Kulturë

Muzeu i Gjenocidit “i themeluar” ndër vite, tash me letra

Mbledhja e Qeverise

Foto: Driton Paçarada

Miratimi i propozimit për themelimin e “Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri”, ka qenë njëra prej pikave kryesore të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të mërkurën por edhe vetë vendimi për themelim – sikurse disa nisma të njëjta në dhjetëvjeçarin e fundit – është kontradiktor. Tash është miratuar propozimi për themelimin e muzeut, ai do të jetë fillimisht njësi e Muzeut Kombëtar të Kosovës, për themelim muzesh nuk ka ligj e një muze si ky qe “themeluar” edhe nga qeveritë e mëparshme. Tash, ky muze sipas autoriteteve e ka edhe objektin. Ministria e Kulturës do të zhvendoset prej aty ku është, për t’ia lënë vendin institucionit ende të pathemeluar as me letra

Historia e një muzeu potencial të gjenocidit në Kosovë është një lojë e vjetër fjalësh e letrash. Me emra e ide të ndryshme një muze i gjenocidit të forcave serbe në Kosovë ka hyrë disa herë në rend dite të institucioneve e janë marrë edhe vendime. 

Tash i fundit është ai i së mërkurës në mbledhjen e 238-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës. 
“Miratohet propozimi i Grupit Punues, i emëruar me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.14/14 të datës 7 qershor 2023, për themelimin e Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri”, shkruhet në pikën e parë të vendimit. Me këtë, sipas Qeverisë i është hapur rruga themelimit të muzeut. Por siç rëndom planifikon Ministria e Kulturës, situata është kësisoj: Aktualisht s’ka ligj për muze dhe për pasojë s’mund të ketë as institucion, por fillimisht do të jetë njësi e Muzeut Kombëtar e më pas do të zhvillohet një koncept, do të bëhet një tender për hapësirën e një varg procesesh të tjera. Krejt kjo bën që ky institucion, të paktën aktualisht të mos shihet as në horizont.

Herë muze e herë njësi brenda Muzeut Kombëtar

Vetë vendimi i Qeverisë herë ka muze e herë njësi brenda Muzeut Kombëtar të Kosovës. Sipas vendimit, muzeu do të bëjë dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë. Ky vendim e obligon Ministrinë e Kulturës që ta bëjë “themelimin e muzeut, fillimisht si njësi të veçantë në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës, si institucion i kulturës në bazë të legjislacionit të aplikueshëm deri në aprovimin e Ligjit për Muzetë, si institucion i pavarur muzeal i nivelit kombëtar”. MKRS-ja po ashtu është obliguar që të zhvillojë procedurat përkatëse për vendosjen e institucionit të Muzeut në ndërtesën ku gjendet vetë aktualisht. 

MKRS-ja po ashtu obligohet që të bëjë “hartimin e detyrës projektuese për konceptin muzeor dhe kuratorial si dhe për konceptin arkitektonik dhe hapësinor të ndërtesës së muzeut”. E krejt në fund MKRS-ja nëpërmjet vendimit merr përsipër edhe zhvillimin e procedurave për zbatimin e projektit për konceptin muzeor dhe kuratorial, arkitektonik dhe hapësinor të muzeut. 

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se tashmë janë “bërë më shumë se një çerek shekulli nga përfundimi i luftës në Kosovë, por ende janë të njoma e të hapura plagë të shumta dhe ende është e rëndë dhimbja e pikëllimi nga vrasjet, masakrat dhe krimet e forcave policore dhe ushtarake të Serbisë, të urdhëruara e të kryera nga shteti i Serbisë mbi shqiptarët e Kosovës në kuadër të projektit të tyre gjenocidal për shfarosjen e popullit tonë”. 

