Kulturë

“Muslim Mulliqi” për pyetjet universale të Kosovës së izoluar

“Absoluticioni – Dialog në errësirë” e Driton Hajredinit është vepra fituese e edicionit të 14-të të ekspozitës çmimi “Muslim Mulliqi 2023”. Është një trilogji videosh, që e ka zanafillën në 2004, kur artisti i rrëfehet priftit, mbi dilemat e tij nëse është mëkat “që ka lindur në Kosovë”. Kap çështjen e izolimit me gjuhë universale

“Absoluticioni – Dialog në errësirë” e Driton Hajredinit është vepra fituese e edicionit të katërmbëdhjetë të ekspozitës ndërkombëtare, çmimi “Muslim Mulliqi 2023”. Vepra, e cila shtjellon pikëpyetjet e izolimit të Kosovës e bashkë me të edhe hamendjet e një individi apo artisti të izoluar, u shpall fituese në mesin e njëzet e shtatë veprave garuese.

Gjithçka nis me pamjet, që nga lëvizjet e shpeshta u ngjajnë incizimeve amatoreske, të një njeriu i cili futet në kishë. Ndonëse kryepersonazhi i videos, fytyra e të cili nuk shfaqet asnjëherë por që merret me mend që është vetë autori, i përket besimit mysliman, ai shkon në kishë në Gjermani për t’u rrëfyer. “A bëj mëkat që kam lindur në Kosovë?”, është pyetja në gjermanisht që i drejtohet priftit, shpjegimi i të cilit është se njeriu nuk zgjedh ku lind dhe nuk është më i mirë ai që jeton në Gjermani a në Amerikë. Ngjarja zhvillohet tutje nëpërmjet dialogut, prift-rrëfyes. Në fakt zanafilla e veprës është viti 2004, qasja e saj e hapur i flet edhe së tashmes. Tash bashkohen “Mëkati 1” dhe “Mëkati 2”, që erdhi 18 vjet pas për të vazhduar me “Absolucioni” që ia jep edhe titullin këtij triptiku të Hajredinit. Kësisoj, sot ia arrin ta zbërthejë çështjen e Kosovës së izoluar.

Në shumicën e kohës videoja shfaq pamje pothuajse komplet në errësirë, me pak drita që hyjnë nga rrjeta e brendshme të kabinës së të rrëfyerit, duke asociuar kështu në errësirën që mosliberalizimi i vizave e ka lënë vendin.

- Dialog në errësirë’ pasqyron në mënyrë më koncize raportin ndërmjet konteksteve politike kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe domosdoshmërinë e lirisë së lëvizjes nëpër këto kontekste. Ajo merr formën e një rrëfimi duke i dhënë një zë një eksperience specifike personale të të qenit i bllokuar brenda kufijve kombëtarë, ndërsa njëkohësisht shpreh një dëshirë universale për të dëshpëruar, për t’u shpëtuar, për t’u fajësuar. Gjithashtu është një vepër që frymëzon një reflektim të thellë mbi politikën globale dhe mënyra se si rrjedhat e pushtetit kufizojnë jetën dhe shpirtrat e njerëzve”, ka qenë përshkrimi që ia ka bërë kësaj vepre juria e përbërë nga artisti Ardian Isufi nga Universiteti i Arteve i Shqipërisë, Irena Vaseva kuratore nga Maqedonia e Veriut dhe Raino Isto, kurator nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Gjest respekti: re-tro-spektive, ri-shikimi, ri-kthimi, re-spekti, ri-spekulimi, re-spektakular”, vjen si hyrje e tekstit kuratorial që zbërthen temën, tek rikujton edhe maksimën "ars longa - vita brevis". Ka tradita në art - rishikime dhe retrospektiva. Respekti për tradicionalen i është mveshur artit si një lloj gjesti mirësjelljeje”, kanë shkruar ndër të tjera kuratorët.

Image

Autori i veprës fituese, Driton Hajredini, ka qenë tejet i emocionuar teksa bëri të ditur se kjo ishte hera e dhjetë që ai po merrte pjesë në këtë ekspozitë.

“Nuk mund ta fsheh, është një ndjenjë shumë e mirë. Është hera e parë që po e fitoj dhe nuk e kam pritur. Unë non-stop kam marrë pjesë në ekspozitën për çmimin ‘Muslim Mulliqi’, ndërsa këtë vepër e kam bërë ekstra për këtë ekspozitë”, ka thënë Hajredini.

