Kulturë

Muzeu i Masakrës në Krushë të Madhe – testament i mizorive të Serbisë

Historitë e prekshme brenda mureve të vrazhda të Muzeut flasin zëshëm për atë që ka ngjarë në Krushë të Madhe

Historitë e prekshme brenda mureve të vrazhda të Muzeut flasin zëshëm për atë që ka ngjarë në Krushë të Madhe

Foto: Shaban Maxharraj

Mizori është fjala e përmendur disa herë në inaugurimin e Muzeut të Masakrës në Krushë të Madhe, por ajo jehon fuqishëm që në shpalosjen e parë të artefakteve që shënjojnë tri ditët e tmerrshme kur u vranë 241 civilë në këtë fshat. Që kujtimi për ta të jehojë zëshëm është pritur një çerekshekull, por Muzeu si i tillë vjen me thirrjen “Kurrë nuk do t’i harrojmë!” – siç shkruhet nëpër muret e objektit – si një prej projekteve me më potencial për dokumentimin e luftës së fundit

Janë shtatë forma amebash: tri në pjesën e lartë të fletores e katër më poshtë. “Lëvizja e qelizave”, shkruhet lart me laps të thjeshtë në një prej fletave të bardha. Pak më shumë se një muaj pa i mbushur 17 vjet, Valon Hoti kishte hyrë në botën e qelizave ameboide. Nxënësi i vitit të dytë të shkollës së mjekësisë ëndërronte të bëhej mjek. Aq shumë ishte i dhënë pas librave e punimeve të tij, saqë në ditën e 26 marsit 1999, kur forcat serbe do t’i nxirrnin me dhunë nga shtëpia në Krushë të Madhe të Rahovecit, Hoti do t’i fuste në çantë të shkollës materialet mësimore. Nuk i ra ta bartte gjatë çantën e gjelbër. U qëllua për vdekje. Në atë moment e ëma do t’ia hiqte çantën nga krahët për ta pasur kujtim bashkë me materialet brenda saj. Donte që produktet e pasionit të të birit të ngelnin si kujtimi më i mirë nga ai. Çantës i është zbehur ngjyra pasi kanë kaluar 25 vjet. Mban edhe shenja llaçi, pasi ishte paplasur përtokë në atë ditë me shi. Por kujtimet e familjarëve janë të freskëta. Gjësende si ato të Valon Hotit prej së martës gjenden në Muzeun e Masakrës së Krushës së Madhe. I promovuar si vend i kujtesës, Muzeu – edhe pse në fillet e veta – është prej projekteve më me potencial për dokumentimin e luftës së fundit.  

Të pranishmit në inaugurimin e Muzeut kanë bërë thirrje që të mbijetuarit të mos harrojnë e njëkohësisht të ecin para. Rrëfimet që prekin edhe jetën pas luftës janë në ekrane brenda Muzeut (Foto: Komuna e Rahovecit) 

