Kulturë

“Motra Tone” e Idromenos, mural në Shkodër

Një nga punimet më të veçanta të Kolë Idromenos, “Motra Tone” paraqitet si mural në hyrje të Shkodrës

Një nga punimet më të veçanta të Kolë Idromenos, “Motra Tone” paraqitet si mural në hyrje të Shkodrës

“Motra Tone”, vepra ikonike e artistit poliedrik Kolë Idromenos, po shndërrohet në mural në qytetin e Shkodrës. Kryebashkiaku Benet Beci ndau në rrjetet sociale pamje nga realizimi i murales.

“Një nga punimet më të veçanta të Kolë Idromenos po pasqyrohet në një mural nga artistët tanë në hyrje të Shkodrës”, ka thënë kryebashkiaku i Shkodrës.

“Motra Tone” ( 75 me 60 centimetra) u realizua nga piktori Kolë Idromeno në vitin 1883. Këtë portret piktori Idromeno e realizoi në moshën 23-vjeçare dhe është vepra e parë realiste në artet pamore shqiptare. Sipas kritikës, mënyra e qëndrimit, realizimi me mjeshtri i çdo detaji, drita e qetë që e përshkon të tërë figurën në përgjithësi dhe portretin në veçanti flasin për mjeshtërinë e lartë të Idromenos.

Portreti “Motra Tone” nuk u ekspozua për sa kohë ishte gjallë piktori. “Dihet mirëfilli që ky portret nuk është pikturuar në bazë të fantazisë, por në bazë të modelit të gjallë përpara. Për realizimin e veprës ka pozuar vetë motra e piktorit, Tone Shkanjeti (Idromeno), një vit më e madhe se i vëllai. Portreti që u bë i famshëm fillimisht quhej ‘Portret i gruas shkodrane’ e më vonë, ku vepra mbërriti në Galerinë Kombëtare, pas vitit 1954, u emërua si ‘Motra Tone’”, shkruhet në përshkrimin e veprës. 

Nga fundi i shekullit 19 dhe fillimi i shekullit 20, pikturat e Idromenos u shfaqën në ekspozita të ndryshme ndërkombëtare si në Budapest, Romë, Bari, New York e në vende të tjera. Piktura e fundit e Idromenos është “Plaku i Postrribës” (1939), ku ai shpreh gjendjen e vështirë ekonomike të fshatit shqiptar. Fusha të tjera ku Idromemo spikat janë skulptura dhe arkitektura – me rreth 60 ndërtime private e publike në Shkodër të projektuara prej tij.

Në 12 dhjetor të vitit 1939 u nda nga jeta Nikolla “Kol” Idromeno. Ai u lind më 15 gusht 1860 në Shkodër. Ishte artist; piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, muzikant, kompozitor këngësh popullore, operatori i parë i filmave dokumentarë në Shqipëri, që më 1912. Thuhet se familja e tij ishte nga më të njohurat e Pargës në Çamëri. I ati, Arsen Idromeno, kishte ardhur në Shkodër nga ishulli Hidro i banuar nga arbëreshët e Greqisë. Kola filloi të pikturonte qëkur ishte fëmijë. Mësime për vizatim mori duke qëndruar pranë fotografit të njohur të qytetit, Pietro Marubi, i cili e ndihmoi Kolën për të ndjekur studime për pikturë në Venecia. Por, i pamësuar me disiplinën në shkollë, pas 6 muajsh, Kola braktis mësimet pasi fillon të punojë pranë piktorëve dhe artistëve vendas. Kur kthehet në Shkodër, më 1871, ai realizon pikturat e para, një prej të cilave “12 luftëtarët e Pargës në lundër” në përkujtim të largimit të paraardhësve nga Parga drejt Himarës.