Kulturë

Muzeu i Artit Mesjetar prezanton 13 ikonat e restauruara

Ekspozita e hapur në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë ekspozon 13 ikona, të cilat i prezantohen publikut për herë të parë pas restaurimit të cilit i janë nënshkruar.

Ekspozita “Piktura bizantine në Shqipëri” është një ekspozitë e përkohshme. Një prej veprave të ekspozuara është “Ngritja në qiell”, pikturuar nga atelieja e vëllezërve Zografi, nga Korça, për manastirin e Shën Pjetrit dhe Pavlit në Vithkuq, Korçë. Sipas njoftimit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, kjo skenë është e pasur me simbole, të cilat janë përshkruar në Ungjijtë e Lukës dhe Markut. Tipar dallues i veprave ikonografike të K. dhe A. Zografi janë skenat e tyre masive dhe dinamike. Mali i ullinjve në të cilin ndodh ngjarja, paraqitet me bimësi të pasur dhe të harlisur. Paraqitja e pemëve të ullirit përbënte një element ikonografik themelor, duke e vënë në dukje këtë simbol të paqes, e cila shënon shpresë për një jetë të re.

“Një tjetër ikonë me rëndësi është ajo e Shën e Dielës, ikonë që origjinën e ka nga Kisha e Ristozit në Mborje të Korçës. Ikona e Shën e Dielës daton që nga shekulli XIV. Në të paraqitet Shën e Diela, një martire e madhe që nderohet nga Kisha Ortodokse dhe ajo Katolike. U martirizua në kohën e perandorit Diokletian në Kalkedona”, ka njoftuar Muzeu.

Ajo e mori këtë emër nga prindërit e saj pasi lindi ditën e diel. Portreti dhe pjesët e tjera janë pikturuar me konture të theksuara e me ngjyrë të errët, me okër dhe pa shumë tonalitete.

“Kontrasti është i fortë, pothuaj grafik. Stili i pikturimit është i ngjashëm me atë të muraleve në kishat heremite të Prespës dhe muralet e kishës të Ristozit në Mborje”, thuhet në përshkrim.

Tjetër ikonë të cilën MKAM e veçon përmes postimeve në rrjetet sociale, është ajo e “Kryqëzimit të Krishtit” nga Kisha e Ungjillëzimit në Berat. Kjo ikonë është realizuar përmes teknikës temper mbi panel.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë u përurua më 24 prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë. Fondi i tij ka objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shekullit XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të Shqipërisë.