Zërat e viktimave që s‘heshtën kurrë

Eksponatet e civilëve të vrarë bashkë me rrëfimet prapa tyre në Muze janë të shumta. Ka edhe aso të familjeve që janë shuar krejtësisht. Muzeu i përuruar është një ndërtesë e stilit brutalist, që i shkon për shtat krejt konceptit. Është kuruar nga profesorë të Universitetit të Prishtinës në bashkëpunim me banorët. Investimi i Komunës së Rahovecit, pa dyshim është prej më të vlefshmeve që ka bërë ky institucion në raport me kujtesën për ata që u vranë nga forcat serbe veç pse ishin shqiptarë. Rrëfimi brenda blloqeve të betonit nis me Krushën e Madhe si një fshat i njerëzve punëtorë. Shpaloset një historik i shkurtër i ditëve kur vendbanimi i madh vlonte nga të rinjtë që punonin e studionin edhe pse nën masa aparteidi nga Serbia. Më pas vizitorët futen në ditët e tmerrshme të 25, 26 dhe 27 marsit. Fshati numëron 220 civilë të vrarë. Prej tyre, mbi 100 të djegur në dy krematoriume. Midis tyre janë 7 fëmijë dhe pesë gra. Një shtatzënë. Kur këtij numri i shtohen edhe 21 dëshmorë, Krusha e Madhe llogarit 241 veta të vrarë në luftën e fundit. Dëmet materiale prekin milionat. 
Në hyrje të Muzeut që gjendet ngjitur me varret e të vrarëve dhe hapësirat që ende presin për kthim eshtrash, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se do të vazhdohet të ngrihet zëri për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, në mesin e të cilëve edhe mbi 60 banorë të Krushës së Madhe, të cilët ende janë në mesin e të zhdukurve. Midis tyre edhe profesori universitar e intelektuali, Ukshin Hoti. 
“Muzeu i mizorive është një testament i njërit ndër kapitujt më të errët të historisë sonë nga lufta e fundit. Ky Muze është në funksion të formësimit të kujtesës sonë kolektive, nderimit të viktimave, e mbi të gjitha në funksion të thirrjes sonë të përbashkët për drejtësi, e cila akoma mungon”, ka thënë Osmani. Sipas saj, rëndësia e një Muzeu të tillë është e jashtëzakonshme. “Duke hedhur dritë mbi ngjarjet e errëta të së kaluarës sonë, sigurohemi që zërat e viktimave të mos heshtën kurrë, e të mos harrohen asnjëherë në historinë tonë”, ka thënë ajo. Sipas saj, nuk duhet harruar rruga nëpër të cilën ka kaluar populli i Kosovës dhe duhet mësuar nga e kaluara në funksion të një të ardhmeje më të ndritshme dhe paqes së qëndrueshme. 
“E pikërisht në krye të këtij misioni kanë qenë krushianët. Kur i dëgjojmë zërat e fëmijëve përreth, kur shohim gruan ikonë, të personifikuar në Fahrije Hotin dhe të gjitha gratë e Krushës, kur shohim se si u rilind ky fshat, e shohim që ata (ushtria serbe v.j.) nuk ia dolën në misionin e shfarosjes së popullit shqiptar. Me këtë muze ne po e bëjmë këtë, jo vetëm në përvjetorë, por në secilën ditë. Prej sot ky muze do të jetë në funksion të përditshëm të të gjithë atyre që duan të mësojnë për krimet e llahtarshme të cilat Serbia i kreu kundër qytetarëve të Kosovës, e mbi të gjitha ta njohin të vërtetën”, ka thënë ajo.

Çanta e Valon Hotit, 16-vjeçari i vrarë në Masakrën e Krushës së Madhe 


Trokitje në ndërgjegjen kolektive

Historitë e prekshme brenda mureve të vrazhda të Muzeut flasin zëshëm për atë që ka ngjarë në Krushë të Madhe. Janë rrëfime pak a shumë të ngjashme me masakrat e tjera në Kosovë. 
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smail Latifi, ka thënë se Muzeu është tregues i çmimit të Kosovës për liri. Ka thënë se viktimat u vranë pasi ishin shqiptarë që jetonin në vendin e tyre. 
“Ky muze do të trokasë në ndërgjegjen tonë dhe të atyre që vijnë pas nesh, duke na treguar çmimin e lartë që kemi paguar për lirinë e tokës sonë. Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më masive që u bë nga paramilitarët, policia dhe ushtria e shtetit terrorist të Serbisë. Për fare pak kohë u dogjën 850 shtëpi, u shkatërrua baza materiale e shumë fshatarëve, u asgjësuan monumentet e trashëgimisë kulturore e historike dhe u rrënua gjithçka që lidhej me trashëgiminë tonë kombëtare”, ka thënë Latifi. Sipas tij, toka e Krushës së Madhe dhe e Kosovës është larë shumë herë me gjak, megjithatë populli ka qëndruar dhe i ka ruajtur varret e të parëve. 
“Për të mos harruar mundin e djersen e tyre, ne kemi investuar në rregullimin dhe mirëmbajtën e varreve dhe kemi ngritur edhe Muzeun e Masakrës. Është një nga masakrat më masive që u bë nga ushtria e shtetit terrorist të Serbisë...”, ka thënë ai. 
Në emër të Qeverisë së Kosovës ka folur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Pjesëmarrjen e kishte konfirmuar edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, po ai ka munguar. Ministrja Haxhiu ka thënë se Muzeu shërben për ruajtjen e kujtesës kolektive për gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Ka përmendur edhe rithemelimin e Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Luftës. 
“Së fundmi kemi themeluar Institutin për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, në të cilën do të dokumentohen të gjitha masakrat dhe krimet e tjera që janë kryer në Kosovë”, ka thënë midis të tjerash Haxhiu.

