Muzeu Britanik do të marrë dhuratën më të vlefshme në historinë e muzeve britanike, artefakte qeramike kineze me vlerë prej 1.27 miliard dollarë.
Përfaqësues të fondacionit të Percival Davidit i dhurojnë 1700 eksponate muzeut të Londrës, që ndodhet në zonën Bloomsbury të qytetit.
Biznesmeni britanik Percival David, i cili jetoi prej vitit 1892 deri në vitin 1964, mblodhi eksponate nëpër Evropë, Japoni, Hong-Kong dhe Kinë dhe pasioni i tij për atë vend e bëri atë të mësonte rrjedhshëm gjuhën kineze.
Koleksioni i është dhënë muzeut prej vitit 2009 në një dhomë dygjuhëshe të projektuar posaçërisht, me një katalog online të disponueshëm në mbarë botën, pasi Davidi donte që koleksioni i tij privat të përdorej për të informuar dhe frymëzuar njerëzit.
Drejtori i Muzeut Britanik, Nicholas Cullinan ka thënë se është “i nderuar nga bujaria e trashëgimtarëve të fondacionit të Sir Percival Davidit, të cilët përjetësisht ia kanë besuar koleksionin e tyre të pakrahasueshëm privat Muzeut Britanik”.
“Këto artefakte të çmueshme ia shtojnë një dimension të veçantë koleksionit tonë dhe së bashku u ofrojnë shkencëtarëve, studiuesve dhe vizitorëve nga mbarë bota një mundësi të jashtëzakonshme për të studiuar dhe shijuar shembujt më të mirë të mjeshtërisë kineze kudo që janë”, ka thënë ai.
Kjo dhuratë do të rrisë koleksionin e muzeut të qeramikës kineze në 10,000 artefakte, duke e bërë atë një nga koleksionet më të rëndësishme qeramike të çdo institucioni publik jashtë botës kinezishtfolëse.
Në mesin e artefakteve të koleksionit janë edhe vazot e Davidit që datojnë prej vitit 1351, zbulimi i të cilave revolucionarizoi datimin e qeramikës blu dhe të bardhë. Po ashtu i çmueshëm është edhe një tas që përdorej për t’i shërbyer verë Perandorit Chenghua.
Pas dorëzimit të kësaj dhurate, eksponatet do t’i huazohen Muzeut të Shangait në Kinë dhe Muzeut Metropolitan në Nju-Jork, si pjesë e mbështetjes së Muzeut Britanik për ekspozitat në mbarë botën.