Nuk janë më shumë se 17 punime prej qindra sosh sa ka në bagazhin e tij, por edhe kaq mjaftojnë për të hapur kapituj të veçantë të artit të Musë Prelvukajt. Nëpërmjet tyre, lexohet edhe biografia e tij, por fuqia shprehëse, metaforat e thellësia i bëjnë veprat e Prelvukajt, rrëfime universale. “Jam adhurues i figuracionit dhe hapësirës, prandaj nuk është e çuditshme të jem me këto vepra që në shikim të parë mund të mos kuptohen, por me një analizë të thellë, kuptohet metafora që paraqesin figuracionet”, ka thënë Prelvukaj
Punimet e artistit e profesorit Musë Prelvukaj nuk shpalosin vetëm përmbledhje kronologjike e veprimtarisë së tij e prezantim të bagazhit gjysmëshekullor. Ato dokumentojnë situata, metaforat zbardhin ngjarje e krejt bashkë bëhen rrëfime universale.

Tashmë ato kanë zënë vend në galerinë “Paper” në Prishtinë. Si brez i gjeneratës së parë të të diplomuarve në Akademinë e Arteve në Prishtinë, Prelvukaj ua “heq pluhurin” veprave për t’i kthyer në një retrospektivë që nëpërmjet artit lundron ndër vite, që nga vitet ‘70 e deri më sot.
Porta e “Paper Gallery” në Prishtinë ka qëndruar e hapur mbrëmjen e së enjtes për dashamirët e artit. Turma e njerëzve ka qenë në formë zinxhiri që ka çuar deri në njërën nga dhomat ekspozuese të galerisë. Përpos veprave të punuara dekada më parë, në ambient kanë shoqëruar edhe këngët e vjetra të Muharrem Qenës, si rikthim i një kohe pak më të largët nga e tashmja. Festën për ekspozitën retrospektive e kanë shënuar gotat me verë, teksa ngazëllimi për të vërehej në fokusin e secilit ndaj veprave, qoftë edhe nëse vinte nga jashtë hapësirës së rrethuar prej xhami nga njëra anë, me mbishkrimin “Retrospektivë – Musë Prelvukaj” me shkronja midis okerit dhe ngjyrë ari. Ekspozita është kuruar nga galeria “Paper”.

Vijat janë ato që dominojnë në punimet e njërit prej të diplomuarve të parë në Akademinë e Arteve Figurative në Prishtinë. Ato që duken si forma abstrakte në shikim të parë, konceptohen më thellë në analizë më të afërt të tyre. Një kornizë në një nga punimet me koka njerëzish, flet për gjendjet e ndryshme emocionale të njeriut, që vjen si iluzion për kokën e njeriut te forma elipsoide nën të dhe për qafën e njeriut zgjatet më poshtë. Trungjet e pemëve të krijuara prej figuracioneve të ndryshme, brinjë të thyera të kafshëve, e shumë elemente të tjera që shprehin edhe rrëmujën, krijojnë dramaticitetin e veprës dhe elementeve të tjera edhe me shkronja e simbole. Veprat kompozicionale paraqesin edhe thyerjen e fatkeqësitë natyrore si shprehje për njerëzit në rënie.

