Kulturë

“Muzat e Alpeve 2019” sivjet filluan aktivitetet në Tivar

"Nuk ka popuj të këqij por ka politika të tilla, ndërsa janë shkrimtarët ata që shtrijnë ura dhe sheshojnë kufij"- është thënë në edicionin e 7-të të Manifesimit Letrar Trekufitar "Muzat e Alpeve 2019", organizuar nga Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve "TEUTA" me ç'rast u promovuan tre libra në gjuhët e të dy popujve.

Manifestimi filloi me promovimin e antologjisë dygjuhëshe "Muzat e Alpeve"-çmimi "Teuta", me krijimtari të të 5 laureatëve të Çmimit për Vepër Jetësore "TEUTA" :Jevrem Berkoviq, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi, Mirash Martinoviq dhe Moikom Zeqo.

“Gjeopoetika” e kësaj antologjie thekson atë “pan” të përbashkët që kanë popujt e trojeve të Teutës -tha në fjalën e tij redaktori i kësaj antologjie Agron Tufa, i cili shtoi se "Rëndësinë e vërtetë kjo antologji e ka me artin dhe thelbin e kulluar artistik që vetëprezantohet. Do theksuar rëndësia e padiskutueshme e një ndërmarrjeje të tillë. Është mënyra më e thjeshtë dhe më e drejtpërdrejtë e njohjes dhe miqësimit për dy popuj që kanë jetuar së lashti bri për bri. Antologjitë poetike si kjo, do të jenë një urë e çmuar, që do të sjellë komunikimin e vërtetë, zërin e trazuar, të ngrohtë apo të pikëlluar, por gjithsesi njerëzor të poetit, për të cilin jeta dhe vlerat e saj janë njësoj të shenjta e të paprekshme si për popullin i tij, po aq dhe për tjetrin, fqinjin, të ngjashmin përbri".

"Unë, biri yt bsnik dhe poeti/Ja tvoj Vjerni sin i poeta" ishte libri i radhës i cili u promovua nga poetët e të tria shteteve, kushtuar poetit Esad Mekuli, të autorit Zuvdija Hoxhiq - Berisha, i cili u përcoll nga dokumentari "Mome narodu/Popullit tim", nga po i njëjti autor. Përderisa "Esad Mekuli është një korifej i letërsisë shqipe dhe malazeze, i njohur si njeriu i cili ka punuar shumë për njohjen e kulturave dhe të letërsive të të dy popujve, i cili ka përkthyer mbi 100 libra në këto dy gjuhë dhe është themelues i institucioneve kulturore dhe shkencore, dhe një poet social në kuptimin më të mirë përrderisa librat e tij të fundit ishin kryeveprat e tij "Libri është përgatitur me një kujdes shumë të madh, duke pasur parasysh se për akademikun të shkruajnë akademikë të tjerë për të rritur nivelin e librit, siç janë autori që përzgjodhi poezinë, Zuvdija Hoxhiq-Berisha, akademiku që e botoi Pavle Goranoviq si dhe ilustrimi me piktura nga piktori akademik Gjergj Noc Martini. Të gjitha këto ia shtojnë vlerën librit dhe e bëjnë të pavdekshëm në historinë e letërsisë së të dy popujve dhe më gjerë", do të thoshte redaktori i librit Dimitrov Popoviq. ". Përderisa, poeti i mirëjohur Visar Zhiti tha për veprën e tij se "Esad Mekuli kishte shumë dhimbje, por dhimbjet e tij i shndërroi në poezi dhe i la pasuri për të gjithë ne". Përderisa, aktori i mirënjohur Xhevat Limani deklamoi poezinë e revolucionare të Mekulit, "Kushtrimi".

Promovimi i poemës dramatike "Gjergj Kastrioti Skenderbeu"e sjellë në dhjetëra skene botërore nga autori i saj, shkrimtari dhe aktori Xhevat Limani, u përcoll me vlerësime të larta. Safet Hadroviq - Vrbiçku me këtë rast tha se "Skënderbu i Xheval Limanit e ka ringjallur kryeheroin e shqiptarëve Skënderbeun me vlerat e saj të padiskutueshme dhe origjinalitetin". Autori falënderoi "TEUTËN" si dhe akademikët malazezë Jevrem Bërkoviq, Zuvdija Hoxhiq-Berisha, por edhe Hdroviqin, për kontributin e tyre në prezantimin e Skënderbeut në mënyrën më të dinjitetshme.

Deklamimi i poemës së Xhevat Limanit solli frymën e Skënderbeut në origjinalitetin e vet duke lënë gjurmët e veta edhe në këtë rezidencë mbretërore, tashmë qendër kulturore, të cilën qyteti i Tivrit kishte zgjedhur të priste karvanin e "TEUTËS".

Nesër, 'Muzat e Alpeve" vazhdojnë aktivitetin në Lezhë, ku krahas aktiviteteve të tjera do organziohet edhe mbrmja poetike "TEUTA për Visar Zhitin", kushtuar poetit të persekutaur .