Në infrastrukturën e kryeqytetit pa një sallë adekuate koncertesh të tilla, nuk ka ndryshuar gjë, e as te grupi anglez, por kjo është arma e fuqishme që e mban atë. “Morcheeban”, 15-vjetori i Pavarësisë e ka rikthyer në Prishtinë, aty ku ka performuar edhe më 2010 dhe ia ka sjellë asaj të njëjtën energji për të cilën çmohet dhe pushton skena gjithandej
Kur Skye Edwards ka qenë për herë të parë në Prishtinë, kishte thënë prerazi se do të rikthehej, për një koncert të radhës. E ka bërë këtë hiç më pak se pas 13 vjetësh. Jo shumë larg vendit ku grupi i saj “Morcheeba” performoi në gushtin e vitit 2010, atë dhe kolegët e formacionit i ka rikthyer 15-vjetori i Pavarësisë. Në infrastrukturën e kryeqytetit pa një sallë adekuate koncertesh të tilla, nuk ka ndryshuar gjë, e as te grupi anglez, por kjo është arma e fuqishme që e mban atë. Ani pse tash e tri dekada në skenë, “Morcheeba” ndjek të njëjtin ritëm dhe sjell të njëjtën energji. E ka bërë këtë edhe të premten mbrëma, në sallën e sporteve në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve. Në parkingun e tij qe koncerti i parë në kryeqytet i grupit që për filozofi të muzikës ka spontanitetin.
Jo pak ngjarje ka pasur nëpër Prishtinë në ditëlindjen e shtetit, e “Morcheeba” nga autoritetet komunale është paralajmëruar si një prej kryesoreve, ani pse është konfirmuar në momentet e fundit. Dyert e sallës janë hapur nja tri orë para se pesëshja të ngjitet në skenë dhe kanë qenë artistët vendorë ata që e kanë nxehur fillimisht atmosferën. Kur ka qenë radha e “Morcheebas”, skena është ndriçuar me ngjyra shumë, por zbehtë. Është një lloj koreografie ngjyrash e tymi, që i shërbejnë si rekuizitë magjisë së tingujve që sjell ky bend i shquar për harmonizim zhanresh ku prin trip-hopi, pasuar prej elektros, rockut alternativ dhe jo vetëm.
Me këngët plot ritëm e muzikalitet të fuqishëm, bendi bëri që publiku të vallëzonte pa pushim. Ose të futet në magjinë e tingujve të tyre. Zëri i butë e i kthjellët i vokalistes së grupit, Skye Edwards, shpërndahej tejpërtej skenës e të merrte me vete duke të dhënë një freski të ëmbël e një ndjenjë optimizmi e qetësie. Përveç kësaj, ishte mjeshtëria me të cilën Edwards komunikonte me publikun ajo që i jepte edhe më shumë hijeshi e atmosferë performancës.
Në vargun e një sërë këngësh që Morcheeba këndoi, si: “The Sea”, “Friction”, “World looking in”, “Otherwise”, “Sounds of blue”, “Enjoy the ride”, “Trigger hipie” e të tjera, ishte kënga “Oh oh yeah” e albumit të fundit “Blackest Blue”, të publikuar në maj të vitit 2021, ajo që e ndezi më së shumti publikun. Refreni prej tetë vargjesh me titullin e lehtë që përsëritet tri herë brenda këngës ishte i lehtë për t’u mësuar edhe nga ata të cilët mund edhe të mos ia dinin këngët. Së bashku me Edwards performuan edhe katër anëtare të grupit: Ross Godfrey në bas-kitarë, Dom Pipkin në sint, Steve Gordon në bas-kitarë dhe Jaega Mckenna-Gordon në bateri. Bas-kitaristi Ross Godfrey ishte ai që uroi publikun për pesëmbëdhjetëvjetorin e Pavarësisë teksa u shpreh se ndiheshin të nderuar që po japin koncert në Kosovë.
E natyrshme, “Morcheeba” ka një publik specifik dhe kjo i ishte konfirmuar edhe në debutimin e tyre në Prishtinë. Për artistë si Arbër Salihu, i njohur me emrin artistik La Fazani, ky grup anglez është në listën e tij. Edhe muzika e tij ka një tis prej grupit anglez.
“’Morcheeba’ është një bend legjendar. Definitivisht është prej bendeve që prej se kam qenë adoleshent i kam pasur nëpër playlista. I kam dëgjuar edhe herën e parë kur kanë qenë këtu para disa vjetësh dhe tash është hera e dytë që po vijnë. Janë bend superkualitativ. Kësi kualiteti nuk na bien shpesh me pa apo me përjetu në Kosovë”, ka thënë Salihu, i cili kësaj radhe ndau po të njëjtën skenë me ta. Ka interpretuar në mini-koncertin para mysafirëve specialë.
