Kulturë

“Muharrem Qena – Ëndërrimtari” me dritëhijet e artistit ikonik

Me shallin që u bë pjesë përbërëse e imazhit të tij, Muharrem Qena, sa qe gjallë, ishte bohem prej artisti. Sado që peripecitë jetësore e përplasën nga shkëlqimi deri në shpërfillje, ai mbeti përherë i dashur për aktorët, një kërkues i të përsosurës në skenë. I krahasuar edhe me “shansonlerët” francezë për sublimitetin e vargut në këngë, Qena gjallërohet edhe sot nëpërmjet interpretimeve të këngëve të tij ikonike. Atë që e kishte nisur para shumë vjetësh regjisorja Arzana Kraja, e që ishte ndërprerë për pak kohë nga vdekja e parakohshme e saj, dramaturgu Arian Krasniqi ka arritur ta përfundojë. Si monografi për artistin e madh e përuruar mu në ditëlindjen e tij të 91-të, “Muharrem Qena – Ëndërrimtari” është libri mbi rrugëtimin e artistit ikonik ndër kohëra

91 vjet më parë në Mitrovicë lindi njeriu që në art e përmes tij do të shumëfishohej si trashëgimi e vyer për brezat e ardhshëm. Ditëlindja e tij është bërë sebep që familjarë, miq e kolegë të bëhen bashkë për Muharrem Qenën, aktorin, regjisorin, dramaturgun, tekstshkruesin e këngëtarin që e ndriçoi nënqiellin kulturor të Kosovës.

Dhe si dhuratë posthume për ditëlindje është bërë promovimi i monografisë “Muharrem Qena – Ëndërrimtari” me autorë Arian Krasniqin dhe Arzana Krajën.

Shandanët e këtij përurimi janë ndezur mbrëmjen e së martës në hapësirat e jashtme të Muzeut Kombëtar të Kosovës.

I nisur qysh në vitin 1999 nga një vajzë e re si “Ana Frank” që i rrinte pranë artistit që shëndeti po i mpakej nga dita në ditë, dialogë e intervista po bëheshin skeletura e një rrëfimi fascionant jetësor. Ishte regjisorja Arzana Kraja ajo që i kishte hyrë kësaj sipërmarrjeje për ta njohur Qenën në të gjitha dritëhijet e tij: nga qëndrimi prej bohemi e deri te i dëshpëruari e i preri në besë nga konformistët “laramanë”.

Me gjithë ndarjen e parakohshme nga jeta të Krajës, filli i rrëfimit nuk do të këputej: dramaturgu Arian Krasniqi do të vazhdonte punën e lënë në gjysmë për të përshkuar jetën e Qenës.

Image
“Qena përjetoi dy ekstreme: ndjenjën e adhurimit, por edhe të injorimit. Kryeqendrën e përjetoi si provincë që e ngufati”, ka thënë mes të tjerash dramaturgu Arian Krasniqi

“Qena – një sistem arti më vete”

Në monografinë me 225 faqe e 15 kapituj është endur rrëfimi që si lëndë të parë ka pasur materialet e grumbulluara në institucione të ndryshme, intervista me familjarë, si dhe fotografi të shumta të nxjerra nga arkivi i familjes Qena.

Dhe ashtu siç paralajmëroi moderatori i mbrëmjes, aktori Armond Morina, përurimi u përshkua në një frymë “muharremski” midis gëzimit e atmosferës së mirë.

Sipas Morinës, ka shumë sisteme shkollash të artit dramatik, si ajo Stanislavski, por edhe Muharremi ishte një sistem më vete.

“Kur hyn brenda tij, të lejohet të bësh çdo gjë, ama bash çdo gjë, liri njerëzore e artistike, por edhe përgjegjësi deri në perfeksion”, ka thënë Morina.

“Deri n’agim e shurdhës asht nata/ dera s’çilet, drita pushon”, ka qenë si “déjà vu” përjetimi për të pranishmit kur muzikanti prishtinas Genc Salihu ka interpretuar këngën e Qenës, “Harmonika e vetmuar”.

“Artisti që ëndërroi”

Me një fjalë rasti drejtuar të pranishmëve, autori i monografisë Arian Krasniqi ka thënë se ka ndjenja të përziera për botimin e monografisë. Është gëzimi i madh për shënimin e ditëlindjes së artistit të njohur, ka theksuar ai, por edhe dhimbja që nuk është më në jetë ajo që e nisi projektin: Arzana Kraja.

“Në antikën greke protagonistët e kishin fatin e paracaktuar që nuk ndryshohej nga vdekatari, qoftë ai edhe hero”, ka thënë dramaturgu Krasniqi teksa e ka cilësuar protagonistin e monografisë si një ëndërrimtar që e kishte yllin në ballë.

