Kulturë

Muzeu Etnologjik rikthen vizitorët, në pritje të restaurimit të gjysmës tjetër

Pas viteve pandemike, si dhe pas restaurimit dhe konservimit të asaj që njihet si shtëpia familjare e shekullit XIX, që kishte nisur qysh më 2017, në vitin 2022 Muzeu iu rikthye qytetarëve me kapacitet të plotë. E veçanta e kësaj ishte edhe prania e “Manifesta 14”, e cila tërhoqi po ashtu një numër të madh vizitorësh

Muzeu Etnologjik i Kosovës vazhdon të mbajë primatin si një kompleks i trashëgimisë kulturore tejet atraktiv, i cili për çdo vit pranon një numër të madh vizitorësh vendorë e veçmas të huaj. Pas viteve pandemike, si dhe pas restaurimit dhe konservimit të asaj që njihet si shtëpia familjare e shekullit XIX, që kishte nisur qysh më 2017, në vitin 2022 Muzeu iu rikthye qytetarëve me kapacitet të plotë. E veçanta e kësaj ishte edhe prania e “Manifesta 14”, e cila tërhoqi po ashtu një numër të madh vizitorësh.

Muzeu Etnologjik i njohur edhe si “Eminxhiku” është njëri ndër komplekset më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Kosovë, kjo sepse ai ruan të kaluarën e bashkë me të edhe identitetin e hapësirave qytetare në vend. Nostalgjia për të kaluarën dhe traditën nis qysh në hapat e parë brenda oborrit të Muzeut. Vetë ndërtesat, me hyrjen me shkallë prej druri të cilat nuk janë aq precize sa shkallët e sotme të fabrikuara, me numrin e madh të dritareve prej druri, por edhe të trarëve të kulmit, janë disa prej elementeve që krijojnë efektin e të kthyerit në kohë.

E tërë kjo bëhet edhe më interesante kur hyhet brenda. Gjenden orendi, objekte e gjësende të ndryshme të kulturës e traditës shqiptare të cilat janë marrë nën mbrojtje nga Muzeu. Mozaiku i eksponateve ka bërë që Muzeu të mbetet një pikë e fortë reference për të gjithë ata që e vizitojnë Kosovën.

“Sipas ueb-faqes së njohur botërore ‘TripAdvisor’ për të tetin vit me radhë, që nga viti 2015, përfshirë edhe vitin 2022, Muzeu Etnologjik vazhdon të mbetet atraksioni kryesor turistik për vizita në Prishtinë. Stafi i Muzeut është i kënaqur me të arriturat në vitin 2022, pasi ka punuar dhe është angazhuar në promovimin e Muzeut dhe pasurimin e fondit muzeor me eksponate të reja të dhuruara nga njerëz të vullnetit të mirë”, ka thënë Bekim Xhemili, kurator në Muzeun Etnologjik në Prishtinë.

Por, numri i eksponateve që strehon Muzeu u rrit edhe më shumë gjatë vitit të kaluar, kjo falë qytetarëve të cilët i ruajtën ato dhe ia dorëzuan institucionit.

“Muzeu gjatë vitit 2022 është pasuruar me afro 20 eksponate të rëndësishme, të dhuruara vullnetarisht nga qytetarët, disa të sjella vetë në Muze, ndërsa eksponatet e tjera janë siguruar nga stafi profesional. Eksponatet janë të ruajtura mirë, ndërsa vjetërsia e tyre është nga 40 deri në 140 vjet. Ato u takojnë fushave të ndryshme etnologjike dhe përbëhen nga materiale si: dheu, metali, druri, tekstili e të tjera” ka thënë Xhemili teksa ka shtuar se pas pastrimit dhe konservimit eksponatet do të bëhen pjesë e ekspozitave të përkohshme dhe të përhershme të Muzeut.

Pas viteve pandemike, viti 2022 riktheu në Muze edhe ata më kryesorët, vizitorët. E kjo më së miri u vërejt gjatë periudhës së ngrohtë të vitit.

“Për dallim nga vitet 2020 -2021, ku numri i vizitorëve kishte rënë dukshëm shkaku i pandemisë, në vitin 2022 numri i vizitorëve ishte rreth 8 mijë, me rreth 80% të huaj. Numrin më të madh të vizitorëve Muzeu e ka nga muaji prill deri në muajin nëntor, kur është dhe sezoni turistik gjithandej Evropës dhe botës”, është shprehur ai.

Në rritjen e numrit të vizitorëve sigurisht ndikoi edhe prania e “Manifestas”, ku në kuadër të saj, nga korriku deri në fund të tetorit 2022, kati i parë i objektit të restauruar ka qenë i zënë me ekspozitën e muzeut kombëtar të fotografisë, “Marubi”.

“Bashkëpunimi me ‘Manifestan’ ka qenë i mirë. Pasi që ka qene sezoni, nuk është që ka pasur ndonjë rritje shumë të madhe, por kuptohet që ka pasur rritje, sidomos prej atyre që kanë ardhur vetëm për ‘Manifesta’, por në anën tjetër edhe ata që kanë ardhur për muzeun, e kanë vizituar pastaj edhe ‘Manifestan’”, ka bërë të ditur Xhemili.

Pos pandemisë, në vitin e fundit Muzeu ishte përballur edhe me telashe sa i përket restaurimit. Tre vjet pasi ishin ndërprerë, ato kishin rifilluar në fund të 2020-s. Synimi ishte shpëtimi i shtëpisë kryesore. Më 2017, Muzeu i Kosovës kishte nisur vetë restaurimin. Por punimet ishin ndërprerë shpejt, për të mos vazhduar më.

Ministrisë së Kulturës i janë dashur dy vjet e gjysmë që të fillojnë procedurat e prokurimit për këtë kompleks të trashëgimisë kulturore, më të vizituarin në vend e po ashtu më të rekomanduarin nëpër guidat e agjencive që merren me turizëm.

I gjithë kompleksi i “Eminxhikut” përbëhet nga katër objekte. Dy shfrytëzohen nga Muzeu. Ai i shekullit XVII pritet të restaurohet pas atij ku tre vjet u zvarritën punimet. Për këtë edhe janë paraparë 300 mijë euro.

Por restaurimi i dy prej katër objekteve të “Eminxhikut” nuk është problemi i vetëm sa i përket ansamblit arkitekturor. Prej majit të vitit 2017 kompania, që ishte duke bërë ndërhyrje emergjente në objektin që njihet si ahur në këtë kompleks, nuk ka pasur ndonjë aktivitet. Ministria e Kulturës ende nuk ka zgjidhje me qendrën për art bashkëkohor “Stacion” në lidhje me shfrytëzimin e Shtëpisë së Gurit, që është objekti i katërt i këtij kompleksi. MKRS-ja i kishte akuzuar udhëheqësit e “Stacionit” si uzurpatorë, që prej vitit 2010 nuk kanë leje për shfrytëzimin e objektit. Kishte dhënë edhe afat për lëshimin e objektit, por ai nuk qe respektuar.