Po në atë program qe edhe këngëtari Shpat Deda. Ka qenë hera e dytë që ka performuar para bendit anglez.
“Është kënaqësi shumë e madhe sidomos kur dihet se energjia e muzikës na përshtatet me njerëz që vijnë për njëfarë muzike të ngjashme. Para trembëdhjetë vjetëve unë s’e kam ditur aq mirë se kush jam, sot e di shumë ma mirë, sot jam ndie shumë më lirë. Ndërsa atëherë ka qenë një gjë e paharrueshme”, ka thënë ai ende nën emocionet e performancës.
Performancën e para trembëdhjetë vjetëve të Mocheebas e mban mend edhe DJ Adrian Berisha, ndonëse ai ka thënë së do të donte që kësaj radhe të vinte dikush tjetër.
“Po unë e mbaj mend edhe herën e parë kur ka qenë këtu. Ka qenë një ndjenjë e jashtëzakonshme, edhe është shumë interesant që ta kemi ‘Morcheeban’ prapë këtu. Interesant po edhe pak çuditshëm. Të them sinqerisht unë do të doja ndonjë bend tjetër për herë të parë, por është mirë që ka ardhur edhe ‘Morcheeba’ dhe që ia kemi dalë ta organizojmë”, ka thënë Berisha, i cili përveç performancës si DJ, ka ndihmuar edhe në realizimin e koncertit, si pjesë e stafit të Komunës së Prishtinës.
Rikthimi i grupit në kryeqytet ka qenë për qefin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Ai ka qenë iniciuesi i koncertit.
Këshilltari në Kuvendin Komunal, Pëllumb Bajqinovci, ka thënë se kryetari e ka propozuar këtë tok me nënkryetarin Alban Zogaj.
“Insistimi ka qenë i kryetarit Rama dhe nënkryetarit Zogaj, meqenëse të dy kanë studiuar në Angli. Për shkak të lidhjes së tyre me muzikën indi-pop kanë insistuar që të jetë një bend anglez në Prishtinë. Sigurisht se ndoshta ka pasur edhe disa ide të tjera, mirëpo e di se si funksionojnë bendet e mëdha. ‘Kanë turne botërore dhe është e vështirë që në data të caktuara, përkundër financave, me qenë këtu”, ka bërë të ditur ai, teksa ka shtuar se ishin shumë me fat që “Morcheeba” ka qenë e lirë në këtë datë.

Në tërësi koncerti zgjati pothuajse pesë orë dhe duket sikur publiku nisi të lodhej. Pas një kohe, atëherë kur “Morcheeba” gati se kishte tridhjetë minuta që po performonte në skenë, salla nisi të zbrazej. Megjithatë ishin fansat besnikë të “Morcheebas” ata që qëndruan deri në fund e që e bindën atë të kthehej në skenë pas përfundimit të performancës. “Morcheeba” performoi edhe dy këngë të tjera.
Përveç pesëshes angleze, publiku diti t’i shijonte edhe performancat e tjera, atë të La Fazanit e atë të Shpat Dedës. Dy këngët plot ritëm të La Fazanit, “Hajde me shuplake” dhe “Mustafa” ishin ato që siç u pa publiku i njihte më së miri. Ndonëse ai nuk ndenji duarkryq as kur u kënduar këngët e tjera, ishin këto dy momente kur ai u pa të sinkronizohej e këndonte së bashku me këngëtarin.
”U pa energjia ka qenë shumë shumë super. Prishtina është qyteti im, ku unë jam rritur dhe ku e kam kaluar shumicën e jetës. Është gjithmonë kënaqësi ta shohësh një sallë të mbushur plot në Prishtinë, duke e mbështetur një muzikë të bendeve, një muzikë që nuk është zakonisht para syve të publikut në atë nivelin qysh ndoshta do të duhej të ishte”, ka thënë Salihu, njëri prej kantautorëve më unikë të gjeneratës së tij.
Me një energji të tillë, ndonëse nën tingujt paksa me melankolik, publiku e priti edhe këngëtarin Shpat Deda. Secila prej këngëve të tij sillte atmosferë paqeje e qetësie, që domosdoshmërisht lidhej edhe me tingujt e butë që sinkronizoheshin në mënyrë të përkryer me ata të kitarës së tij. Mbrëmjen e përfundoi me këngën “Ninullë”.