Kur e nisi zbërthimin e temës me “Mëkat” këtu e 19 vjet më parë, Hajredini kujtonte se pas dhjetë vjetësh situata e Kosovës me viza do të ndryshonte.

“Është videoja ‘Absolution’ që zgjat 7 minuta, e cila është realizuar në Gjermani dhe është një vazhdim si ta quaj e një trilogjie përmbyllëse të dy videove të mëhershme, që e para është realizuar në vitin 2004, e dyta në vitin 2022 dhe e treta në vitin 2023. Ka të bëjë me gjendjen tonë si popull, për shkak se jemi shumë të izoluar, kështu që unë shkoj dhe rrëfehem në një kabinë te prifti dhe i shtroj disa pyetje mjaft të çuditshme për priftin dhe marr disa përgjigje mjaft të çuditshme”, ka thënë Hajredini.

Përveç shtjellimit të temës konkrete, vepra e Hajredinit në të vërtetë ka një lidhshmëri të pashkëputshme midis së kaluarës dhe të tashmes së vetë autorit.

“Që nga viti 1992 kam qenë azilant në Gjermani. Kam tentuar të studioj në Akademinë e Düsseldorfit, por pa sukses. Pastaj jam kthyer këtu, kam përfunduar Akademinë e Arteve, pastaj jam kthyer prapë në Gjermani dhe kur u ktheva, këto sfidat tona na kanë përcjellë gjithmonë dhe si një homazh dhe një sensibilizim me vendet e Evropës për neve si popull, por edhe të tjerë që nuk kanë liberalizim vizash apo liri të lëvizjes”, ka thënë ai.

“Absoluticioni” merr edhe kontekstin e gjendjes konstante dhe është një lloj kundërpërgjigjeje që jep artisti.

“Kur e kam realizuar këtë temë më 2004-ën unë kam menduar që së paku në 2008-n do të përfundojë puna jonë, do të liberalizohen vizat, do të ecim përpara si popull, si shtet, por në atë aspekt e kemi gjendjen e njëjtë, kështu që nuk u bë monotone për ta realizuar edhe një herë me pyetjet e njëjta, por përgjigje të tjera. Kam marrë pjesë me një vepër të tillë, sepse në përgjithësi e kam realizuar si video. Ajo atmosferë, ai dialog në errësirë me priftin, nuk mund të pikturohet”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se është “të qenit artist” ajo që e ka shtyrë të marrë pjesë mbi dhjetë herë në këtë ekspozitë.

Përveç Hajredinit, në ekspozitë morën pjesë edhe 26 artistë të tjerë nga vende të ndryshme si: Franca, Gjermania, Italia, Luksemburgu e Moldavia Njëmbëdhjetë prej tyre ishin shqiptarë. E tërë ekspozita, e cila përfshin forma të ndryshme të artit, si instalacion, video, pikturë dhe skulpturë, u kurua nga Christian Mosar nga Luksemburgu dhe Raimund Stecker nga Dusseldorfi. Njëzet e pesë veprat pjesëmarrëse janë shpërndarë në të dy katet e Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Teksa shprehu keqardhjen që nuk mund të fliste në shqip, në atë që ai e quajti “gjuhë e mrekullueshme”, kuratori gjerman, Raimund Stecker, ka thënë se, duke shpërfillur kufijtë e shteteve, arti po bën atë që politika as nuk di ta mendojë.

“Ideja e ekspozitës, ideja për të sjellë artistë nga jashtë në Prishtinë ishte që artistët të bëhen bashkë. Një gjë që politika në të vërtetë nuk arrin të kuptojë është që individët ia dalin të punojnë së bashku shumë mirë, pavarësisht kufijve. Shpresoj që Galeria Kombëtare këtu të rritet, ndoshta si Galeria Kombëtare e Londrës”, ka thënë ai në hapjen e ekspozitës.

Për gjithë punën që Galeria ka bërë për ta rikthyer te publiku artdashës edhe një herë çmimin “Muslim Mulliqi”, i cili ka katër vjet që i ka munguar Kosovës, ka folur zëvendësuesja e drejtoreshës së GKK-së, Alisa Gojani- Berisha.

