Kulturë

“Mos u nxeh Prizren”, për barazi edhe nëpërmjet trashëgimisë kulturore

Në kuadër të shënimit të muajit të ndërgjegjësimit për sindromën Down, shoqata “Down Syndrome Kosova” dhe IPKO Foundation me grupin avokues të këtij komuniteti kanë ngritur zërin për trajtim të barabartë dhe qasje gjithëpërfshirëse në shoqëri. Në aktivitetin e organizuar në Prizren nuk është lënë anash as trashëgimia kulturore e qytetit të vjetër, me qëllim që të promovohet qasja e barabartë edhe në asetet kulturore-historike

Shoqata “Down Syndrome Kosova” dhe IPKO Foundation, në kuadër të shënimit të muajit të ndërgjegjësimit për sindromën Down, të mërkurën në Prizren, me grupin avokues të këtij komuniteti kanë ngritur zërin për trajtim të barabartë dhe qasje gjithëpërfshirëse në shoqëri. Fushatës i është bashkëngjitur edhe organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, duke organizuar lojën “Mos u nxeh Prizren”, për ta inkurajuar qasjen gjithëpërfshirëse në shoqëri, por edhe për të promovuar asetet e trashëgimisë kulturore dhe qasjen e barabartë në to.

Organizatorët kanë bërë të ditur se të rinjtë pjesëmarrës bashkë me anëtarët e “Down Syndrome Kosova” nëpërmjet lojës e argëtimit kanë pasur mundësinë që të shoqërohen, ta promovojnë gjithëpërfshirjen, por edhe të njihen me imazhet që identifikojnë trashëgiminë kulturore të Prizrenit. Njëkohësisht kanë diskutuar rreth mbrojtjes së trashëgimisë së përbashkët kulturore, sikurse edhe për lehtësimin e qasjes në asetet e trashëgimisë kulturore.

Image

Të rinjtë pjesëmarrës bashkë me anëtarët e “Down Syndrome Kosova” nëpërmjet lojës e argëtimit kanë pasur mundësinë që të shoqërohen, ta promovojnë gjithëpërfshirjen, por edhe të njihen me imazhet që identifikojnë trashëgiminë kulturore të Prizrenit (Foto: Ec Ma Ndryshe)


“Grupi avokues i personave me sindromën Down po i promovojnë të drejtat e tyre për gjithëpërfshirje në shoqëri. Po ashtu këtij aktiviteti i është bashkëngjitur edhe organizata joqeveritare 'EC Ma Ndryshe', e cila ka bërë të mundur zhvillimin e aktivitetit 'Prizren, mos u nxeh', ku po marrin pjesë personat me sindromën Down dhe qytetarë të tjerë të rastit”, ka thënë Pajtesa Peqani, “Down Syndrome Kosova”.

Nora Simitçiu nga organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka thënë se qëllimi kryesor i këtij aktiviteti të përbashkët ka qenë përcjellja e mesazhit për trajtim të barabartë dhe qasje gjithëpërfshirëse në shoqëri, duke mos e lënë anash as trashëgiminë kulturore të qytetit të vjetër.

Image

Fushata e ndërgjegjësimit për sindromën Down është aktive gjatë tërë muajit tetor (Foto: Ec Ma Ndryshe)


“Në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen prej ‘Down Syndrome Kosova’ për ndërgjegjësim në muajin e personave me sindromën Down, edhe ‘EC Ma Ndryshe’ në Prizren ka organizuar aktivitetin ‘Prizren, mos u nxeh’, i cili ka për qëllim kryesisht të rinjtë të njoftohen sa më shumë me trashëgiminë kulturore, me elementet e trashëgimisë kulturore të Prizrenit. Kështu që, përveç përcjelljes së mesazhit për gjithëpërfshirje në shoqëri edhe trajtim të barabartë, EC-i synon që përmes lojës dhe argëtimit të rinjtë të njoftohen për trashëgiminë kulturore”, ka thënë Simitçiu.

Fushata e ndërgjegjësimit për sindromën Down është aktive gjatë tërë muajit tetor.