Me intervenimet e fundit, Muzeu Arkeologjik i Prizrenit është në një gjendje tepër të mirë, që mund t’i presë vizitorët dhe t’u ofrojë një përjetim të veçantë. Koleksioni është pasuruar, tashmë ka nisur puna që ato t’u prezantohen sa më mirë vizitorëve. Pos kësaj janë bërë investime edhe në inventar. “Dëshirojmë që të sigurohemi që gjithçka të jetë e gatshme, ashtu që vizitori ta ketë një ndjenjë të vërtetë sa u përket vlerave të trashëgimisë arkeologjike të rajonit të Prizrenit”, ka thënë arkeologu i këtij muzeu, Vesel Hoxhaj
Xhami anësor në njërën prej vitrinave të reja qëndron i hapur. Përkundër të ftohtit, duart e arkeologes, Edona Arifi, me kujdes i vendosin artefaktet, bashkë me shpjegimet përkatëse për to. Ajo po qëndron në Prizren, për t’i ndihmuar kolegët e saj rezidentë, që sa më parë të finalizohet puna në rifreskimin dhe pasurimin e ekspozitës së gjetjeve arkeologjike të rajonit të Prizrenit në Muzeun që sot gërsheton dy monumente: Hamamin e Shemsedin Ahmet Beut dhe Sahat Kullën.
Ajo tregon se si gjatë vitit 2019 ka qenë e angazhuar në projektin e trajtimit të materialit arkeologjik në Muzeun Arkeologjik të rajonit të Prizrenit, që ka përfshirë pastrimin, restaurimin, vizatimin, fotografimin e dokumentimin e artefakteve, bashkë me përgatitjen e përkthimit dhe përshkrimeve adekuate për publikun.

Kapitull i ri me pasurimin e fondusit
“Tani secili objekt e ka kartelën e vet, e ka përshkrimin. Ndërsa me ardhjen e projektit për rifreskimin dhe konservimin e Muzeut Arkeologjik kanë ardhur vitrinat e reja dhe tani jam duke i ndihmuar kolegut Vesel Hoxhaj që të rifreskohet ekspozita, me i rivendos objektet, prej periudhës së neolitit deri te periudha osmane, që janë gjetur në rajonin e Prizrenit”, ka thënë Arifi. Sipas saj, ky muze pas kompletimit të punës në rifreskimin e ekspozitës do të jetë mjaft atraktiv për vizitorët e grupmoshave të ndryshme, meqë ata do të kenë rastin që të njihen me gjetjet arkeologjike nga periudha të ndryshme kohore.
Ndërsa arkeologu rezident, Vesel Hoxhaj, ka bërë të ditur se Muzeu Arkeologjik i rajonit të Prizrenit funksionon nga viti 1975, ndërkohë që në vitet e fundit në saje të investimeve të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve e angazhimeve të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore po transformohet në një institucion të trashëgimisë kulturore që u përgjigjet rrethanave të kohës.
“Me intervenimet e fundit, Muzeu ka ardhur në një gjendje tepër të mirë, që mund t’i presë vizitorët dhe t’u ofrojë një përjetim të veçantë”, ka thënë Hoxhaj. Sipas tij, punët në rifreskimin e ekspozitës janë shumë afër finalizimit, dhe brenda një afati të shkurtër kohor do t’i prezantohen publikut.
“Dëshirojmë që të sigurohemi që gjithçka të jetë e gatshme, ashtu që vizitori ta ketë një ndjenjë të vërtetë sa u përket vlerave të trashëgimisë arkeologjike të rajonit të Prizrenit”, është shprehur Hoxhaj.

Rritje e vazhdueshme e numrit të vizitorëve
Vesel Hoxhaj ka thënë se numri i vizitorëve në këtë muze nga viti në vit është rritur vazhdimisht, përjashtuar dy vjetët e fundit të pandemisë, meqë në kuadër të masave anti-COVID në periudha të caktuara muzetë kanë qenë të mbyllura. “Para kësaj periudhe, numri i vizitorëve ka pasur rritje konstante për çdo vit, shkaku i promovimit dhe realizimit të ekspozitave të përkohshme, si dhe aktiviteteve me nxënësit e mësimdhënësit, dhe të rinjtë, për t’u njohur me muzeun e trashëgiminë arkeologjike. Shpresojmë që periudha pas COVID-it do të jetë shumë më e mirë për vizitorët”, ka theksuar Hoxhaj.
Tutje ka shtuar se periudha e pandemisë i ka shërbyer QRTK-së përkatësisht stafit të muzeut për ta ridizajnuar dhe për ta pasuruar ekspozitën arkeologjike.
“Kemi bërë edhe dy marrëveshje me Muzeun e Kosovës dhe me Institutin Arkeologjik të Kosovës, ku kemi marrë rreth 100 objekte shtesë, që nuk kanë qenë në këtë muze më parë, por që janë të rajonit të Prizrenit. Gjithashtu, kemi restauruar shumë objekte ose artefakte arkeologjike që kanë qenë në muze dhe kemi krijuar hapësira për t’i ekspozuar të gjitha artefaktet që i ka pasur muzeu. Pra, nga periudha para COVID-it deri më tani kemi dyfishim të artefakteve të ekspozuara në Muzeun Arkeologjik të rajonit të Prizrenit”, ka thënë ai.
Arkeologu Hoxhaj ka sqaruar se si gjatë rikonceptimit të ekspozitës, në Muze përkatësisht në Sahat Kullë është vendosur një ekspozitë shtesë ku gjatë ngjitjes nëpër shkallë mund të përcillen fotografitë me gravura, që paraqesin motive të Sahat Kullës gjatë viteve të ndryshme.
Njëkohësisht janë krijuar edhe hapësira të reja që do të jenë në shërbim të studiuesve, artistëve dhe komunitetit.
“Në ambientet e Muzeut kemi krijuar një mini-bibliotekë me një sallë leximi e studimi për studiuesit, studentët dhe nxënësit, të cilët kanë dëshirë të informohen apo të marrin njohuri të reja për trashëgiminë kulturore, pastaj një mini-galeri që do të jetë në shërbim të artistëve për ekspozita artistike brenda Muzeut Arkeologjik, si dhe një vendtakim, ku vizitorët mund të relaksohen dhe të përcjellin dokumentarë që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore të rajonit të Prizrenit dhe të Kosovës.