Ai ka treguar që libri brenda 15 kapitujve të tij e end lexuesin përmes pamjeve të jetës e veprës së njeriut që u ngjit në skenë që në moshën 19-vjeçare.

“Qena përjetoi dy ekstreme: ndjenjën e adhurimit, por edhe të injorimit. Kryeqendrën e përjetoi si provincë që e ngufati”, ka thënë, mes të tjerash, Krasniqi.

“Si shansonlerët francezë”

E mbrëmja “muharremski” është vijuar me interpretimin e këngës tjetër “Lamtumirë”, e fill pas saj kompozitori e dirigjenti Rafet Rudi ka ndarë vlerësimet e tij për krijimtarinë muzikore të Qenës. Sipas tij, paraqitja e artistit në skenën muzikore ishte e veçantë për faktin që ai nuk këndoi për të bërë karrierë muzikore.

“Ai shfaqej në muzikë vetëm kur kishte për të thënë diçka”, ka thënë Rudi. “Muzika e tij nuk ishte për t’u ngjitur një shkallë më lart në skenë, por një shprehje e çastit që e lironte nga telashet e jetës teatrore”.

Ndërsa këngët kult të Qenës vazhdojnë të këndohen edhe sot, Rudi ka vlerësuar se tekstet e tij shquheshin për rrëfimin e bukur të situatave të thjeshta jetësore.

“Derisa interpretë të ndryshëm thellohen vetëm në aspektin muzikor, Qena i jepte rëndësi fjalës”, ka vlerësuar kompozitori i njohur teksa e ka krahasuar artistin mitrovicas me “shansonlerët” francezë për të cilët fjala është thelbësore.

Dhe kjo është dëshmuar pak minuta më vonë kur këngëtari Salihu ka interpretuar këngën “Salepi”, që është kënduar edhe nga publiku.

Një “Ana Frank” që mblodhi kujtime

Aktorja Igballe Qena ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen në mbrëmjen që bashkëshortit të saj të ndjerë i sjell monografinë që përmbledh rrugëtimin e tij prej ëndërrimtari.

“E falënderoj fatin që bëri të isha bashkudhëtarja e tij për katër dekada”, ka thënë ajo.

Qena, më tej, ka rrëfyer sesi në kohën e bombardimeve të NATO-s, Arzana Kraja, si një “Ana Frank” qëndronte pranë bashkëshortit të aktores duke i mbledhur kujtimet e tij.

“Arzana ishte një ëndërrimtare tjetër e magjepsur me artin e Muharremit”, ka thënë Qena mes lotësh.

Image
Aktorja Igballe Qena ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen në mbrëmjen që bashkëshortit të saj të ndjerë i sjell monografinë që përmbledh rrugëtimin e tij prej ëndërrimtari. “E falënderoj fatin që bëri të isha bashkudhëtarja e tij për katër dekada”, ka thënë ajo

“Krijoi në një kohë për shumë kohë”

Menjëherë pas interpretimit nga Salihu të këngës ikonike “Kaçurrelja”, Adrian Berisha, drejtor për Kulturë në Komunën e Prishtinës, është shprehur se arti i Qenës i ka bashkuar njerëzit në kohëra të mira e të këqija, siç ishte edhe gjatë pandemisë.

“Është nder i veçantë që po promovojmë një libër për krijuesin që do të jetojë përherë përmes veprave të tij që i la trashëgim për sa e sa breza. Ai krijoi në një kohë për shumë kohë”, ka thënë Berisha.

Mbrëmja “muharremski” është përmbyllur me një interpretim ndjenjësor të këngës “Hanë” nga këngëtarja Edona Reshitaj.

Ndryshe, monografia “Muharrem Qena - Ëndërrimtari” është realizuar nga “Integra” me mbështetjen e Komunës së Prishtinës dhe nga Programi Kultura për Ndryshim që financohet nga Bashkimi Evriopian, i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe i implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut.

Si regjisor i rreth 200 shfaqjeve teatrale, Muharrem Qena ishte njeriu i lidhur deri në frymën e fundit me teatrin. Me “Ervehenë” mori 5 shpërblimet kryesore në Festivalin e Steries (Novi-Sad) më 1967, ashtu siç edhe shpërblime të tjera e rendisin ndër krijuesit më të suksesshëm shqiptarë. Në profilin e tij biografik radhitën edhe shfaqje të tjera ku ai ishte regjisor si “Bashkëshortët”, “Zonja me Kamelie”, “Njerëzit me shpresa të thyera”, “Anmiku i popullit”, “Ambrozio shfaros kohën”, e të tjera.

Image
Përurimi u përshkua në një frymë midis gëzimit e atmosferës së mirë