Tetë ministra të kulturës janë marrë me projektin e muzeut të artit bashkëkohor që prej vitit 2007. Dikur kishte edhe një projekt e lokacion. Ministri aktual i Kulturës, Hajrulla Çeku, është i nënti që merret po me këtë projekt dhe të martën ka nënshkruar vendimin për “emërimin e këshillit Iniciues për konceptimin, themelimin dhe funksionalizimin e muzeut të artit bashkëkohor si institucion kombëtar i kulturës”
Ministria e Kulturës i është kthyer një synimi i cili ka një kapitull 15-vjeçar dështimesh: muzeut të artit bashkëkohor. Përderisa në vitin 2007 ishte paguar një projekt për ndërtesën e institucionit që pritej të themelohej, tash MKRS-ja do t’ia nisë nga e para.
Të martën ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka emëruar anëtarët e këshillit iniciues për muzeun e artit bashkëkohor. Qëllimi është që këshilli ta bëjë konceptimin, themelimin dhe funksionalizimin e këtij institucioni potencial të nivelit qendror.
Pas dështimeve për një dekadë e gjysmë, përbërja e këshillit – me Yll Rugovën si kryesues e anëtarët Petrit Halilajn, Flaka Halitin, Sislej Xhafën, Erëmirë Krasniqin, Zake Prelvukajn, Nita Hoxha-Salihun, Valdete Pacollin e Fisnik Abazin – do të punojë që ta çojë procesin përpara.
Këshilli iniciues, sipas vendimit të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, është mandatar “të kryejë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë për konceptimin, themelimin dhe funksionalizimin e institucionit të muzeut të artit bashkëkohor...”. Janë gjithsej shtatë detyra me të cilat është ngarkuar këshilli.
Duhet të bëjë hartimin e planit të punës, organizmit dhe takimeve të anëtarëve të këshillit. Më pas, konceptin programor e artistik të muzeut. Do të marrë veprime formale për themelimin e institucionit, hartimin e drafteve të aktit të themelimit, statutit, rregulloreve të brendshme dhe vendime të tjera. Ky organ do ta bëjë planin për ngritjen e strukturave të përhershme të institucionit, përfshirë zhvillimin e organogramit, përzgjedhjen e trupave drejtues dhe menaxhmentit.
“Trajtimin e çështjes së ndërtesës së MAB-it, përfshirë përgatitjen e konceptit ndërtimor, arkitektonik dhe hapësinor”, shkruhet në vendim. Përbërja e këtij këshilli, sipas vendimit, po ashtu do ta bëjë vendosjen e kornizave për ndërtimin dhe pasurimin e koleksionit e po ashtu, mund të kryejë edhe detyra të tjera sipas nevojës dhe kërkesës së ministrit të Kulturës.
Anëtarët e Këshillit do të paguhen nga 150 euro për mbledhje, kurse kryesuesi 200 euro. Kanë të drejtë të mbajnë deri në 4 mbledhje në muaj. Nëse mbahen katër mbledhje, i bie që vetëm për këshillin të paguhen 5 mijë e 600 euro në muaj.

Rugova: 2022-a, viti i artit bashkëkohor
Kryesuesi i Këshillit iniciues, Yll Rugova, ka thënë se viti 2022 është i veçantë për artin bashkëkohor të Kosovës për shkak se shteti është nikoqir i ngjarjes evropiane “Manifesta”. Sipas tij, për herë të parë sytë e institucioneve kryesore ndërkombëtare të artit bashkëkohor janë të kthyera kah Kosova.
“Është momentum që duhet kapur për atin pamor. Në këtë shteg, muzeu i artit bashkëkohor është hap me rëndësi që po jetësohet pikërisht këtë vit. Ndoshta kjo nuk është krejt rastësi. Është dëshmi se iniciativat e idetë që janë nisur tash e sa dekada më parë kanë nisur gradualisht të zënë vendin e tyre. Pa dyshim, viti 2022 është vit i artit pamor për Kosovën”, ka thënë ai. Sa i përket afatit se kur mund të kryejë Këshilli detyrat që ka marrë, Rugova ka thënë se duke qenë se ende nuk është mbajtur takimi i parë i këshillit iniciues, është herë të flitet për afate të sakta.
“Projekti parasheh themelimin faktik e ligjor të institucionit, pastaj zgjidhjen e çështjes së koleksionit të veprave, e në fund edhe zgjidhjen e çështjes së ndërtesës. Pra është proces me sfidat e veta. Sipas dinamikës së paraparë të takimeve, themelimi do të duhej të ndodhte shumë shpejtë”, ka thënë ai. Ka përmendur se Kosova ka shumë mungesë të institucioneve të mëdha kulturore, që janë sipas parametrave bashkëkohorë, e që janë tërheqëse për publikun, si vendor ashtu edhe atë ndërkombëtar.