Skicat e dokumentimi i vendeve të masakrës janë po ashtu eksponate në Muze 

Faktet e pakontestueshme

Brenda Muzeut zënë vend edhe rrëfimet e mbi 200 të mbijetuarve të fshatit buzë Drinit të Bardhë. Janë përshkrimet e familjarëve për ditët kur humbën të dashurit e tyre. Secili është më i papërballueshëm se tjetri. Janë mbledhur gjatë viteve 2021 dhe 2022 nga studentë nën mentorimin e profesorëve të Departamentit të Antropologjisë në kuadër të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Pos si videointervista rrëfimet janë botuar në dhjetë vëllime nën titullin “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, projekt i nisur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë pas një vizite që ish-ambasadori Philip Kosnett së bashku me bashkëshorten kishin bërë në Krushë të Madhe. Me mbështetjen edhe të Ministrisë së Kulturës, projekti është realizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Departamenti i Antropologjisë. Vëllimet janë përuruar në BKK, një ditë para inaugurimit të Muzeut, ku  ambasadori aktual i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se më 25 mars 1999, vetëm një ditë pasi NATO-ja filloi fushatën e saj për t’i dhënë fund fushatës së tmerrshme të spastrimit etnik, forcat e Milosheviqit hynë në këtë fshat dhe vranë civilë të pafajshëm. Sipas tij, NATO-ja kishte vepruar pikërisht për shkak të këtyre krimeve të tmerrshme si ky. Ka kujtuar se po atë ditë Sekretarja e atëhershme e Shtetit, Madeleine Albright do të thoshte: “E kemi të pamundshme të negociojmë përderisa Milosheviqi i shton forcat, i sulmon civilët dhe i djeg fshatrat në Kosovë”.
“Kam kuptuar se shumë banorë të Krushës kanë avokuar për këtë muze gjatë 25 vjetëve të fundit. Muzeu është dëshmi fizike e ngjarjeve të tmerrshme që kanë ndodhur këtu dhe do të bëjë të mundshme që të mos harrojmë kurrë këtë mizori. Është vend ku mund të bëhemi bashkë për të nderuar kujtimin dhe trashëgiminë e të vrarëve”, ka thënë ai. Guri themeltar për Muzeun ishte vënë qysh më 28 nëntor të vitit 2020. Është projektuar nga Arbër Zenuni. 
Sipas ambasadorit Hovenier, akti i kujtimit, i muzeve si ky, është komponenti thelbësor i drejtësisë tranzicionale.
“Ky muze do t’u ndihmojë të gjithë vizitorëve të mësojnë atë që ne tashmë e dimë. Faktet historike janë të pakontestueshme. Qëllimi i drejtësisë tranzicionale është llogaridhënia, por jo ndëshkimi kolektiv, e sigurisht jo armiqësia, dhimbja apo grindja e përhershme”, ka thënë ai. Po ashtu ka thënë se edhe pse u ballafaquan me atë tragjedi të tmerrshme, gratë e Krushës jetuan përmes stigmës dhe diskriminimit përderisa përballeshin me zinë e tyre, por ato po ashtu edhe ecën përpara dhe krijuan jetën dhe jetesën për veten e tyre.
“Historia juaj është shëmbëlltyrë e historisë të popullit të Kosovës gjatë 25 vjetëve të shkuar, përderisa u rikthyet nga rrënimi dhe shkatërrimi i plotë për të ndërtuar një shtet demokratik e shumetnik”, ka thënë ai derisa ka përmendur të venë Fahrije Hoti bashkë me gratë e tjera e komunitetin që pësoi nga lufta. 
Thirrje të drejtpërdrejtë ka pasur ambasadori i Gjermanisë, Joern Rohde. “Shumica e atyre që i kanë kryer këto krime janë ende në arrati dhe krejt çka mund të them, është që kjo nuk do të duhej të lejohej”, ka thënë ai. 
“Fjalët nuk mund të shprehin mjaft keqardhje për humbjen e jetëve njerëzore dhe vuajtjet e shumta të familjeve”, ka thënë ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Muzeu i Masakrës në Krushë të Madhe gjendet ngjitur me varret e të vrarëve dhe hapësirat që ende presin për kthim eshtrash

