Pikturën e veshur me jo pak mite e legjenda, të keqpërdorur jo rrallë nga nacionalizmi serb njashtu sikurse Beteja e Kosovës së cilës i dedikohet, Muzeu i Beogradit do ta nxjerrë prej ambienteve të veta për ta shënuar Vidovdanin. “Vajza kosovare” e Urosh Prediqit konsiderohet si njëra prej veprave ikonike të historisë serbe, por në shumicën prej interpretimeve asaj i mohohet shqiponja dykrenore që shihet qartazi aty. E, ajo ia ndryshon narracionin e historiografisë zyrtare serbe për Betejën e Kosovës të vitit 1389, të cilën serbët e festojnë si festë kombëtare e fetare edhe me pelegrinazhe në Kosovë
Muzeu i Beogradit do ta nxjerrë para publikut pikturën “Vajza kosovare”, e shndërruar për serbët në ikonë të Betejës së Kosovës të vitit 1389 dhe këtë do ta bëjë të mërkurën e Vidovdanit, festës kombëtare e fetare serbe, e veshur me jo pak mite për “Shën Lazarin dhe dëshmorët e shenjtë të Serbisë në luftë me Perandorinë Osmane”.
“Në Konakun e princeshës Lubica, vizitorët do të mund ta shohin pikturën më të njohur të historisë serbe, të famshmen ‘Vajza kosovare’, vepër e Urosh Prediqit. Piktura ikonike, një vepër e njohur për të gjithë ruhet në Muzeun e Qytetit në Beograd dhe është simbol i popullit serb”, shkruhet në njoftim. Konaku i princeshës Lubica në Beograd mbrohet si monument i trashëgimisë kulturore. Uroš Prediq (1857–1953), me prejardhje nga Orlovati afër Zrenjaninit në Vojvodinë, i shkolluar në Akademinë e Arteve në Vjenë, u shqua për portrete, vepra me tematikë historike, aso nga jeta e përditshme, si dhe me pikturë kishtare.
Siç shkruan gazeta “Blic” e Beogradit, pikturën “Vajza kosovare” e porositi Rrethi i Motrave Serbe, një organizatë grash e themeluar më 1903 në Beograd e që merrej me punë vullnetare. Anëtarët e shoqatës qenë shumë aktive gjatë luftërave ballkanike, si dhe gjatë Luftës së Parë Botërore si motra mjekësore vullnetare, të cilat u ofronin ndihmë luftëtarëve të plagosur. Piktura u realizua në bazë të vizatimit të vitit 1914, e inspirimin, Urosh Prediq e gjeti te kënga popullore “Vajza kosovare”, të cilën e konsideronte si njërën prej këngëve më të bukura në historinë e letërsisë serbe.
“Prediq e realizoi një imazh të idealizuar të heroinës serbe, vajzës kosovare, e cila ia lidh plagët Pavle Orloviqit të plagosur. Portretizohet si nusja e Milan Toplicës, gruaja e të cilit do të duhej të bëhej pasi ai të kthehej nga beteja. Por meqë heroi e humbi jetën në betejë, vajza kosovare u shndërrua në të fejuar të pikëlluar e cila pas betejës tek endet në fushëbetejë në kërkim të të fejuarit, ua lidh plagët e ushqen të mbijetuarit”, është përshkrimi që ia bën historiografia serbe.
Gazeta “Blic” shkruan se meqë vepra u realizua gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo mund të zbërthehet si skenë universale e vdekjeve në kohë lufte e vajza kosovare si motra e parë mjekësore. “Në këtë mënyrë Prediq ka pikturuar një tragjedi mbarënjerëzore që përcjell krejt betejat e luftës, e me portretet e vajzës kosovare dhe të Pavle Orloviqit ka paraqitur popullin serb dhe vuajtjet e tij gjatë luftës”, shkruan “Blic”.
Fill pasi u realizua, piktura u bë e famshme dhe u shtyp në kartolina të ndryshme që u shitën për çështje humanitare. U ble prej ndërmarrjes librare “Polet“ më 1940 dhe prej atij viti ruhet në Muzeun e Qytetit në Beograd.