“E në këtë çerekshekull liri, një brez i tërë janë lindur dhe pas luftës janë rritur. Gjeneratat e reja, duhet të kenë mundësinë e njohjes së të kaluarës sonë, të dëshirës për të jetuar në liri dhe të dashurisë së pareshtur për Kosovën, në kohërat më të vështira e në kushtet më të rrezikshme”, ka thënë ai. Sipas tij, të gjitha provat dhe dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës nga shteti i Serbisë në Kosovë, të mbledhura nga organizata dhe gjykata ndërkombëtare, nga hulumtues të botës akademike apo të pavarur, bashkë me prova dhe dëshmi të pambledhura deri më tani, tash po grumbullohen dhe po vazhdojnë të sillen në  institucionet e Republikës së Kosovës, për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e kujtesës kolektive duke i sistematizuar dhe kategorizuar ato.

“E pas themelimit të grupit punues për hartimin e konceptit të Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri, sot në mbledhje të Qeverisë kemi vendimin për themelimin e këtij institucioni muzeal. Vendi ynë do të ketë një muze të dinjitetshëm ku do të tregohen krimet e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj popullit tonë”, ka thënë ai.

Çeku: “Ndoshta institucioni muzeal më i rëndësishëm”

E ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se objektivi kryesor është krijimi i një institucioni publik përkujtues dhe prezantues i historive dhe përvojave nën pushtimin e Serbisë dhe të ish-Jugosllavisë. 

“Muzeu synon edhe edukimin, përkujtimin dhe nderimin e brezave, prezantimin e përjetimit të të mbijetuarve që historitë e tyre të mos harrohen, synon paqen e qëndrueshme, duke u siguruara që e kaluara e dhunshme të jetë e dëshmuar, të kujtohet dhe të mos përsëritet”, ka thënë ai. Ka sqaruar se ka një mal procedurash për të pasur një muze të tillë. 

Pas mbledhjes së Qeverisë, ministri Çeku në një konferencë për medie ka thënë se Ministria e Kulturës nga sot me këtë autorizim nga Qeveria do të nisë të gjitha proceset përkatëse si për hartimin e konceptit muzeor dhe kuratorial si dhe për projektin arkitektonik dhe hapësinor të ndërtesës së muzeut. 

“Për këtë qëllim, pra për hartimin e projektit, ne tashmë kemi siguruar edhe buxhetin e nevojshëm”, ka thënë ai. 

Por, në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin që vjen, nuk figuron askund Muzeu i Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri. Aty figuron një linjë buxhetore e titulluar “Muze i Luftës në Prishtinë” me 250 mijë euro të bartura nga viti 2024. 

Ministri Çeku ka treguar se fillimisht si hap i parë do të bëhet hartimi i detyrës projektuese që i paraprin shpalljes së konkursit ndërkombëtar për hartimin e projektit. 

“Pra, ndërtesa ekziston, bëhet detyra projektuese dhe shpallet konkursi për projekt. Në momentin që e kemi studion e arkitekturës që kontraktohet, fillon periudha e hartimit të projektit që nuk është vetëm arkitektonikë por e ka edhe komponentin e konceptit muzeal dhe kuratorial. Në fund del edhe kostoja për realizimin e saj që pastaj e inicion procedurën e realizimit”, ka thënë ministri Çeku. Sipas tij, shteti aktualisht ka komunikim edhe me disa shtete që kanë përvojë të dalluar në çështjen e muzealizimit dhe prezantimit të së kaluarës atrocitare dhe beson që në këtë kuptim do të kenë edhe bashkëpunim ndërkombëtar për të siguruar ekspertizën e nevojshme. Sikurse çdo nismë tjetër të tij – deri tash asnjë të përfunduar – edhe këtë e ka përshkruar si “ndoshta institucionin muzeal më të rëndësishëm të vendit tonë”. Ka thënë se ka pasur pesë opsione për lokacion, por është vendosur për Prishtinë dhe për ndërtesën e MKRS-së. Më pas ka thënë se janë disa muze të vegjël në gjithë Kosovën që dokumentojnë krimet e Serbisë nga e kaluara dhe besojnë që mënyra më e mirë është që të gjitha këto të bëhen pjesë e këtij institucioni të ri muzeal të Kosovës. 
“Pavijonet qendrore janë këtu në Prishtinë, te sheshi, te ndërtesa ku është sot MKRS-ja ndërsa për një përvojë të plotë dhe një histori të plotë të ngjarjeve të paktën të shekullit të kaluar, kjo është kohështrirja e këtij muzeu, shumë dokumentime, ngjarje mund të shihen edhe nëpër muzetë që janë në gjithë Kosovën”, ka thënë ai.