Monument kujtese për paqe e liri

Të pranishmit kanë bërë thirrje që të mbijetuarit të mos harrojnë e njëkohësisht të ecin para. Rrëfimet që prekin edhe jetën pas luftës janë në ekrane brenda Muzeut edhe me titra në anglisht. Aty zë vend edhe historia e Berat Durakut. Qe 16 vjeç në luftë. Do ta fusnin midis të atit, axhallarëve e kushërinjve për ta ekzekutuar. Për një moment do të gënjente se kishte veç 14 vjeç. Pos kësaj, fakti që nuk kishte letërnjoftim i kishte ndihmuar për ta nxjerrë nga radha. I ati i tij bashkë me të tjerët nuk dolën të gjallë nga radha. Berat Duraku tash është drejtor i Bujqësisë në Komunën e Rahovecit. I ishte dashur kohë ta përmblidhte veten për të dhënë rrëfimin e tij. Më pas ishte bërë prej kryesorëve të fshatit që ndihmonte në bindjen e fqinjëve të tij për ta ndarë rrëfimin e tyre. 
“U bëj thirrje bashkëvendëseve të mi që të përshkruajnë tmerrin që kanë përjetuar...”, do të thoshte ai në mars të vitit 2022 për dokumentarin “Kujtesa e Kosovës –  Masakra e Krushës”, që Kohavison e ka përgatitur në kohën kur mblidheshin rrëfimet e kur ndërtohej Muzeu. 

Profesori universitar i antropologjisë, Arsim Canolli, së bashku me kolegët Shemsi Krasniqi e Tahir Latifi kanë mentoruar projektin. Kanë qenë shpesh në Krushë të Madhe për të bindur banorët që të flasin. Refuzimet vinin me arsyetimin se nuk duan të kujtojnë ditët e tmerrit.
Të martën Canolli ka thënë se Muzeu është ftesë për të gjithë krushjanët e tjerë që kanë përjetuar masakrën e luftën, që, në një fazë të dytë të dokumentojnë përjetimin e tyre, që të japin rrëfimet e tyre, që të dhurojnë artefakte e fotografi, për të monumentalizuar kujtesën e trishtë të mbijetesës së tyre nga terrori i forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999. 
“Që t’ua lënë dëshminë pasardhësve, që t’i edukojmë brezat e ardhshëm për peshën e jetës, lirisë, humbjes, dhimbjes dhe dinjitetit njerëzor. Që ajo që ka ndodhur këtu, të mos përsëritet kurrë, as këtu, as askund në botë”, ka thënë ai. Ka kujtuar disa prej rrëfimeve. 
“Në Muzeun e Masakrës së Krushës së Madhe janë edhe disa gjëra personale të Jeton Durakut, që njihej nga shokët e tij si ‘ai që punon më së miri shtagat e lojës’. Një mori veshjesh të familjarëve janë vendosur për të rrëfyer për pasionin, dashurinë për jetën e artin e atyre që u masakruan...”, ka thënë Canolli. 
Sipas tij, kjo ekspozitë është edhe ftesë për të gjithë Kosovën, që dhimbjen e saj ta shndërrojë në monument kujtese për të kultivuar paqen e lirinë. 
“Shpresoj që ky Muze i Masakrës, që ka nisur nga krushjanët dhe është bërë me kujtesën e tyre, të bëhet i vetëqëndrueshëm dhe të marrë seriozitetin e duhur në të ardhmen”, ka thënë Canolli, që bashkë me kolegët për katër vjet kanë punuar vullnetarisht për projektin. 
Gjatë ceremonisë së inaugurimit janë lexuar emrat e 241 të vrarëve. Emrat e tyre janë thirrur fort nga nxënësit e shkollës që mban emrin e Ukshin Hotit. Thirrjet duhet të vazhdojnë që Muzeu të jetë institucion më vete e me staf të përhershëm. Nëpërmjet një vendimi të Kuvendit të Komunës së Rahovecit pritet që Muzeu të bëhet zyrtarisht i tillë. Në praktikë me fakte është bërë. Tashmë është adresë e kujtimit të atyre që s’janë. E atyre që brenda Muzeut “jetojnë” për t’i folur historisë. Asaj pjese kur flitet për synime gjenocidale.