Pas ndërhyrjeve e restaurimeve disavjeçare, në godinën e Kongresit të Alfabetit – ku sot është Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe – të martën kanë përfunduar punimet e fundit me të cilat është lidhur me ujësjellësin e qytetit. Paçka se bëhet më shumë se një dekadë qëkur fitoi statusin e muzeut, ngrehina ikonike në Manastir vazhdon t’i trashëgojë problemet e vjetra
Me lidhjen në ujësjellësin kryesor të qytetit janë kurorëzuar punimet rikonstrukuese në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir. Pas një pritje prej gati 15 muajsh, vetëm të martën është përmbyllur punimi i fundit për lidhjen e godinës së muzeut me ujësjellësin qendror. Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të këtij muzeu në “Facebook”.
“Me përpjekjen e drejtorit të Muzeut, Zait Aliu dhe bashkëpunimin me institucionet publike ‘Vodovod’ dhe ‘Niskogradba’ nga Manastiri, sot Muzeu është kyçur në ujësjellësin kryesor të qytetit, me të cilin stafi do të ketë mundësinë në ditët që vijnë të hyjë në zyrat ku ishin deri para fillimit të rikonstruimit të kësaj godine. Kjo është shumë me rëndësi për punën dhe funksionimin normal të këtij institucioni”, është thënë në këtë njoftim.
Prej vitesh, godina ikonike në bulevardin “1 maji”, ndan të cilit vijon rrjedhën lumi i Dragorit, u është nënshtruar ndërhyrjeve e investimeve të pjesshme.
Drejtori i këtij muzeu, Zait Aliu, ka bërë të ditur se investimi për ujësjellësin është mbuluar plotësisht nga buxheti i Ministrisë së Kulturës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Prej kohës kur nisi restaurimi, stafi nuk ishte vendosur në zyrat e mëparshme për shkak se nuk punonin nxemjet”, ka thënë Aliu në një prononcim për KOHËN.
Por derisa i është bërë zgjidhje problemit me kyçje në ujësjellës, Muzeu i Alfabetit vazhdon t’i ketë dyert e mbyllura për vizitorë.
Pas masave të marra javën e kaluar nga Qeveria në Shkup, ky muze, ashtu sikundër edhe institucionet e tjera kulturore në vend, ka anuluar vizitat, organizimet dhe konferencat e ndryshme deri më 20 prill.
“Ne ndodhemi në një gjendje të vështirë, por megjithatë, do ta vazhdojmë me realizimin e projekteve, promovimin e institucionit në vend e rajon si dhe bashkëpunimet me muze të tjerë”, ka thënë Aliu.
Por thesit me probleme për muzeun që monumentalizon një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë shqiptare në fillim të shekullit të kaluar – përcaktimi për alfabetin me shkronja latine – ende nuk i është lidhur gryka.
Kuadrit të angazhuar në Muze vazhdojnë t’i mungojnë profile të specializuara si historianë e gjuhëtarë. I trashëguar nga vitet e kaluara është edhe halli i kontestit pronësor me dyqanet e qeramikës dhe pajisjeve hidrosanitare brenda hapësirave të ndërtesës.
Së fundmi, Ministria e Kulturës ka ndarë vetëm 6 mijë euro buxhet për muzeun më të rëndësishëm shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Me një investim të mbuluar krejtësisht nga Ministria e Kulturës në Maqedoninë e Veriut, ndërtesa e Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, është lidhur me ujësjellësin e qytetit. Sipas drejtuesve të këtij institucioni, kjo do të ndihmojë në normalizimin e punës brenda këtij Muzeu
“Kjo qasje ndaj institucioneve të kulturës, siç është Muzeu i Alfabetit, është denigruese dhe nënçmuese për kulturën shqiptare”, kishte thënë javë më parë Faton Fazliu, përfaqësues i koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.
Edhe vitin e kaluar, buxheti i ndarë prej 1 milion denarësh (16 mijë euro) ishte vetëm gjysma e shumës së kërkuar nga Muzeu për realizimin e disa projekteve (botimi i materiale, realizimi i programeve edukative për nxënësit shqiptarë si dhe blerjen e pajisjeve të nevojshme). Sipas mediave shqiptare dhe shoqërisë civile në Maqedoni, buxheti që ndahet përvitshëm nga shteti për këtë muze as nuk i afrohet atij që ndahet për Muzeun e VMRO-DPMNE-së.
Deri më tani investimi më i madh për Muzeun e Alfabetit është ai i filluar më 2017 me 300 mijë euro të ndara nga fondet IPA të Bashkimit Evropian. Asokohe, ky projekt kishte fituar në mesin e 39 aplikimeve në kuadër të programit për bashkëpunim ndërkufitar me Greqinë. Pjesa më e madhe e fondit të akorduar, rreth 70 për qind e tij, ishte paraparë për restaurimin dhe konservimin e ndërtesës. Projekti përfundoi në nëntor të vitit 2019.
Me synimin për ta ruajtur identitetin e ndërtesës, kati i parë ishte planifikuar të funksiononte si kafe-librari dhe dyqan suveniresh historike.
Pos dhomës përkujtimore me 11 figurat e silikonta të nënshkruesve të vendimit për alfabetin, në Muze është edhe ekspozita e përhershme me 51 fotografi të personaliteteve meritore, delegatë të Kongresit si dhe dokumente të tjera me vlerë historike.
Po ashtu, brenda Muzeut është krijuar edhe një kënd edukativ e argëtues për fëmijë.
Përveç si vendi ku dhjetëra delegatë morën pjesë në punimet që filluan nga 14 nëntori i vitit 1908 deri më 22 nëntor, ngrehina dykatëshe ka pasur pronarë shqiptarë. Aty patriotët Themistokli dhe Telemak Gërmenji kishin hapur hotelin me emrin “Liria”, por që u shndërrua në çerdhe të gjallë të qarqeve atdhetare që kërkonin pavarësinë e Shqipërisë.
Me mbetjen e Manastirit dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi, ngrehinës do t’i mohohej historia e saj: për dekada të tëra aty funksionoi administrata e ujësjellësit të qytetit.
Kjo gjendje do të ndryshonte më 24 nëntor të vitit 2009 kur Qeveria e asokohshme në Maqedoni mori vendimin për themelimin e institutit nacional “Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe” për mbrojtjen, hulumtimin, mbledhjen, rregullimin dhe përpunimin profesional e shkencor si dhe studimin e objekteve muzeore, që janë të rëndësishme për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Me vendimin nr. 3042010000-4673, në dhjetor të vitit pasues, ky muze u përfshi në regjistrin qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Me një sipërfaqe prej 379 metrash katrorë, “Muzeu i Alfabetit” përfshin hapësirat ekspozuese, zyrat e stafit si dhe dhomat për shërbime të tjera.
Për vite me radhë, edhe pas statusit si Muze kombëtar, ndërtesa historike është kthyer në cak sulmesh nga ekstremistë maqedonas, ashtu sikundër që në muret e saj shpesh janë shkruar grafitë me përmbajtje antishqiptare.