Kulturë

Muzetë në Ukrainë planifikojnë të ardhmen pas luftës

Ukraina

Përfaqësuesit e muzeve të Ukrainës u takuan për një konferencë dyditore të mbajtur në Berlin. E quajtur “Nga kriza në të ardhmen: Përgjegjësi të reja për muzetë në Ukrainë”, konferenca u iniciua nga OBMIN, një fondacion me bazë në Varshavë i themeluar në vitin 2022 që shërben si platformë për më shumë se njëqind muze nga e gjithë Ukraina

Midis pasigurisë dhe ndikimit shkatërrues të luftës së Rusisë, punonjësit e muzeve ukrainas janë zotuar të luajnë rol qendror në rindërtimin e vendit dhe forcimin e shoqërisë civile.

Maji ishte një tjetër muaj veçanërisht sfidues për Ukrainën, pasi Rusia përshkallëzoi luftën agresive kundër fqinjit të saj.

Megjithatë, shumë ukrainas tashmë po planifikojnë të ardhmen e tyre të pasluftës.

Përfaqësuesit e muzeve të vendit u takuan për një konferencë dyditore të mbajtur në Berlin. E quajtur “Nga kriza në të ardhmen: Përgjegjësi të reja për muzetë në Ukrainë”, konferenca u iniciua nga OBMIN, një fondacion me bazë në Varshavë i themeluar në vitin 2022 që shërben si platformë për më shumë se njëqind muze nga e gjithë Ukraina.

Ngjarja, e përshkruar si mbledhja më e madhe e punonjësve të muzeve ukrainas që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të vendit në shkurt të vitit 2022, ishte hapësira ku ekspertët nga Ukraina, Polonia dhe Gjermania mund të diskutonin vizionet e tyre për restaurimin e hapësirave të trashëgimisë kulturore në një të ardhme të afërt dhe jo bash të afërt.

Delegatët propozuan dhjetë hapa konkretë që theksonin se si muzetë mund të kontribuojnë në rindërtimin e Ukrainës dhe të forcojnë shoqërinë e saj civile.

Propozimet u paraqiten në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës, takim vjetor ndërkombëtar. Ngjarja politike e nivelit të lartë ka trajtuar çështje të ndryshme që lidhen me rindërtimin e Ukrainës, duke përfshirë aspektet ekonomike dhe sociale, si dhe planifikimin e reformave në nivele rajonale, kombëtare dhe të lidhura me BE-në.

Sipas shifrave të siguruara nga OBMIN, 102 muze dhe galeri ukrainase janë dëmtuar që nga fillimi i luftës, nga të cilat 12 janë shkatërruar plotësisht.

Rreth një mijë e 60 lokalitete të trashëgimisë kulturore gjithashtu janë dëmtuar nga lufta. Nga ky numër, 123 janë me rëndësi kombëtare dhe 864 me rëndësi lokale.

Sulmi ndaj trashëgimisë kulturore ka qenë prej kohësh një strategji e kohës së luftës: edhe në Ukrainë, okupatorët rusë synojnë të shkatërrojnë identitetin ukrainas duke dëmtuar këto objekte.

Drejtorët e muzeve janë gjithashtu prej objektivave të rusëve, ka thënë Milena Çorna, eksperte e nëngrupit të Komisionit Evropian të ngarkuar me ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Ukrainës dhe kryetare e Shoqatës së Muzeve Ukrainas.

Ndërsa punonjësit e muzeve qëndruan prapa për të mbrojtur koleksionet e tyre në territoret e pushtuara, shumë u rrëmbyen nga forcat ruse, qëllimisht të shënjestruar “si udhëheqës të komunitetit të tyre dhe si udhëheqës të opinionit”, ka thënë Chorna. Qëllimi ishte t’i bënin ata të bashkëpunonin me rusët.

Meqenëse ata “më shumë kishte gjasa se nuk ishin të gatshëm ta bënin këtë, u vunë nën presion psikologjik dhe fizik”, ka thënë ajo. Dy drejtorë të muzeve u vranë nga sulmet ruse. Sipas ekspertes së kulturës, për fat të mirë shumica e punonjësve të muzeve kanë qenë që atëherë në gjendje të largohen nga zonat e pushtuara.

Duke ditur se fundi i luftës është ende i paparashikuar, “e ardhmja” është një kuadër shumë i papërcaktuar.

Pjesëmarrësit në konferencën e muzeve ishte e dallueshme se të gjithë kishin perspektivën dhe afatin kohor të tyre të veçantë në mendje kur diskutonin për të ardhmen e institucioneve kulturore të Ukrainës. Panelet e diskutimit mblodhën së bashku një shumëllojshmëri të gjerë ekspertësh të muzeve, si dhe njerëz të përfshirë në ruajtjen e trashëgimisë ukrainase.

