Kulturë

“Muslim Mulliqi” për piktorin unik, “Bekim Fehmiu” për ustain e imazhit

Zëri i veçantë i artit shqiptar, Nusret Salihamixhiqi, është nderuar post mortem me çmimin kombëtar për veprimtari jetësore në artet pamore “Muslim Mulliqi”. Çmimin vjetor për të arriturat në fushën e artit e ka marrë Violeta Xhaferi. Po të enjten, çmimin kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu” e ka marrë kinematografi Menduh Nushi, njëri prej pionierëve në fushën e fotografisë profesioniste. Çmimin vjetor për kinematografi e kanë marrë regjisorja Kaltrina Krasniqi dhe montazheri Enis Saraçi

Ka qenë një lloj maksime e tij, që përherë kur pikturonte synonte të mos i ngjante askujt. E kjo u bë shenjë dalluese e Nusret Salihamixhiqit. Qe krejt i veçantë, ndër më të shquarit e brezit të tij. Ishte i tillë tok me Muslim Mulliqin dhe të enjten, post mortem është nderuar me Çmimin kombëtar për veprimtari jetësore që mban emrin e kolegut të tij.

Maestroja i pikturës ka qenë njëri prej laureatëve në ceremonitë e organizuara nga Ministria e Kulturës. Në një ngjarje krejt të thjeshtë në ambientet e kësaj ministrie, pos çmimeve në arte pamore – ku me Çmimin vjetor për të arriturat në fushën e artit është nderuar Violeta Xhaferi – janë ndarë dhe ato në fushën e kinematografisë. Çmimi kombëtar për veprimtari jetësore “Bekim Fehmiu” i është ndarë kinematografit Menduh Nushi, përderisa Çmimin vjetor për kinematografi e kanë marrë regjisorja Kaltrina Krasniqi dhe montazheri Enis Saraçi.

Për çmimet në fushën e arteve pamore ka vendosur juria në përbërje të artistëve Arbana Hajredini, Eshref Qahili e Driton Selmani. Në vlerësimin e jurisë është vlerësuar kontributi artistik i Salihamixhiqit e Xhaferit në periudha të ndryshme.

“Është një gjeneratë e artistëve që kanë dhënë shumë për Kosovën. Sa i përket Nusret Salihamixhiqit ka qenë një prej figurave kryesore të viteve ‘70. Është kurorëzuar gur themeli i artit figurativ në Kosovë. Ka qenë kontribuues i zhvillimit të artit në Kosovë. Ne si juri, pa hezitim kemi menduar menjëherë që Nusreti duhet patjetër ta fitojë Çmimin për veprimtari jetësore. Përderisa Violeta ka dhënë kontributin e saj ndër vite dhe ka qenë aktive edhe vitet e fundit”, ka thënë artistja Hajredini në arsyetimin e vendimit të jurisë.

Fatos Salihamixhiqi ka pranuar çmimin me të cilin është nderuar i ati i tij, maestro Salihamixhiqi, njëri prej artistëve modernistë më të shquar të Kosovës. Ishte piktor që krijoi një numër të madh veprash – kryesisht piktura dhe vizatime – në emër të shprehjes së lirë, duke pasuruar artin pamor të Kosovës dhe duke fituar një reputacion si një nga artistët më të rëndësishëm të vendit. Vdiq në moshën 80-vjeçare në tetor të vitit 2011.

Artistja Violeta Xhaferi nuk ka qenë e pranishme në ceremoni, por çmimin e ka pranuar i biri i saj, Iliri. Xhaferi është artiste gjithëpërfshirëse me forma të ndryshme artistike të shprehjes si kostumografi, pikturë dhe dizajn të brendshëm. U diplomua për kostumografi në Akademinë e Arteve të Bukura të Beogradit në vitin 1972.

Çmimet në fushën e kinematografisë përkojnë me ditëlindjen e ikonës së filmit Bekim Fehmiu. Të enjten është shënuar 87-vjetori i lindjes së aktorit, i cili vdiq më 2010.