Atraksion edhe objekti që gërsheton dy monumente
Muzeu Arkeologjik i Rajonit të Prizrenit ka vlerë të jashtëzakonshme, pasi që paraqet një ndërtesë të veçantë me dy tipologji, meqë ngërthen në vete Hamamin e Shemsedin Ahmet Beut dhe Sahat Kullën.
Sipas të dhënave të QRTK-së në Prizren, ky Hamam është ndërtuar në shekullin XV, përkatësisht në vitin 1498, dhe nuk dihet se deri në cilin vit është përdorur si hamam, por dihet se hamami nuk ka kryer funksionin e tij që nga mesi i shekullit XIX kur mbi hapësirën e ngrohtë të Hamamit është ndërtuar Sahat Kulla.
“Sahat Kulla fillimisht ishte e ndërtuar me dru, kurse në shekullin e XIX në gjendjen e tanishme, ndërtuar me gurë dhe tulla e ndërtoi Eshref Pashë Rrotulli. Më 1912 nga Sahat Kulla u morën ora dhe kambana, dhe sot e asaj dite ato ende mungojnë. Deri në vitin 1970 Hamami i Shemsedin Ahmet Beut dhe Sahat Kulla përdoreshin nga banorët e afërt si depo, ahur, e vend mbeturinash, duke e dëmtuar në masë të madhe objektin. Pas vitit 1970 fillojnë punimet për mbrojtjen e kësaj vlere të historisë, në vitin 1972 bëhet dhe eksproprijimi i parcelave, ndërsa në vitin 1975 hapet objekti me një destinim të ri, pra bëhet shndërrimi i hamamit në Muze Arkeologjik të Rajonit të Prizrenit”, thuhet në historikun e muzeut.
Objekti i Hamamit ka formë drejtkëndëshe dhe është ndërtuar me gurë të ndryshëm dhe tulla të lidhura me llaç gëlqeror. Kulmi ka shtatë kupola dhe tri qemerë, dhe të gjitha janë të mbuluara me plumb. Dyshemeja e objektit është shtruar me pllaka guri të vendosura në vitet 1972/75 të shekullit XX, kur objekti shndërrohet në muze arkeologjik.
“Në fund të viteve ‘60 dhe në fillim të viteve ‘70 të shekullit XX në Rajonin e Prizrenit, kryesisht në rrjedhën e Drinit të Bardhë, u zbuluan shumë lokalitete arkeologjike, u zhvilluan shumë ekspedita gjurmuese nga të cilat u zbulua një material shumë i pasur arkeologjik. Muzeu trajton materialin arkeologjik nga lokalitete arkeologjike të rajonit të Prizrenit, gjegjësisht nga Komuna e Prizrenit, Dragashit, Rahovecit, Malishevës dhe Suharekës. Materiali i ekspozuar prezanton një periudhë të gjerë kohore të artefakteve, që nga Neoliti, Eneoliti, Periudha e Bronzit, Periudha e hekurit, Periudha Antike e Romake, Mesjeta dhe Periudha Osmane. Monumenti është një kompozicion i veçantë arkitektonik, gërshetimi i Hamamit së bashku me Sahat Kullën, dhe vendosja këtu e muzeut arkeologjik, është rast unik që nuk gjendet diku tjetër. Hamami i Shemsedin Ahmet Beut është ndër hamamet më të vjetra të Ballkanit dhe së bashku me Sahat Kullën përbëjnë ndër objektet më interesante dhe karakteristike të qytetit të Prizrenit”, thuhet në dokumentet e QRTK-së.
Në vitin 2008, në këtë muze janë zhvilluar punimet në restaurimin e brendshëm të objektit nga MKRS-ja, ndërsa në vitet 2014 e 2015 me financimin nga Ambasada amerikane në Kosovë është bërë restaurimi i jashtëm i Muzeut, kulmi, si dhe i ambienteve përcjellëse, si oborrit, zyrave, nyjave sanitare e të tjera. Ndërkaq, në vitin 2019 dhe 2020 i gjithë materiali arkeologjik i këtij muzeu është trajtuar, dhe në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës e Institutit Arkeologjik të Kosovës është pasuruar me artefakte shtesë nga rajoni i Prizrenit të zbuluara nga hulumtimet e mëhershme. Së fundmi me investimin e MKRS-së dhe në bashkëpunim me QRTK-Prizren, është ripunuar e gjithë ekspozita arkeologjike.