Midis tyre ishte Oleksandr Kostin, drejtor i përkohshëm i Departamentit të Kulturës dhe Turizmit të Administratës Ushtarake të Rajonit të Kharkiv, i cili ka parashtruar nevoja konkrete për restaurimin e muzeve të dëmtuar. Masat që ai përmendi — si planifikimi i bunkerëve dhe hyrjet pa pengesa për njerëzit e shumtë që janë gjymtuar nga lufta, si dhe gjetja e mënyrave për të tërhequr kthimin e njerëzve që u larguan nga zona e shkatërruar nga lufta - janë përkujtues të gjendjes së brishtë të rajonit.

Në një nivel krejt tjetër gjatë të njëjtit panel, Andrea Jurges nga Muzeu i Arkitekturës së Frankfurtit ka ofruar kontribut frymëzues mbi mënyrën se si muzetë e së ardhmes duhet të zhvillojnë një vizion që shkon përtej përcaktimit tradicional të këtyre institucioneve, në mënyrë që të përforcojnë rolin e tyre si “vend i tretë” – term sociologjik që përdoret për t'iu referuar mjediseve që bashkojnë njerëzit përtej dy hapësirave të zakonshme shoqërore:  shtëpia dhe vendi i punës. Duke shërbyer si një pikë takimi dhe diskutimi, muzetë mund të ndihmojnë për të kontribuar në forcimin e shoqërisë civile.

Yuliya Vaganova, drejtore e përkohshme e Muzeut Khanenko në Kiev, ka ndarë përvojën e saj se si institucioni me objekt të dëmtuar nga një sulm me raketa ruse, tash shërben si “vendi i tretë”, duke mbledhur anëtarë të ndryshëm të shoqërisë.

Në fillim të luftës, ata hapën hapësirën e tyre për publikun për t’i lejuar njerëzit të pinin çaj dhe të ngroheshin së bashku. Muzeu Khanenko më pas kishte organizuar një operë të veçantë që orientonte vizitorët nëpër sallat bosh të ekspozitave të muzeut  pasi të gjitha veprat e artit ishin larguar për t'u siguruar se nuk do të dëmtoheshin nga sulmet me raketa.

Edhe vetë vendndodhja e konferencës dha shembullin e punës afatgjatë në kërkimin e rindërtimit të institucioneve kulturore të shkatërruara nga lufta, siç ka theksuar Hermann Parzinger, president i Fondacionit të Trashëgimisë Kulturore Prusiane, në fjalimin e tij hyrës në konferencë.

Mbledhja u mbajt në një nga institucionet më të reja, në “Berlin's Museum Island”, saktësisht në “James Simon Gallery”. I gjithë ansambli i muzeve u desh të restaurohej pas Luftës së Dytë Botërore dhe ishte shtuar në listën e vendeve të trashëgimisë botërore të UNESCO-s në vitin 1999.

Dokumenti OBMIN i zhvilluar nga pjesëmarrësit në konferencë, “Rindërtimi i Ukrainës dhe forcimi i shoqërisë civile: 10 parimet themelore nga muzetë ukrainas”,  tregon optimizmin e ukrainasve për të ardhmen, pavarësisht nga të gjitha vështirësitë aktuale.

Si shembull është një nga parimet që thekson se si rindërtimi i Ukrainës mund të shërbejë si një mundësi për t’i kthyer muzetë e vendit në “më modernet, më të orientuara nga vizitorët në botë”. Siç shton dokumenti, shumë muze në territoret e pushtuara aktualisht bënë hapa gjigantë në digjitalizimin e koleksioneve të tyre për shkak të luftës.

Siç ka theksuar Vaganova gjatë një prej paneleve të diskutimeve, e ardhmja e muzeve përfshin edhe sigurimin që vendi të bëhet përsëri i sigurt dhe kjo, sipas saj, përfshin mbështetjen e Ukrainës me armatim në mënyrë që ata të mund të mbrohen kundër Rusisë.

Ndërkohë, njerëzit në Poloni po e ndjejnë gjithnjë e më shumë kërcënimin e luftës. Një prej pjesëmarrësve, Barbara Golebiowska nga “Maria Sklodowska-Curie Museum” në Varshavë, ka thënë se ajo e shihte konferencën jo vetëm si një mundësi për të rrjetëzuar me kolegët ukrainas dhe për të parë se si mund t'i ndihmonte, por edhe të mësonte prej tyre në rast se do të shpërthente lufta në vendin e saj.

“Në Poloni, ne po mendojmë për luftën tani çdo ditë dhe si drejtore e një institucioni kulturor, për mua është me të vërtetë çështje e rëndësishme”, ka thënë ajo. “Është e tmerrshme, por mendoj se duhet të jemi të përgatitur — dhe idealisht të shmangim luftën, sigurisht”.