Vendimi i Qeverisë

Rashiq kundër emërtimit të muzeut

Por i shpejtë ka qenë reagimi i ministrit për Komunitet dhe Kthim, Nenad Rashiq i cili nuk ka votuar pro propozimit. Njëjtë kishte vepruar edhe në qershor të vitit 2023 kur qe themeluar Grupi Punues për hartimin e konceptit për themelimin e muzeut për dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Ministri Rashiq të mërkurën ka thënë se nuk ka votuar pro pasi konsideron se çdo krim ka emër dhe mbiemër dhe nuk duhet të gjeneralizohen krimet sikur në këtë pikë. 

“Do të thotë, emri i muzeut nuk është adekuat, ‘Gjenocidi i Serbisë dhe i Jugosllavisë’”, ka thënë ai. Ka shtuar se është kundër që shteti i tërë serb të konsiderohet gjenocidal, përderisa ka pasur disa propozime për emrin e institucionit. 

“Për shembull ‘Gjenocid lufte’, ‘gjenocid nga kriminelët e luftës’, ‘gjenocide të grupeve paramilitare’, ‘krime lufte’ ose ndonjë shprehje tjetër që unë ndoshta nuk mund ta gjej për shkak të gjuhës, por jo të përdoret shteti i tërë sikur të jetë gjenocidal”, ka thënë Rashiq.

E ministri Çeku për këtë rast ka thënë se kanë diskutuar edhe më herët por asnjëherë nuk e harrojnë faktin që edhe ish-Jugosllavia edhe Serbia synim kryesor e kanë pasur shfarosjen e popullit shqiptar. 

“Mirëpo në atë ndërmarrje atrocitare dhe gjenocidale kanë pësuar edhe të tjerët, pra populli i Kosovës në përgjithësi dhe kjo tashmë është reflektuar edhe në konceptin e muzeut por edhe në vendimin që është marrë sot në Qeveri”, ka thënë Çeku.

Njësi e re në muzeun e mbyllur

Muzeu Kombëtar i Kosovës që sipas vendimit të Qeverisë do ta ketë Muzeun e Gjenocidit si njësi, aktualisht është jofunksional në raport me publikun. Prej shtatorit të paktën për një vit ky institucion është i mbyllur për shkak të restaurimit të përgjithshëm me kosto 3 milionë euro. Pos kësaj paralelisht është duke u bërë trajtimi i krejt koleksionit muzeor e edhe regjistrimi i krejt eksponateve. Se kur do t’ia nisë themelimit të njësisë që e obligon Qeveria e Kosovës, mbetet të shihet. 

Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu, ka thënë të mërkurën për KOHËN se aktualisht institucioni është në fazë të restaurimit dhe duke bërë trajtimin e eksponateve. 

“Muzeu është po ashtu duke punuar në sistematizimn e vendeve të punës edhe duke u marrë me ‘Burgun e idealit’”, ka thënë Aliu, e cila ishte pjesë e grupit punues për Muzeun e Gjenocidit. Detyrën e drejtoreshës së Muzeut e ka marrë këtë muaj, pas gati dy vjetësh si zëvendësuese në këtë pozitë. 

Sipas saj, pos këtyre obligimeve, institucioni do të punojë edhe në obligimet që kanë marrë nga Qeveria për Muzeun e Gjenocidit. 

“Për Muzeun kjo është sfidë pozitive dhe muzetë e reja dhe Muzeu i Kosovës do të ndihmojnë njëra-tjetrën”, ka thënë ajo. Sipas Aliut vendimi i Qeverisë ka vlerë të madhe në dokumentimin e së kaluarës dhe për themelimin e një institucioni të ri e shumë të nevojshëm. 

