Kulturë

Mozaiku për demonstratat e vitit 1981 dhe rrugëtimi arkivor shpalosen edhe në Pejë

 

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ka sjellë të enjten edhe në sheshin e Pejës ekspozitat njëditore “Vullkani i Republikës” dhe “70 vjet Arkiv”, kushtuar përvjetorit të demonstratave të vitit 1981 dhe themelimit të institucionit më të rëndësishëm arkivor në vend, shtatë dekada më parë.

Në ceremoninë e hapjes, kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, ka thënë se dy përvjetorë të rëndësishëm kanë qenë arsyeja e organizimit të këtyre ekspozitave.

“Materialet që janë të ekspozuara dhe që vizitorët nga Peja kanë mundësi t’i shikojnë janë pasuri arkivore dhe pjesë e thesarit tonë. Për t’i shënuar këta përvjetorë të rëndësishëm, kemi përzgjedhur vetëm disa copëza nga ngjarjet e vitit 1981 dhe anën tjetër për Arkivin e Kosovës, duke filluar nga dokumentet e aktit të themelimit më 20 mars të vitit 1951, për të vazhduar me rrugëtimin e këtij institucioni deri në ditët e sotme”, ka thënë Zymberaj. Panot e vendosura në trajtë gjysmërrethi kthenin në kujtesë – përmes fotografive kopje të aktgjykimeve, si dhe fragmenteve nga shtypi i kohës – demonstratat historike të pranverës së vitit 1981.

“Është përmalluese kur i sheh gjithë këto letra, dokumente e fotografi pas 40 vjetësh. Ishte një ngjarje, një krenari, një vazhdimësi e ngjarjeve të viteve 1951, 1968 dhe paraprijëset e ngjarjeve në vitet ‘90. Është një krenari e madhe kur na ka dalë gjumi herët, sepse e kemi ditur se nuk bën të qëndrojmë nën Serbi dhe si studentë kemi organizuar demonstrata në ato mënyrat tona aq sa kemi mundur dhe mendoj që kemi bërë mirë...”, ka thënë i emocionuar nga kjo ekspozitë Sali Lukaj, pjesëmarrës në demonstratat e marsit e prillit të katër dekadave më parë në Prishtinë e Gjakovë. Për këtë ai ishte dënuar me tre vjet burgim.

Në panot e vendosura krahut të majtë të sheshit është pasqyruar në radhë historia e Arkivit të Kosovës, shpalosur kronologjikisht nëpërmjet fotografive origjinale, dokumenteve me vendimin kur është themeluar e fotografive nga vënia e gurthemelit të ndërtesës së këtij arkivi ku gjendet edhe sot. Aty janë edhe imazhe dokumentesh të rralla nga kohë të ndryshme e deri tek ato më të rejat – deri te shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

E njëjta ekspozitë ishte hapur më 12 prill edhe në Prishtinë.

{gallery}