Kulturë

Muzeu i Muzikës në Gjakovë drejt shkatërrimit të plotë

Dyer të thyera e të rrëzuara përtokë, dritare të shkëputura komplet nga muret e ndërtesës, mbeturina të shpërndara e shkallët të papërfunduara, janë pamjet që e karakterizojnë tashmë Muzeun e Muzikës në Gjakovë

I inauguruar para jo më shumë se shtatë vjetëve, si investim me buxhet të shtetit, Muzeu i Muzikës është buzë demolimit të tërësishëm. E, institucionet lokale nuk kanë dhënë ndonjë zgjidhje për këtë problem. I vetmi instrument aty ka mbetur pianoja e dhuruar prej akademik Rauf Dhomit

Vetëm pianoja e dëmtuar rëndë ka mbetur shenjë se ndërtesa ka të bëjë me muzikën. Përreth saj gjithçka është e shkatërruar. Gjendja në të cilën është, bashkë me mbishkrimet, janë tregues se hapësira është shndërruar në strehë vandalësh.

Muzeu i Muzikës në Komunën e Gjakovës i inauguruar para jo më shumë se shtatë vjetëve është buzë demolimit të tërësishëm të hapësirave të brendshme. E institucionet lokale nuk kanë dhënë ndonjë zgjidhje për këtë problem.

Dyer të thyera e të rrëzuara përtokë, dritare të shkëputura komplet nga muret e ndërtesës, mbeturina të shpërndara e shkallët e papërfunduara janë pamjet që e karakterizojnë tashmë Muzeun e Muzikës në Gjakovë, të njohur edhe si “Tabhane” në qendër të Gjakovës. Në objektin që më parë u ka bërë strehë veglave të ndryshme muzikore si sharkisë së Ymer Rizës, harmonikës së gjurit të Malush Stubllës, apo kontrabasëve të shoqërive kulturore “Hajdar Dushi” e “Ganimete Tërbeshi”, tashmë mund të shihet në katrahurë, tollovi e bërllok.

Image
Në mes të krejt hapësirës së braktisur gjendet pianoja e akademik Rauf Dhomit. Por tani gjendja e kësaj pianoje është e rëndë

Në mes të krejt hapësirës së braktisur gjendet pianoja e akademik Rauf Dhomit. Por tani gjendja e kësaj pianoje është e rëndë. Nga 88 çelësat nuk i ka mbetur asnjë. S’është aty as murali i punuar nga Gurakuq Dobruna.

Gjendje më e mirë nuk është as në oborr e as në katin përdhes, ku ishte paraparë të hapej një kafene, pronari i së cilës ishte i obliguar ta mirëmbante edhe Muzeun e Muzikës.

Si pasojë e riparimeve për rikonstruktimin e këtij objekti, një pjesë e murit të Muzeut ishte thyer plotësisht dhe kështu nuk kishte mbetur asnjë pengesë që të ndalonte hyrjen apo që do të mbronte hapësirat e brendshme.

Në vitin 2012, objekti ishte ndërtuar nga Ministria e Kulturës me qëllimin që të shndërrohej në muze të muzikës popullore.

“Ne kur kemi dalë nga aty ka qenë një lokal që e pati marrë një firmë dhe ne e kemi lënë aty një lokal funksional. Në kuadër të kësaj jemi marrë vesh që ai t’i punësojë dy punëtorë që e kanë të përfunduar fakultetin e muzikës, kanë qenë edhe kriteret dhe të gjitha, por që pas disa muajve pasi unë kam përfunduar mandatin, ai ka dështuar si biznes dhe nuk ka pasur përcjellje të atij muzeu. Nuk ka pasur mbikëqyrje as lokale as institucionale, e fatkeqësisht as të organeve të rendit”, ka thënë Meriton Ferizi, ish-drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Gjakovë. Në kohën sa ai e drejtonte këtë sektor komunal edhe ishte inauguruar Muzeu. Shiriti iu pre më 2016. Institucionet e trashëgimisë kulturore nuk kanë qasje në menaxhimin e hapësirës.

“Prej vitit 2015 Komuna e ka marrë objektin edhe si pronë, edhe si funksion ose destinim. Më 2016 e hapën Muzeun e Muzikës dhe prej atij viti Ministria e Kulturës nuk ka qasje direkte sa i përket menaxhimit të këtij muzeu”, ka shpjeguar Visar Haxhiberiqi, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjakovë.

Ngjashëm me të ka folur edhe drejtori i Muzeut Etnografik të Gjakovës, Besmir Hasi.

“Fillimisht ai (muzeu v.j.) ka qenë nën kompetencë të Komunës e më pas është hapur një ankand për marrjen e një operatori për ta mirëmbajtur punën e Muzeut. Operatori nuk është treguar i përgjegjshëm dhe është larguar, kështu që neve na ka mbetur Muzeu pa ndonjë sigurim fizik të objektit derisa janë hapur procedurat e ankandit tjetër. Kështu, gjatë kësaj kohe objekti veçse ka filluar të thyhet dhe të vandalizohet”, ka shpjeguar Hasi.