Laureati i çmimit “Bekim Fehmiu”, Menduh Nushi, i përket gjeneratës së parë të fotografëve në Kosovë. Për më shumë se tri dekada vazhdon të ligjërojë për Fotografi në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Krahas karrierës së tij si ligjërues është angazhuar intensivisht me krijimin e veprave artistike, si dhe ka marrë pjesë në shumë ekspozita personale dhe kolektive. Ka punuar edhe në projekte të tjera si drejtor fotografie si në filmin “Agnus Dei” të Agim Sopit më 2012 dhe “Kukumi” i Isë Qosjes më 2005, “Rojet e mjegullës” po të Qosjes më 1984.

“Për punën e gjatë dhe angazhimin në filmbërjen e Kosovës”, ka arsyetuar shkurt, Valmira Hyseni në emër të jurisë.

Pasi ka pranuar çmimin, Nushi ka thënë se ky është çmimi i parë me të cilin e nderon Kosova.

“Pas tetë çmimeve ndërkombëtare ky është çmimi i parë nga Kosova që e marr. Posaçërisht ndjeva kënaqësinë që çmimi ka emrin e Bekim Fehmiut i cili ka qenë një yll që ma ka ndriçuar rrugën time drejt kinematografisë”, ka thënë shkurt Nushi.

Regjisorja Kaltrina Krasniqi është nderuar për filmin e saj “Vera andrron detin”, i cili mori disa trofe, e vjet u shfaq premierë botërore në Festivalin e Filmit në Venecie. Çmimin e ka ndarë me montazherin Enis Saraçi i cili si student ka punuar në filmat “Pa vend” e “Në mes” të regjisorit Samir Karahoda. Suksesi i tij më i madh ka qenë “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit, që kishte qenë kandidati i Kosovës për “Oscars2022” e më vonë fitues i trefishtë në “Sundance Film Festival” ku kishte marrë çmimin e audiencës, të jurisë dhe atë për regji.

Krasniqi ka vlerësuar se çmimi bëhet tejet i veçantë kur vlerësohet në vendin prej ku buron rrëfimi i filmit.

“Ne festojmë me filmat tanë nëpër botë, por ndihesh krejt ndryshe kur feston me filmin tënd në shtëpi, sepse është tregim i vendit tënd dhe ke nevojë që ajo relevancë që ka qenë për ty personale të jetë edhe e vendit”, është shprehur ajo pasi ka pranuar çmimin prej ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.

Juria e çmimeve në kinematografi pa pasur në përbërje regjisorët Blerta Basholli e Ujkan Hysaj, producentët Valmira Hyseni dhe Gazmend Bajri, si dhe aktoren Rozafa Çelaj

“Kaltrina Krasniqi ka arritur një prej sukseseve më të mëdha në Kosovë për filmin e saj ‘Vera andrron detin’ që është dhënë premierë në Venecia, njëri prej festivaleve më prestigjioze. Na ka prezantuar shumë denjësisht dhe me këtë na ka ndihmuar dhe ne të tjerëve që po vijmë me filma të radhës. Enisin e kemi prej montazherëve më të mirë, është montazher i filmave prej më të suksesshmëve”, ka thënë Valmira Hyseni.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka konsideruar se institucioni është i obliguar të nderojë ata që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për artin në vend. Kur ka folur për filmin e ka vënë theksin te Ligji për Kinematografi, derisa ka paralajmëruar shumë plane për komunitetin artistik.

“Është vetëm çështje se kur do të mbahet seanca e rregullt e Kuvendit për ta bërë votimin përfundimtar. Kemi shumë plane, shumë ambicie, bashkë me komunitetit, për ta çuar tutje një sektor që veçse ka dhënë shumë dëshmi suksesi deri më tash”, ka thënë ministri Çeku.

Derisa ka folur për vlerësimet e jurive, ministri Çeku ka thënë se “juritë janë çdoherë të pavarura, profesionale dhe nuk ndërhyn as ministri as administrata, sepse janë njohës të fushës, profesionistë”.

Sipas Ministrisë, “këto çmime u ndahen personaliteteve të shquara të fushës së kinematografisë për suksesin dhe të arriturat gjatë karrierës”.

Vitin e kaluar për vepër jetësore në fushën e arteve pamore ishte nderuar piktori Rexhep Ferri e për kinematografi ishte nderuar post mortem aktori i madh Abdurrahman Shala.