Kulturë

“Muri...” për ndërgjegjësim në raport me natyrën

Muri - vepra e Driton Selmanit

“Rruga për të kaluar prej poshtë-lart ose prej lart-poshtë është shumë e ngushtë, pikërisht sepse muri që na ndan prej lidhjes sonë me natyrën është shumë i madh, këtë gjë e vërtetuam edhe me ekipin që e ka punuar veprën për pesë ditë,. Është ndjenjë shumë e mirë të qëndrosh në park për pesë ditë rresht”, ka thënë artisti Driton Selmani, autor i veprës me të cilën është shënuar Dita e Tokës

Foto: Driton Paçarada

Një mur prej plastike ka zënë vend në parkun e kampusit të Universitetit të Prishtinës në kryeqytet. Vepra “Muri apo premtimi i prirët” e artistit Driton Selmani që vjen si shenjë e ndarjes së njeriut me natyrën është përuruar në shënim të Ditës së Tokës. Është një instalacion artistik i ngritur prej dërrasave dhe i veshur në të gjitha anët me material me koncentrim të lartë të plastikës. Është material i ripërdorur dhe vjen si një pasqyrë se si mund të vihen në shfrytëzim ato që ngjan se janë jashtë përdorimit

Në qendër të kryeqytetit – brenda kampusit universitar – ka zënë vend një mur vertikal prej plastike. Perceptohet ironike përzgjedhja e materialit për punimin e veprës me të cilën manifestohet Dita e Tokës. Por “Muri apo premtimi i prirët” i artistit Driton Selmani ka diçka tjetër thelbësore: thellimin e kulturës së riciklimit të materialeve. 

Fidanët - me mbjelljen e të cilave udhëheqësit institucionalë e shënonin Ditën e Tokës – sivjet u është shtuar edhe një vepër artistike. Një mur prej plastike që figurativisht e ndan njeriun nga natyra. Duket si derë simbolike për në parkun e kampusit të Universitetit të Prishtinës. 

Dy pjesë të vendosura paralelisht si dy drejtëza matematikore, qëndrojnë në një distancë duke formuar një lloj porte për kalimtarët. Një lloj mini-labirinti rruga nëpër të. 

“Muri apo premtimi i prirët” është një instalacion artistik i ngritur prej dërrasave dhe i veshur në të gjitha anët me material me koncentrim të lartë të plastikës. Është material i ripërdorur dhe vjen si një pasqyrë se si mund të vihen në shfrytëzim ato që ngjan se janë jashtë përdorimit. 
Artisti Driton Selmani ka treguar se materiali është marrë nga kopshti i shtëpisë së tij. Ka thënë se idiotësia e plastikës është që qëndron gjatë, por se reflekton në atë se gjatë do të qëndrojë edhe premtimi për ruajtjen e natyrës. 

“Ka qenë sfidë shumë interesante, sepse nuk dija si ta maksimizoja atë kauzën time prej serisë së veprave të mia prej qeseve të plastikës. Por vetëm kisha të falënderoja për presionin që ma kanë bërë për të punuar për një riciklim më të madh dhe të filloj të riciklojë sa më shumë materiale. Në të njëjtën kohë, e kam pasur fatin e madh të punoj me njerëz që e praktikojnë këtë disiplinë”, ka thënë artisti Selmani. 

Duke shprehur rëndësinë e mjedisit ka thënë se terapi më vete ka qenë edhe vetë procesi i punës së veprës për pesë ditë. 

“Rruga për të kaluar prej poshtë-lart ose prej lart-poshtë është shumë e ngushtë, pikërisht sepse muri që na ndan prej lidhjes sonë me natyrën është shumë i madh, këtë gjë e vërtetuam edhe me ekipin që e ka punuar veprën për pesë ditë,. Është ndjenjë shumë e mirë të qëndrosh në park për pesë ditë rresht”, ka thënë Selmani, autor i veprës “Muri...”. 

Riciklimi i materialeve është një prej praktikave të artistit Driton Selmani. Të tilla ishin edhe “Letrat e dashurisë” ku shprehte poetikën në qese të rëndomta plastike. Aty i transformonte në koleksione dhe me to është prezantuar nëpër galeritë ndërkombëtare. 

Megjithatë, ka diçka më të thellë në veprën e Selmanit. Është plotësuar kur aty është projektuar vizioni i gjeneratës së re për ruajtjen e planetit. Kur ka përfunduar ceremonia e përurimit të veprës, dhjetëra fëmijë kanë hedhur mendimet e mesazhet e tyre nëpërmjet shkrimit me lapsa me ngjyrë në sipërfaqen e zezë. Me ata artisti Selmani kishte mbajtur një punëtori disa ditë më parë në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. 