Image
Pamja e Muzeut në gushtin e vitit 2016, disa ditë para inaugurimit

Sipas tij, më pas Komuna e ka hapur përsëri ankandin e dytë dhe është zgjedhur një kompani. “Por, siç duket edhe ky operator që tani është duke vepruar atje në Muze nuk është i përgjegjshëm dhe e ka bërë një hapje dhe u ka lënë mundësi qasjeje personave të papërgjegjshëm për të hyrë dhe për ta dëmtuar objektin”, ka thënë Hasi.

Për tërë këtë vandalizëm dhe shkatërrim të objektit të Muzeut të Muzikës, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjakovë kishte bërë dy shkresa.

“Si QRTK ne e kemi një shkresë të datës 17.05.2021 kur kanë filluar edhe shkatërrimet e para të objektit të Muzeut të Muzikës. Është një raport i cili u është shpërndarë të gjitha instancave, përfshirë edhe të vijës komanduese në kuadër të Ministrisë së Kulturës, por edhe institucioneve komunale. Po ashtu, edhe në ditët e fundit, një raport i ngjashëm por i plotësuar me të dhëna shtesë, jo edhe aq të përshtatshme, sepse objekti ka vazhduar të shkatërrohet në mungesë të menaxhimit të mirëfilltë...”, ka bërë të ditur drejtori i QRTK-së, Visar Haxhibeqiri.

Në shkresën e vitit 2021 përshkruhet në detaje gjendja e ndërtesës pas vandalizimit. Për disa nga eksponatet e këtij muzeu ishte kujdesuar Muzeu Etnografik i Gjakovës. Megjithatë, për shkak të vështirësive në bartje, pianoja kishte mbetur në mëshirë të fatit.

“Ne kemi marrë disa eksponate dhe i kemi sjellë në Muzeun Etnografik. Pianoja nuk është hequr, sepse dyert janë më të vogla e edhe kur ka hyrë aty pianoja, ka hyrë me shumë vështirësi. Objekti ka qenë i mbyllur fillimisht, por për shkak të intervenimit është mundësuar hapja e murit të madh. Vandalizimi i saj duhet të ketë ndodhur gjatë festave të fundvitit, sepse ne shkojmë herë pas here dhe e vizitojmë objektin, por për shkak të rinovimeve kjo ka ndodhur më rrallë”, ka treguar drejtori Hasi.

Nga Muzeu i Muzikës në Muzeun Etnografik janë bartur dy kontrabasë, një fagot dhe disa fotografi, të cilat, për shkak të mungesës së hapësirës, janë vendosur brenda një pakoje. Disa nga objektet, siç është sharkia e Ymer Rizës, janë marrë nga familjet e artistëve.

Image
Gjendje më e mirë nuk është as në oborr e as në katin përdhes, ku ishte paraparë të hapej një kafene, pronari i së cilës ishte i obliguar ta mirëmbante edhe Muzeun e Muzikës

Ekipi i KOHËS gjatë ditës së mërkurë, sa ka qëndruar në Gjakovë, ka provuar që të marrë deklaratë nga zyrtarët komunalë. Por është kërkuar që pyetjet t’u përcillen me postë elektronike. Pavarësisht kësaj, deri të mërkurën vonë Komuna nuk ka kthyer përgjigje.

“I takon Komunës së Gjakovës, përkatësisht Drejtorisë së Kulturës dhe organeve të rendit të merren me rastin. Megjithatë, Komuna e ka barrën kryesore që t’i ruajë këto objekte ose këto asete jo vetëm komunale, por edhe kombëtare”, ka thënë ish-drejtori Meriton Ferizi.

I zhgënjyer me krejt atë që ka ndodhur ndër vite është akademik Rauf Dhomi. Ai në vitin 2005 pianon në të cilën ka kompozuar operën e parë në Kosovë, “Goca e Kaçanikut”, ia kishte dhënë shkollës së muzikës “Prenkë Jakova”, që gjendet jo fort larg Muzeut në qytetin perëndimor.

“Drejtori i Shkollës së Muzikës në Gjakovë ma pati kërkuar pianon ku e kisha punuar operën. Më pas e kanë dërguar në Muze për qëndrim të përkohshëm, me sa di unë. Për përdhosjen vetëm kam dëgjuar e nuk di më tepër”, ka thënë akademik Dhomi.

Derisa ka folur për dëmet që i janë bërë pianos, Dhomi ka bërë të ditur se ai ka edhe një piano të ngjashme me atë që është shkatërruar në Muzeun e Muzikës në Gjakovë.

“Është dëmtuar shumë ajo që është atje. I është dëmtuar edhe tastatura. Por një tjetër e njëjtë është edhe në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në të cilën kam punuar në vitet 1992-1994. Po ashtu, edhe si prodhim është i të njëjtit vit. Akademia ka lejuar që t’ia japim Shkollës së Muzikës që ta zëvendësojmë atë që është dëmtuar”, ka thënë ai, duke shtuar se çështja e Muzeut duhet të trajtohet dhe Komuna të bëjë zgjidhje.