botën me koncentrim më të madh në Indi. Këto detaje të jetës së saj janë të renditura kronologjikisht, dhe në katin e sipërm flitet edhe për çmimin ‘Nobel’ dhe për vazhdimin deri te procesi i shenjtërimit të saj”, ka shpjeguar Rugova.

Funksionalizimi i Muzeut të Nënë Terezës në Prizren është pjesë e projektit: “Shtegu Kulturor ‘Gjurmëve të Nënës Terezë’”, në kuadër të programit për bashkëpunim ndërkufitar Kosovë-Maqedoni Veriore, që mbështetet nga BE-ja.

Ekspozita dedikuar jetës dhe veprës së Nënë Terezës në Prizren është hapur më 5 shtator, në 25-vjetorin e kalimit në amshim të saj, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë të Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani kishte theksuar se përurimi i kësaj ekspozite, sikurse edhe vetë themelimi i Muzeut, janë vetëm një hap i vogël në krijimin e kujtesës kolektive për Nënë Terezën.

“Përurimi i kësaj ekspozite, në muzeun që do ta bartë vulën e veprës së saj, ka peshë të veçantë kulturore e humane. Ne si bashkëqytetarë e bashkëkombës të shenjtës sonë e shumë vizitues të huaj do të kthehen këtu për t’i gjetur të dëshmuara rrënjët e familjes së Nënë Terezës e vatrën e cila rriti breza të tërë familjarësh të saj. Ai do të shërbejë këtu e tutje edhe si një qendër pelegrinazhi për të gjithë ata të cilët duke kërkuar mirësinë në jetë e shembujt e mëdhenj të altruizmit e të dashurisë ndaj njeriut, do të vijnë këtu të mësojnë se si një vatër e vogël në një vend të vogël, në të cilin jeton një popull me zemër të madhe, ia dhuroi botës shembullin universal të përvujtnisë e të sakrificës së pamatshme për njeriun”, kishte thënë ajo.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti kishte vlerësuar se ky muze do të ruajë frymën e Nënë Terezës, si dhe vazhdimësinë e mirësisë, humanizmit dhe shpresës në Kosovë.

“Ky muze, i cili Prizrenit ia kthen Shën Nënë Terezën në përditshmëri, hap shtegun e synimit të saj i cili mishërohej në misionin e madh që ajo kishte: të krijonte institucione qëndrueshmërie në shërbim të më të varfërve”, kishte thënë ai.

Nënë Tereza është bërë simbol i humanizmit në botë si pasojë e angazhimit të gjatë në shërbim të të sëmurëve e të varfërve. Ishte fituese e çmimit “Nobel” për Paqe dhe vite më vonë u shenjtërua nga Vatikani. Ajo ndërroi jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkutë të Indisë.