Vepra më e vjetër aty është afishja e shfaqjes “Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ e punuar në vitin 1972, atëherë kur do të jepej në ish-Teatrin Krahinor në Prishtinë (sot Teatri Kombëtar), në regji të Pirro Manit. Të tjerat vijnë si figura të lashta në bashkëveprim me njëra-tjetrën që flasin edhe për lashtësinë e kohës që të lundrojnë shumë vjet pas. Motivet e vizatimeve në teknikë të kombinuar i kanë rrënjët te vendlindja e tij, fshati Martinaj i Gucisë së Malit të Zi, dhe i ruan ato si kujtim për të.
Nuk janë më shumë se 17 punime prej qindra sosh sa ka në bagazhin e tij, por edhe kaq mjaftojnë për të hapur kapituj të veçantë të këtij artisti.
“Këto punime janë të ndryshme pasi kalojnë në periudha të ndryshme. Frymëzimet i kam nga vendlindja, por edhe nga pjesët urbane. Ato frymëzime i marr, i transformoj në frymën e artit bashkëkohor. Jam adhurues i figuracionit dhe hapësirës, prandaj nuk është e çuditshme të jem me këto vepra që në shikim të parë mund të mos kuptohen, por me një analizë të thellë, kuptohet metafora që paraqesin figuracionet”, ka thënë Prelvukaj për KOHËN.
Para të pranishmëve në vernisazhin e ekspozitës është bërë e ditur se po përgatitet edhe katalogu me veprat e Prelvukajt, gjersa pas një muaji, ekspozita do të jetë e qasshme edhe në versionin elektronik.
Veprat e tij Musë Prelvukajt kanë rrugëtuar në dhjetëra ekspozita kolektive në bienalet e vizatimit, në sallonet e ndryshme të vizatimit, por edhe jashtë kufijve shqiptarë. Ekspozita e krijuesve shqiptarë është një nga të cilat ka shpalosur artin e tij madhështor në Lugano të Zvicrës. Më tej ka ekspozuar në Ekspozitën Ndërkombëtare të Paqes në Paris, më 2003.
Për veprimtarinë artistike numëron shpërblimet si: Çmimin për grafikë në Ekspozitën e Studentëve të Akademisë së Arteve në Prishtinë më 1975, për vizatim në Sallonin e të Rinjve në Prishtinë më 1982, çmimin special për vizatim në Sallonin e 28 nëntorit në Prishtinë më 1998 dhe çmimin “Grand Prix” në Bienalen e 15-të Ndërkombëtare të Vizatimit më 2010.
Talenti i tij u dallua herët dhe muret e shkollës u bënë vendi ku i ekspozoi për herë të parë veprat e ti.
“Retrospektiva” e ka kthyer motrën e Musë Prelvukajt, piktoren e shquar Zake Prelvukaj, në kujtimet e talentit të tij për të luajtur në kitarë e në pasionin për koleksionim, e që sipas saj do të ishin pikënisje për të krijuar një muze.
“Unë jam rritur me këtë ambient jo të rastësishëm të vëllait tim që si fëmijë ka qenë dhe është ndër idhujt e mi. Ai gjithmonë e ka pasur arsyen e artit dhe unë kam qenë ajo që edhe sot më kujtohen vijat e tij. Mund të them se sidomos vizatimet që i ka bërë, i linte në Mal të Zi në një pjesë të shkollës së mesme. Unë gjithmonë dilja në tra dhe jam ulur e kam studiuar jo vetëm vizatimin e Musës, por aty kam takuar edhe gazetat e tij të ruajtura”, ka thënë artistja Prelvukaj derisa e ka konsideruar fat të jetë trashëgimtare e artit nga një familje artistësh.
Përtej punimeve artistike, Musë Prelvukaj ishte anëtar i grupit të ekspertëve për hartimin e plan-programeve mësimore për shkollat e mesme profesionale. Është recensent i disa librave të artit për shkollat fillore dhe të mesme. Merret me krijimtari artistike dhe është pjesëmarrës në më shumë se 50 ekspozita kolektive në vend dhe jashtë. Është marrë edhe me artin aplikativ ku ka punuar kopertina të librave e ilustrime.
Artisti Skënder Idrizi është shprehur se përmes veprave të Prelvukajt mund përtej asaj që paraqitet aty në shikim të parë.
“Duke i shikuar veprat e tij, unë e lexoj biografinë e tij, jetën e tij dhe shoh pasqyrën bazë të mënyrës së shprehjes. Nuk ikën nga ajo e vetja, e ka një shprehje të veçantë. Ajo që veçohet dhe vlerësohet shumë te veprat e Musës është pikërisht mënyra e shprehjes. Ka dramaticitet, ka forma, kompozicione, lojëra, të gjitha elementet që secila nga to ka rrëfim të vetin të veçantë dhe në secilën nxit imagjinatë të mendoj dhe ta shikoj në mënyrën e tij”, është shprehur Idrizi, që ka studiuar në të njëjtën gjeneratë me Prelvukajn dhe ka ekspozuar bashkë.
Musë Prelvukaj vjen me ekspozitë personale pas asaj në vitin 2007 në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren.
Udhëheqësi i galerisë “Paper”, Gazmend Ejupi, që ka qenë student i Prelvukajt, para të pranishmëve ka shpalosur edhe përkushtimin e tij si profesor.
“Mendoja se kam bërë një punim shumë interesant, shumë modern. Ai u soll shumë mirë me mua, më tha: ‘Mendoje pak’. Ka qenë një punim abstrakt... nuk më tha ‘jo’, nuk ma prishi qejfin. Ka qenë ai që më ka njoftuar me Akademinë e Arteve, më ka njoftuar me teknikat e grafikës. Unë kam filluar në Akademinë e Arteve me grafikën ku sot ende e praktikoj”, ka thënë Ejupi.
Ekspozita retrospektive me veprat e artistit e profesorit Musë Prelvukaj do të qëndrojë e hapur deri më 10 dhjetor në ambientet e galerisë “Paper” në Prishtinë.