“Ka qenë një sfidë më vete, sepse ekspozitat e kanë njëfarë dinamike derisa vjen në fund të procesit. Mirëpo, ‘Muslim Mulliqi’ ka qenë një emocion i veçantë për shkak se nuk është mbajtur qe katër vjet për shkak të pandemisë dhe kjo është bienalja kryesore që organizohet nga Galeria Kombëtare e Kosovës”, është shprehur ajo.

Megjithatë, e tërë barra për përzgjedhjen e këtij çmimi i kishte rënë jurisë. Njëri nga anëtarët e kësaj jurie, Ardian Isufi, u shpreh se diferencimi i një vepre si më e mirë se të tjerat ishte një gjë tejet e vështirë e kjo për shkak edhe të nivelit të lartë artistik të veprave pjesëmarrëse në përgjithësi.

“Për hir të së vërtetës ka qenë shumë vështirë, sepse propozimet e artistëve kishin alternativa të mira, ishin sfiduese, të gjitha, përtej diskutimit tonë ndërmjet anëtarëve të jurisë Mosar dhe Stecker, që ishte një diskutim i detajuar për secilin artist, për veprat e tyre, për tekstet e tyre”, ka treguar Isufi.

Në rolin e anëtarit të jurisë, por edhe të artistit, Isufi ka folur edhe për karakteristikat e veprës fituese dhe elementet që e bën të dallonte nga veprat e tjera pjesëmarrëse.

“Pa dyshim që vepra e Driton Hajrenidit sjell shumë fort nëpërmjet gjuhës pamore çështje akute që lidhen me tranzicionin, ashtu siç është i gjithë Ballkani, por edhe gjithë bota, e mbi të gjitha, që lidhen me pamjet politike, situatat shoqërore, të cilat për ne janë shumë të rëndësishme, që artistët duhet patjetër t’i rrëfejnë nëpërmjet artit dhe për t’i sjellë si çështje që hapin një diskutim publik. Kjo ndoshta ishte pika më e rëndësishme që përzgjodhëm atë”, ka thënë Isufi.

Si piktor dhe njohës i artit, Kamuran Goranci ka vlerësuar veprën e Hajredinajt teksa ka zbërthyer diçka edhe nga brendia dhe simbolika e saj.

“Po për aq kohë sa pata mundësi ta shoh veprën, edhe pse Dritonin e njoh edhe më herët, dhe, siç tha edhe ai vetë që ka marrë pjesë qe dhjetë here, nuk është e lehtë ta fitosh. Është një koncept, ka bazë, ka një mesazh që krijuesit tanë po përballen dhe me disa barriera apo padrejtësi në aspektin ndoshta jo vetëm kombëtar, por fetar, kah vjen e kah s’vjen kur përfshihet edhe mungesa e vizave e peripecitë e tjera. Do të thotë e ngjesh një situatë, një momentum për artistin kosovar edhe atë me çka ballafaqohet nëse është i suksesshëm këtu dhe ia del të aprovohet si artist në arenën ndërkombëtare. Është një temë tejet e qëlluar, por e shtjelluar në mënyrë artistike dhe me disa mesazhe bashkëkohore që mua më pëlqeu”, ka vlerësuar ai.

Duke u nisur nga veprat e kësaj ekspozite në tërësi, Goranci ka folur gjithashtu edhe për nivelin e lartë të artit.

“Të gjitha veprat këtu janë të mira. Nuk do të thotë që nuk ka vend të vlerësosh edhe vepra të tjera, por natyrisht nuk mund të fitojnë të gjithë. Kjo bienale ka një traditë ku këtu në njëfarë forme shihen artistët e së ardhmes, që çdo gjë fillon me të renë. Edhe Kosova, edhe artistët tanë të rinj kanë arritur një nivel, mund të themi jo të nivelit të mesëm, por edhe të afërt ndoshta me artistë krijues të vendeve të tjera”, ka thënë ai.

Ekspozita çmimi “Muslim Mulliqi” mbahet për çdo dy vjet. Edicioni i 14-të ka qenë i paraparë të mbahej në vitin 2020, por ishte anuluar për shkak të pandemisë. Më 2018, fitues ishin Valdrin Thaçi e Artan Hajrullahu.