“Muzeu i Artit Bashkëkohor patjetër duhet të jetë i tillë, pra i hapur për publikun e gjerë. Duhet synuar një institucion kulturor të nivelit botëror. Ndërtesa duhet të reflektojë këtë nivel. Një nga pikat që do të zgjidhet nga KI është edhe çështja e ndërtesës së muzeut. Besoj shumë se brenda pak ditësh do të bëhet thirrja e takimit të parë nga ministri Çeku. Pastaj do të vazhdohet me takimet e rregullta”, ka thënë ai. Duke pasur parasysh se muzeu është projekt i gjerë, ka thënë se kërkon angazhimin e profesionistëve dhe komunitetit kulturor përtej emrave që janë vetëm në këshill.
“Angazhim që më parë ka funksionuar me shumë sukses për të sjellë ‘Manifestën’ në Kosovë. Kosova ka shumë emra të rëndësishëm artistësh, e profesionistësh që janë të dëshmuar brenda dhe jashtë Kosovës. Dhe secili prej tyre do të jetë i domosdoshëm për ta jetësuar këtë projekt”, ka thënë Rugova, i cili ka qenë një prej akterëve kryesorë për sjelljen e “Manifestas” në Prishtinë, që u zyrtarizua në majin e vitit 2019.
Sipas vendimit, Këshilli në konsultim me ministrin e Kulturës do të krijojë grupin punues konsultativ të përbërë nga profesionistë vendorë dhe të jashtëm të cilët do të ofrojnë këshilla profesionale për fushat që janë në përgjegjësi të këshillit iniciues.
Sa i përket lokacionit se ku mendohet të jetë muzeu i artit bashkëkohor, nuk dihet ende. Në janar të këtij viti në një intervistë për emisionin “Desku” në KTV, ministri i Kulturës Hajrulla Çeku kishte përmendur si hapësirë potenciale për këtë muze ambientet e ish-Tulltores në Prishtinë.
“Muzeu i artit bashkëkohor sipas të gjitha gjasave, do të jetë te Tulltorja dhe këtë proces po e trajtojmë në kuadër të ‘Manifestas’. Një funksion i kësaj bienaleje do të jetë lokacioni për këtë muze”, kishte thënë ai.
Projekti – shembull i dështimeve kapitale
Muzeu i artit bashkëkohor është një nga projektet e Ministrisë së Kulturës që qëndron në sirtar për një kohë të gjatë. Krahas kësaj, janë bërë 15 vjet prej kur institucioni më i lartë kulturor në vend çdo vit ndan buxhet duke e renditur këtë si projekt kapital. Janë të paktën tri hapësira që janë përmendur për ta ndërtuar muzeun e artit bashkëkohor, por asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret.
Në vitin 2007, Ministria e Kulturës kishte paguar 20 mijë euro për projektimin e ndërtesës, që ishte bërë nga arkitekti Bujar Demjaha. Konkretizimi i tij qe llogaritur të kushtonte mbi 5 milionë euro.
Por prejse është projektuar, punët rreth këtij projekti nuk kanë shkuar mirë. Sa i përket lokacionit Ministria e Komuna e Prishtinës prej vitit 2011 akuzojnë njëra-tjetrën.
Fillimisht UP-ja kishte ndarë lokacionin për ndërtimin e muzeut në trekëndëshin midis Galerisë Kombëtare të Arteve, kishës ortodokse dhe Bibliotekës Kombëtare, por e njëjta hapësirë kishte dalë të jetë më e volitshme për ndërtimin e Fakultetit të Edukimit, që është ngritur në gjashtë kate.
Më 2011, ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, kishte thënë se e kishte marrë seriozisht idenë që ndërtesa e ndërmarrjes shoqërore “Gërmia” të shndërrohej në muze të artit Bashkëkohor. Shqyrtimi i mundësisë që ish-objekti i “Gërmisë” të bëhet muze i arteve bashkëkohore qe hedhur qysh në vitin 2006. Ka qenë filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, i cili e kishte dhënë këtë ide në kohën kur komuniteti artistik po protestonte në mbrojtje të ish-hotelit “Union”, të cilin shteti e kishte privatizuar, ani pse një herë i ishte premtuar Galerisë së Arteve të Kosovës. Por ish-Gërmia në planet e Komunës do të jetë sallë koncertale.
Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij viti, Ministria e Kulturës ka ndarë 200 mijë euro për projektin kapital të muzeut të artit bashkëkohor. Po ashtu, për vitet 2023 dhe 2024 janë paraparë nga 200 mijë euro.