“Ua kushtoj njerëzve të dashur që nuk janë më në mesin tonë”, ka qenë dedikimi i tij. “Nuk ka ndjenjë më të mirë nuk ka ndjenjë më përmbushëse. Me të vërtetë ndihem shumë me fat që jam këtu ku jam sot. Jam ndie tepër mirë. Në qytetin tim në Prishtinë ndihem gjithmonë mirë. Po shihet një publik fantastik. Jena kënaqë shumë. Kemi bërë muzikë me njerëz që i dua shumë e për të cilën nuk kam veç fjalë të mira”, ka thënë Deda.
Në pesëmbëdhjetëvjetorin e Pavarësisë, Deda ka kujtuar me nostalgji realizimin e ëndrrave të tij të atëhershme.
“Është ndjenjë shumë e veçantë kjo sepse mua para pesëmbëdhjetë vjetësh më janë plotësuar dy ëndrra. E para ka qenë që Kosova të bëhet shtet. E kemi shtetin tonë dhe e kemi lirinë, Pavarësinë tonë. Ëndrra e dytë ka qenë që e kam lansuar këngën time të parë para pesëmbëdhjetë vjetëve, kështu që sot në këtë 15-vjetor e kam pasur një ëndërr të re që të dyja më janë bërë bashkë”, ka thënë ai, duke aluduar në këngë “Instinktivisht”.
Këshilltari Pëllumb Bajqinovci ka folur edhe për organizimin e këtij koncerti, teksa ka dhënë detaje lidhur me kërkesat e bendit.
“Realisht kapaciteti ka qenë me përmasa prej dy mijë personave me pjesën veriore të tribunës dhe pjesën e qëndrimit në këmbë. Iu kemi përmbajtur edhe rregullave strikte që ka kërkuar bendi ‘Morcheeba’ përmes edhe ekspertëve të sigurimit që i kemi marrë edhe realisht çdo gjë ka qenë në ato parametra specifike. Përveç pjesës së sigurisë: hyrjes dhe daljes, kemi marrë edhe masa si ekipet ambulatore dhe të qendrës spitalore të Kosovës, pastaj kemi pasur dyoksid karbon dhe masa të tjera kundër zjarrit. Kemi pasur dyshemenë speciale, e cila nuk e lejon zjarrin të shpërndahet”, ka treguar ai.
Sa i përket shitjes së biletave, Bajqinovci ka dhënë vetëm një shifër të përafërt, teksa ka theksuar se publikimi i kostos financiare do të bëhet në ditët në vijim.
“Ndoshta kanë qenë diku një mijë e më shumë, nuk e di sigurt, për arsye se edhe Komuna e Prishtinës nuk i ka shitur biletat, por e ka bërë përmes agjensionit ‘Rave Travel’, i cila e ka bërë edhe një promo të biletave. Bileta ka pasur edhe për institucione komunale dhe të nivelit qendror, të cilat janë shpërnda si formë e ftesës, për arsye se për herë të parë nuk kemi krijuar tribunë të posaçme VIP dhe nuk kemi krijuar hyrje të posaçme”, ka thënë ai.
Grupi “Morcheeba” ishte edhe arsyeja pse shumë qytetarë kishin zgjedhur të vinin në këtë koncert. Disa prej tyre madje kishin qenë edhe në performancën e fundit që “Morcheeba” kishte mbajtur në Kosovë.
“Është kënaqësi me shku në një koncert kudo që është dhe normalisht si arsye ka qenë edhe festa e Pavarësisë. Unë kam qenë edhe më herët në koncertin e ‘Morcheebas’, mbrapa ‘Boro Ramizit’ dhe më ka marrë malli t’i dëgjoj dhe erdha prapë”, është shprehur Yll Xhaferi.
Ndërkaq Ganimete Oseku ka thënë shkurt: “Më pëlqejnë. I dëgjoj dhe prandaj edhe kam ardhur t’i dëgjoj edhe live”.
“Morcheeba” është themeluar në mesin e viteve 1990 me vokalisten Skye Edwards dhe vëllezërit Ross dhe Paul Godfrey. Që nga viti 1995 kanë lansuar dhjetë albume, si: “Big Calm”, “The Antidote”, “Dive Deep”, “Charango” e të tjerë dy prej të cilëve arritët të hynin edhe në top-dhjetëshen britanike. Pas dorëheqjes së Paul Godfrey në vitin 2014, Edwards dhe Ross Godfrey formuan “Skye & Ross” dhe lëshuan një album me po këtë emër. Albumi i tyre i fundit, “Blackest Blue”, u publikua në maj 2021 dhe përbëhet nga këngë si: “Sounds of Blue”, “Oh Oh Yeah” dhe “The Moon” e të tjera. Me energji e ka përmbyllur “Morcheeba” koncertin në Prishtinë. Edhe pas tyre ritmin e kanë mbajtur DJ Erleta dhe DJ Adrian.