Kulturë

Muzetë e Vjenës i kundërpërgjigjen censurës së mediave sociale me “OnlyFans”

“OnlyFans” është një aplikacion ku vizitorët mund të paguajnë një tarifë abonimi për të pasur qasje në përmbajtje ekskluzive – dhe shpesh erotike – nga një artist. Tani, për 4.99 dollarë në muaj, adhuruesit e artit mund të shikojnë piktura dhe statuja me subjekte nudo të nxjerra nga koleksionet e muzeve më të mirë të Vjenës

Muzetë e Vjenës po vënë në dukje veprat e tyre në një vend ku pak institucione të klasit botëror kanë shfaqur ndonjëherë artin e tyre: “OnlyFans”. Në atë faqe vizitorët tani mund të shohin një llogari të krijuar nga Bordi i Turizmit i qytetit ku po postohen vepra sugjestive nga institucionet vjeneze “Albertina” dhe Muzeu Leopold.

“Vjenezët janë shumë mendjehapur”, ka thënë për këtë vendim të pazakontë Helena Hartlauer, shefe e marrëdhënieve me mediat në Bordin e Turizmit të Vjenës.

“OnlyFans” është një aplikacion ku vizitorët mund të paguajnë një tarifë abonimi për të pasur qasje në përmbajtje ekskluzive – dhe shpesh erotike – nga një artist. Tani, për 4.99 dollarë në muaj, adhuruesit e artit mund të shikojnë piktura dhe statuja me subjekte nudo të nxjerra nga koleksionet e muzeve më të mirë të Vjenës, të cilat pohojnë se këto vepra arti nuk janë domosdoshmërisht në natyrë seksuale. Bordi i Turizmit të qytetit ka deklaruar se lëvizja për të postuar vepra arti në platformë erdhi pas censurës së përsëritur në platforma të ndryshme të mediave sociale.

Në korrik, llogaria në TikTok e “Albertinas” u pezullua dhe më pas u bllokua për shfaqjen e artit të Nobuyoshi Arakit, fotografitë e të cilit shpesh shfaqin imazhe seksuale të grave të zhveshura. Pastaj në shtator, kur Muzeu Leopold promovoi 20-vjetorin e tij duke postuar një vepër të ilustruesit të “Art Nouveau”, Koloman Moser, fushata u cilësua si “potencialisht pornografike” nga algoritmet e Facebookut. Për të shmangur pasojat, Muzeu e ndryshoi atë imazh me një vepër më pak të kundërshtueshme. Ky paralajmërim rikujtoi fshirjen e Faceboookut të një postimi nga Muzeu i Historisë Natyrore të Vjenës, që tregon Venusin e Willendorf, një objekt i lashtë i pjellorisë që paraqet një grua të zhveshur me gjoks të madh.

Me “OnlyFans”, Hartlauer pohoi se muzetë e Vjenës po zbatonin më shumë sesa thjesht një publicitet – ata gjithashtu synonin të “fillonin një bisedë” në lidhje me domosdoshmërinë e mediave sociale dhe problemet që lidhen me të. Sipas Hartlauerit, ndërsa disa mund të argumentojnë se këta muze mund të përdorin pjesë të tjera për të promovuar veten, çështja nuk është aq e thjeshtë, duke pasur parasysh që po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të treguar atë që do të etiketohet si eksplicite. “Këto platforma nuk janë aspak transparente”, ka thënë Hartlauer.

Muzetë, natyrisht, nuk janë vetëm në këtë luftë frustruese me platformat e mediave sociale – artistët gjithashtu kanë shprehur shqetësime në lidhje me udhëzimet për mediat sociale si Instagram. Në një artikull të fundit për “ARTnews”, artistja Clarity Haynes përshkroi vazhdimisht përpjekjen për të postuar autoportrete nudo nga fotografja Laura Aguilar, të cilat u fshinë nga Instagrami fill pas postimit.

“Kjo lloj censure nuk ekziston në një vakum digjital”, ka shkruar Haynes, duke i përshkruar fshirjet si homofobike, raciste, gjykuese ndaj peshës dhe mizogjiniste.

“OnlyFans” i ri i muzeve vjenezë kujton një përpjekje tjetër për të nisur një platformë për artin sugjestiv seksual. Verën e kaluar “Pornhub” nisi udhëzuesin “Classic Nudes”, një aplikacion që i lejoi përdoruesit të gjejnë imazhe të nudove në institucionet më të njohura të artit në botë. Muzetë nuk iu përgjigjën mirë asaj nisme. “Louvre” në Paris, galeria “Uffizi” në Firence dhe Museo Nacional del Prado në Madrid, të gjithë kërcënuan ta padisin “Pornhub” për replikat e pikturave të famshme prona të tyre, në mesin e të cilave edhe “Titian’s Venus of Urbino “ (1538), që ruhet në “Uffizi”.

Në të kundërtën, Bordi i Turizmit i Vjenës ka deklaruar se nuk po pretendonte për seksualitetin dhe nudon e veprave të artit në koleksionin e tyre. “Ne gjithashtu donim ta bënim këtë për të treguar solidaritetin me artistët e censuruar”, ka thënë Hartlauer. “Nëse nuk mund t'i shfaqni veprat tuaja të artit në mediat sociale, kjo mund të jetë vërtet një pengesë për përpjekjet tuaja të komunikimit, madje edhe për karrierën tuaj”

Marrë nga “The ArtNewPaper”. Përktheu: Rina Statovci