“Nëse ka një aspekt që më bën shumë të lumtur është sinqeriteti i fëmijëve për të na dhënë një metodë të re të të menduarit se a e duam apo nuk e duam tokën, a jemi duke e dashur apo nuk po mundemi as ta shohim dhe sa e meritojmë me të. I kanë dhënë përgjigjet më të sinqerta”, është shprehur artisti Selmani para të pranishmëve.

Dora Musa, këshilltare e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar se për shkak të pjesëmarrjes në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuar, presidentja nuk ka mundur të marrë pjesë në ngjarjen me të cilën është shënuar Dita e Tokës. Ajo ka thënë se “një ndër prioritetet e presidentes Osmani mbetet agjenda e gjelbër jo vetëm në rrafshin vendor, por edhe atë ndërkombëtar, e cila vazhdimisht shfrytëzon platforma të ndryshme për ngritjen e zërit në kauza mjedisore”. 

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se sfidë kryesore mbetet reduktimi i deponive ilegale të mbeturinave. Ka përmendur “Task-forcën e gjelbër” të themeluar të hënën. 

“Sot morëm vendim të themelojmë task-forcën e gjelbër në mënyrë që ministritë përgjegjëse do të jenë shumë më mirë të koordinuara në bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës që krahas projektit që kemi filluar për pastrim, të mbrojmë edhe nga degradimet e tjera siç është heqja e zhavorrit nga lumenjtë e po ashtu t’i mbrojmë edhe parqet tona nacionale nga ndërtimet e egra në zona strikte dhe të merremi me veprime të tjera ilegale gjithandej Kosovës që po degradojnë natyrën”, ka thënë ministri Aliu. 

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, derisa ka folur për veprën, e ka konsideruar artin si instrument të bukur e efektiv që ndikon në ndërgjegjësimin për problematikat mjedisore. 

“Murali që ekspozohet sot është një shembull i shkëlqyeshëm se si mund ta shtyjmë përpara agjendën e gjelbër. Artisti Driton Selmani që ka vite që është dëshmuar si vizionar në perceptimin e artin e tillë me publikun me tematika akute në fokus, na sjell këtë instalacion, për çfarë e falënderoj, që me punimin e tij e ka hijeshuar këtë ambient publik duke bërë njëkohësisht një apel urgjent për të gjithë ne”, ka thënë ministrja Nagavci në fjalën e saj. 

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë se vepra përçon mesazh të fuqishëm për kujdesin që duhet t’ia përkushtojmë Tokës. 

“Arti i krijuar nga materialet e ricikluara nga qeset e plastikës dhe vizualizimi i saj sot përçon një mesazh të fuqishëm për angazhimin dhe kujdesim që duhet t’ia japim çdo ditë tokës dhe ambientit që na rrethon. Në vijim të përpjekjeve tona për ta parandaluar degradimin e mjedisit, tokës e pyjeve, në prill të vitit të kaluar, pas nëntë vjetësh përpjekje, miratuam ligjin për pyjet i cili përcakton përgjegjësi e masa rigoroze për shfrytëzimin e ligjshëm të pyjeve dhe menaxhimit të qëndrueshëm”, ka thënë ministri Peci. 

Dita e Tokës është një ngjarje vjetore më 22 prill për të demonstruar mbështetje për mbrojtjen e mjedisit. E mbajtur për herë të parë më 22 prill 1970, ajo tani përfshin një gamë të gjerë ngjarjesh të koordinuara globalisht Tema zyrtare për vitin 2024 është “Planeti kundër Plastikës”.

Me temën është ndërlidhur përfaqësuesi rezident i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queirós. Për veprën e Selmanit ka thënë se edhe pse i punuar me material të ricikluar plastike, instalacioni përkujton efektin që ka për një të ardhme të qëndrueshme sa i përket çështjes mjedisore. 

“Njerëzit nga gjithë bota, përfshirë Kosovën, shihen si qenie humane që shkaktojnë katastrofa ndaj natyrës. Për këtë arsye jemi këtu për të mbajtur përgjegjësi dhe për të konkretizuar mbrojtjen ndaj planetit. Tema globale sivjet për Ditën e Tokës është ‘Plastika vs. Planeti’. Instalimi artistik i krijuar nga Driton Selmani është pjesë e programit të UNDP-së. Prezantim i fuqishëm më këtë drejtim”, ka thënë ai. 

Vepra më pas do të vendoset në një tjetër hapësirë. Është bërë e ditur se do të shpërbëhet në pjesë të vogla dhe do të modifikohet për ekspozim në disa institucione.