Si nismë të nevojshme për  muzealizimin e së kaluarës e ka parë vendimin e Qeverisë edhe Sali Shoshi i cili drejton fondacionin “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” –  (CHwB Kosova). Ka thënë se nuk është në dijeni për detajet por në parim tregimi për luftën do të duhej të ketë një qasje strategjike për faktin se është kompleks. 

“Lufta është zhvilluar në një gjeografi të madhe, në krejt vendin. Secili vend i ka veçantitë e veta dhe do të duhej kurim bazuar në këto karakteristika. Secili vend duhet të ketë peshën e vet e koncepti për muzeun të mos jetë i koncentruar në një ndërtesë por në gjithë territorin ashtu sikurse dëshmitë për luftën”, ka thënë ai. Sipas Shoshit, nëse kjo do të ishte ideja do të ishte shumë i lumtur. 

“Por nuk e di se si është ideja, si është diskutuar dhe a ka një konsensus për të. Mendoj se Kosova do të duhej të ishte muze i hapur dhe secili vend të ketë storien e tij. Storia nuk duhet të jetë përreth mureve të një ndërtese.  Duhet një kurim të tërë Kosovës në mënyrë të integruar”, ka thënë ai. Sipas Shoshit, ky diskutim nuk është shtrirë në nivel kombëtar dhe pjesë e këtij debati do të duhej të ishin viktimat e mbijetuara, ekspertë ndërkombëtarë e shumë palë të tjera.

Nismat ndër vite për kujtesën mbi gjenocidin

Historia me dokumentimin e gjenocidit në Kosovë është një diskutim i vjetër. Tentimet për muze të eksodit, të luftës e të paqes datojnë këtu e një dekadë para. Më vonë disa qenë shndërruar dhe në dokumente zyrtare. Në shkurt të vitit 2019, Qeveria e Kosovës, që asokohe udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, kishte marrë vendim për ndërtimin e qendrës përkujtimore për gjenocidin mbi shqiptarët ”Bllacë 1999”. Një muaj më pas ishin ndarë 100 mijë euro për këtë projekt. Kurse më 10 prill të atij viti ishte inauguruar “Muri i Kujtimit” afër kufirit me Maqedoninë e Veriut në Han të Elezit. Aty prej asaj kohe qëndrojnë edhe disa vagonë treni me mbishkrimin “Bllaca 1999”. Planet ishin që me vizita studimore në Izrael të vihet deri te një model i një muzeu përkujtimor për gjenocidin. Po atë vit në maj, kryetari i asokohshëm i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kishte dalë me një propozim tjetër. 
Paraditja e 14 majit të këtij viti, Veselin, ish-ministrin e Kulturës, Kujtim Gashi, ish-drejtorin ekzekutiv të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj, dhe ish-kryesuesin i Bordit të kësaj Agjencie, Bajram Zejnullahu, i kishte gjetur në hapësirat e ish-Tjegullores në Prishtinë.

Asokohe, kur Veseli ishte në kulmin e një lufte deklarative për krimet e Serbisë në Kosovë, katërshja kishte shëtitur nja 15 minuta nëpër hapësira. Më pas vetëm Veseli kishte folur për media. Kishte thënë se Ministria e Kulturës do të kujdeset po atë vit të ndahej buxhet për shndërrimin e kësaj hapësire në atë që e kishte quajtur Muzeu për gjenocidin e luftës së fundit në Kosovë dhe të nisnin procedurat e shpronësimit. Madje kjo çështje kishte hyrë edhe në rend dite në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës si pjesë e një pakoje ku parashihej një tribunal për krimet e Serbisë dhe iniciativa të tjera. Por nuk kishte kaluar me arsyetimin për disa plotësime shtesë. “Për vitin 2020 parashihet ta kemi buxhetin dhe të nisë puna”, kishte thënë në shtator të atij viti asokohe ministri në detyrë i Kulturës, Kujtim Gashi. Punime s’kishte fare. E si do të ecë nisma e re, mbetet të shihet.