Ka jo pak mite për pikturën, njashtu sikurse edhe për Betejën e Kosovës. Historiografia serbe jo rrallë nëpërmjet saj i ka fryrë nacionalizmit e viktimizimit serb. E për pikturën, prej qasjes serbe një gjë nuk pranohet: flamuri shqiptar që shihet aty. Për të, në vitin 2016 kishte shkruar arkitekti i studiuesi Arbër Sadiki në “Shtojcën për kulturë” të “Kohës Ditore”. “Pasqyrimi i betejave të rëndësishme historike gjatë gjithë historisë njerëzore nëpër tablo arti nuk është diçka e pazakontë. Përkundrazi, pothuajse secila nga këto ngjarje, përmes penelit të piktorëve, shpeshherë është bërë mjeti kryesor për të shenjëzuar ngjarje të tilla në mendjen e njerëzve më thellë se me cilindo mjet tjetër si poezi, këngë a prozë”, kishte shkruar Sadiki në artikullin “Shqiponja dykrenore te ‘Vajza kosovare’”. Sipas arkitektit, tabloja “Vajza kosovare” (“Kosovska devojka”) e vitit 1919 e realizuar nga autori serb Urosh Prediq (1856-1953) kishte të njëjtin qëllim lidhur me Betejën e Kosovës të vitit 1389 në mes forcave të Aleancës së ushtrive ballkanike të udhëhequr nga princi serb Lazar në njërën anë dhe forcave osmane të udhëhequra nga Sulltan Murati I, në anën tjetër. Sipas tij, “me vite ka shoqëruar tekste të shumta historike lidhur me këtë ngjarje”. “Bile kjo tablo qoftë si dublim, qoftë në formë të goblenit (tapicerisë) jo rrallë ka qenë pjesë e dekorimeve të shtëpive të shqiptarëve të Kosovës deri në vitin 1989”, kishte shkruar Sadiki për të shënuar një tjetër fakt.
“Pikërisht më 15 qershor 1989 me rastin e organizimit të festimit të 600-vjetorit të kësaj beteje, udhëheqësi serb, Slobodan Milosheviq, e keqpërdori këtë betejë për qëllime ditore të ndërtimit të një politike panserbe, e cila më vonë rezultoi me luftëra të përgjakshme, me pasojë qindra mijëra viktima në mbarë territorin e ish-Jugosllavisë”, kishte shkruar Sadiki, duke shtuar se ky lloj keqpërdorimi vazhdon ende edhe sot. Para se të dalë te një element kryesor, Sadiki kishte shkruar se tabloja klasifikohet si realizëm akademik, ashtu si dhe i gjithë opusi i piktorit Prediq, i cili në fakt paraqet njërin nga autorët më të rëndësishëm të realizmit akademik serb. Një element i rëndësishëm i realizmit akademik nuk mund t’i ikte pa vëmendje as mjeshtrit Urosh Prediq. I pari, sipas Sadikit, është mjeshtëria e tij për t’i ikur paraqitjes së imazheve direkte gjatë konfrontimit të forcave pjesëmarrëse në një betejë – “e cila në fakt përfundoi me thyerjen e forcave të aleatëve ballkanikë nga ana e osmanlinjve dhe rënien e tyre nën sundimin e Portës së Lartë – por paraqitja e një fragmenti pozitiv të kësaj beteje, ai i ushtarit të plagosur që po ndihmohej nga një vajzë kosovare, e që në fakt simbolizon solidaritetin ballkanik kundrejt një rreziku të jashtëm, siç ishte ai otoman”. Elementi i dytë, sipas tij, “ndoshta më i rëndësishmi, është se në kuptimin e përdorimit të simboleve dhe stemave në drejtim të komunikimit faktik të ngjarjes historike ai përdor vetëm një simbol të vendosur mbi mbrojtësen e ushtarit të plagosur”. “Dhe ai simbol është shqiponja dykrenore në sfond të kuq”, kishte përfunduar Sadiki në tekstin e botuar më 16 korrik të vitit 2016.