Kulturë

“Mos ëm’kqyr” vështron me sytë e gruas

E errëta është ajo që përçojnë në shikim të parë, por thellimi ka ndriçimin në qendër. Me gruan si protagoniste, secila prej tyre trajton personazhin kryesor si hyjneshë e shoqërisë. Gjashtë pikturat e ekspozitës “Mos ëm’kqyr” janë ato të cilat përcjellin një cikël të tërë të saj se si trajtohet femra. Titulli është si kontrapunkt. Përderisa “urdhëron” për të mos e parë, në esencë fton për të kundërtën: vështrimin e pozitës së gruas.

Nëpërmjet veprave Ariana Bekteshi zgjedh labirintin e vlerësimit të gruas ndër vite duke e minimizuar një rrugë, e cila deri te kjo ekspozitë mund të konsiderohet komplekse.

Që në hyrje të ateliesë ku janë ekspozuar pikturat, fenomeni thjeshtëzohet me ngjyra dhe forma krejt konkrete. Trajtesa nis me pikturën e parë, që është e vetmja në të cilën autorja nuk e ka përsosur figurën femërore, dhe kjo jo pa qëllim. Periudha që piktura e parë paraqet është e shumë kohëve më parë, në të cilën nuk merret për bazë inteligjenca e gruas. Kjo pikturë madje nuk është e pagëzuar. Ndonëse periudha që ajo paraqet është jo e dashur, ajo duket se e plotëson mozaikun e asaj që autorja ka pasur për synim të sjellë me anë të tyre.

Pesë pikturat e tjera sjellin femrën në dimensione të ndryshme. Secila është e konkretizuar, është më minimale në realizim pa pasur në thelb krijimin e imazheve me hije e abstraksion.

Rrugën e këtyre pikturave e përfundon ajo e titulluar “Goddess”, ideja e së cilës është konsiderimi i gruas në pikturë si e tillë. Fytyra e saj është e realizuar në atë mënyrë që ngjan me personazh të animuar, roli i së cilës është ndihmesa. I gjithë titulli i saj si perëndeshë rrjedh si pasojë e kontrastit të ngjyrave përderisa ambientin e sjellin të errët, personazhin e paraqesin ndriçues.

E veçuar është piktura me titull “Embrion” dhe atë e ka në qendër. Tek ata që e shohin ndryshe nga të tjerat, dominon me ngjyra. E ndarë më vete në muret e ateliesë, periudha që ajo paraqet është ajo që përthekon të gjitha ciklet e tjera në pikturë, duke qenë pjesë e gruas çdoherë.

Në përmasa 1.5 me 1 metër, secila nga veprat përmbledh idenë e të qenit grua në periudha e dimensione të ndryshme, e kjo ndodhi sidomos në përmbylljen e ekspozitës mesditën e së martës. Janë pikërisht këto dimensione që “Mos ëm’kqyr” ia ka dhënë gruas fuqinë që t’i menaxhojë në mënyrën e saj, qoftë edhe duke mos e lejuar ta shohin.

“Me këtë ekspozitë kam dashur të tregoj për ‘mos ëm kqyr’, ku ne si femra jemi ndonjëherë të ndjeshme nga ajo që ekspozojmë, që duam të arrijmë në jetë. Është një sy që të vështron prej një distance që të bën të ndihesh keq, dhe kjo është pjesë e asaj që i referohemi me ‘mos ëm’kqyr’”, ka thënë Ariana Bekteshi. Ka shpjeguar nismën e ekspozitës së saj duke rrëfyer se pikturat, pos tjerash, nisen ndonjëherë edhe nga përjetimet personale të saj si grua. “Mbas saj kam dashur të paraqes pjesën e feminizmit në aspektin e cilësisë femërore, mbi të gjitha etapat e jetës dhe të gjitha erërat nëpër të cilat kemi kaluar”, ka thënë ajo.

Është ekspozita e katërt e saj personale, ani pse ka 14 vjet pa realizuar një të tillë. Rikthimi i saj në këtë fushë, ndonëse nuk pushoi asnjëherë së zhvilluari art, ka prapa edhe mesazhe.

“Po nisem pak nga aspekti personal. Për vite të tëra kam ndërruar pak pjesën e punës nga dizajni, piktore, e të gjitha të tjerat. E kam parë nga ato limite që ne ia vendosim vetes që ne mund të jemi edhe shumë më të afta dhe të arrijmë shumë më shumë edhe në karrierën tonë dhe shumëçka tjetër”, ka thënë artistja, duke iu referuar me “sukses” ekspozitës tashmë të përmbyllur të saj.

“Pikërisht ky emër ‘Mos ëm kqyr’ ka qenë i pikturës së fundit të quajtur perëndeshë apo ‘Goddess’, që të gjithë e kanë komentuar si hipnotike shkaku i syve. Në këtë pikturë specifike jam fokusuar më shumë te syri. Kjo, sepse syri është i vetmi organ në trup që nuk ndryshon asnjëherë dhe nuk plaket. Në bazë të saj mundesh me ndje dhimbjen, shpirtin, të gjitha”, ka thënë ajo, teksa fliste për komentet që ka marrë sa i përket kësaj ekspozite.

Në mbyllje të saj të pranishmit, që qenë kryesisht të botës së artit, me artisten ndanë kënaqësinë e një ekspozite që, sipas tyre, qe e suksesshme dhe nuk u ndikua nga pauza e artistes në paraqitjet para publikut.

E suksesshme u konsiderua edhe nga profesori dhe artisti Musë Prelvukaj, që Bekteshin si artiste e njeh qysh nga bankat shkollore.

“Në këtë ekspozitë sado të jetë me përmasa të cilat i ka, e shoh një kultivim të figuracionit me shumë simbolikë dhe domethënie. Që do të thotë se metafora ka zënë vend në kompozicionin e piktores Ariana Bekteshi”, ka thënë Prelvukaj.

Ai ka theksuar se pavarësisht metaforës që vëren mbrapa pikturave të saj, ato i përgjigjen kohës bashkëkohore.

“Ariana ka evoluar. Ka ecur para. Ka bërë shumë piktura. Por, pos sasisë ajo ka edhe kualitet. Mjafton tri ose katër punime t’i shohësh që të japësh një vlerësim për Arianën. Këtu është në një stil. Ka edhe elemente surrealiste dhe të pikturimit sipërfaqësor, por te figuracioni është shumë e kujdesshme. E kultivon figuracionin me një pedanteri dhe një shkrirje të ngjyrave, duke kërkuar plastikën apo formën e kompozicionit që ajo kultivon”, ka thënë ai.

Shkrirja e ngjyrave e vijat e çarta të ekspozitës duket se kënaqnin të pranishmit.

“Jam e impresionuar. Jo vetëm nga talenti, por edhe nga temat për të cilat ajo është duke punuar. Është fascinuese për mua. Ky është arti i vërtetë dhe ajo është me të vërtetë shumë e talentuar. Jam e lumtur që jam në Prishtinë për të parë këtë ekspozitë”, ka thënë Kristina Atovska, artistja nga Shkupi e cila synon që prillin e këtij viti ta pasurojë me një ekspozitë në të cilën do të ndajë përjetime nga Ukraina.