Kulturë

Monumenti i djegur në Ferizaj gati i restauruar, ende pa destinim

Përderisa punimet restauruese të objektit të ish-shkollës së parë shqipe në Ferizaj janë afër finalizimit, institucionet lokale dhe ato qendrore ende nuk e kanë ndonjë vizion të qartë se çka do të shërbejë ky objekt dhe kush do ta menaxhojë atë pas finalizimit të projektit. Komuna e Ferizajt ka edhe kritika për cilësinë e punimeve. Një grup artistësh e do për shkollë arti, një tjetër ide është që aty të zërë vend institucioni muzeor e arkivistik, por ende nuk ka vendim final

Rinovimi i objektit të ish-shkollës së parë shqipe në Ferizaj pas djegies muaj më parë është në fazën e fundit të punimeve restauruese.

Por institucionet lokale dhe ato qendrore ende nuk e kanë ndonjë vizion të qartë se çka do të shërbejë ky objekt dhe kush do ta menaxhojë atë pas finalizimit të projektit.

Në Komunën e Ferizajt kanë thënë se punimet në këtë objekt përveçse janë zvarritur, janë bërë me cilësi të dobët. Ndërkaq për shkaktarin e zjarrit në këtë objekt në muajin mars të këtij viti, organet e drejtësisë, siç ishin zotuar, patën nisur hetimet dhe kanë përcjellë të gjitha kamerat e qytetit duke rezultuar me ngritjen e një kallëzimi penal ndaj një personi me çrregullime mendore, i cili dyshohet se ishte shkaktari i zjarrit.

Rinovimi i objektit të shkollës së parë shqipe në Ferizaj pritet të marrë fund këtë muaj. Rreth 600 mijë euro i ka kushtuar buxhetit të Ministrisë së Kulturës një projekt si ky në objektin e ndërtuar më 1929.

Gazetari Rexhep Maloku, deri vonë menaxher projektesh në një organizatë lokale në Ferizaj, e cila monitoron zhvillimet në institucionet publike të qytetit, ka thënë se në të kaluarën ishte tentuar që objekti i shkollës të rrënohej dhe të ndërtohej një kompleks banesor me koncesion nga Komuna.

“Prej që është hequr dorë nga kjo shkollë, ka qenë e gjithkujt dhe e askujt. Ka pasur debate të mëdha publike e private që pushtetet kanë provuar që ta rrënojnë këtë objekt dhe t’ua japin ndërtuesve për ndërtime të larta, ndërkohë ajo shpëtoi nga ato përpjekje, por megjithatë shkolla u dogj shkaku i papërgjegjësive të institucioneve lokale dhe qendrore”, ka thënë Maloku. Sipas tij, ky objekt është shumë i rëndësishëm jo vetëm për trashëgiminë kulturore, që është një objekt i mbrojtur dhe tash po restaurohet me një kosto dy herë më të lartë në krahasim me koston e parë të projektit për shkak të pasojave të pariparueshme të djegies.

“Ende nuk dihet saktësisht se çfarë do të ndodhë pasi që ka diskutime të ndryshme dhe ka një kërkesë nga artistët e ‘Mural Festit’, që dëshirojnë ta kthejnë në një shkollë të artit. Megjithatë ka pasur edhe propozime të ndryshme që të jetë në përdorim për muzeun e qytetit, i cili ka një hapësirë të kufizuar dhe jo të dinjitetshme për të gjitha ato artefakte që mblidhen”, ka thënë ai. Sipas Malokut edhe kjo pjesë e debatit vazhdon nga debati i vjetër, që ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë për shkak të komunikimit jo të duhur dhe jo të sinqertë ndërmjet autoriteteve lokale dhe qendrore.

Image
Objekti i shkollës së parë shqipe në Ferizaj, më 14 mars të këtij viti, një ditë pasi u përfshi nga flakët

Selim Marevci, zëdhënës i Komunës së Ferizajt, ka thënë se qeverisja lokale nuk është e kënaqur me dinamikën dhe me cilësinë e punimeve, ani pse objekti është në pronë komunale. Ka thënë se ende nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët me institucionet qendrore se çka do të shërbejë objekti.

“Pavarësisht që ne nuk jemi të kënaqur me ecurinë e punimeve në këtë objekt, ajo që vlen të theksohet është se objekti është pronë e Komunës së Ferizajt dhe se i përket destinimit pas përfundimit të projektit, kemi kërkesa nga grupi i artistëve që të bëhet shkollë e artit dhe kërkesa të tjera që të bëhet si arkiv historik. Të gjitha këto konsultime do të jenë në bashkërendim me Ministrinë e Kulturës, sepse është objekt në kuadër të trashëgimisë kulturore dhe në këtë rast i bie që të jetë konform destinimit për trashëgimi kulturore dhe varësisht kërkesave dhe bashkërendimit me Ministrinë e Kulturës do të vendosim se për çfarë do të destinohet objekti”, ka thënë Marevci.

Ministria e Kulturës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS qysh nga mesi i muajit tetor.

Në Policinë e Kosovës në Ferizaj kanë sqaruar se për rastin e djegies së ish-shkollës me kohë ishin nisur hetimet dhe ka rezultuar që të ngrihet një kallëzim penal, të cilin e kanë proceduar në prokurori.

“Të nderuar, Sektori i Hetimeve Rajonale në Ferizaj, më datën 14.3.2023, nën autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj i ka nisur hetimet në lidhje me rastin ‘Zjarrvënie’ në objektin e ish- gjimnazit ‘Jeronim De Rada’, ish-Shkolla e Vjetër Ekonomike, objekt i rëndësisë së veçantë i trashëgimisë kulturore. Pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, më datën 9.6.2023 ka ngritur kallëzimin penal dhe rasti është proceduar në Prokurorinë Themelore në Ferizaj me kryes të njohur. Për informata shtesë i drejtoheni Prokurorisë Themelore në Ferizaj”, shkruhej në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Në Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë thënë se në muajin maj kanë pranuar kallëzim penal nga Policia e Kosovës.

“Më datën 9.6.2023, në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, është pranuar kallëzim penal nga ana e Policisë së Kosovës ndaj të dyshuarit me inicialet B.V., për shkak të dyshimit të veprës penale ‘Zjarrvënia’ nga neni 322 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ndaj të njëjtit është zhvilluar procedura për marrjen e zotësisë së veprimit sipas numrit të Gjykatës 2023:020751, ku, është lëshuar Aktvendim, i cili sipas informatave të Prokurorisë, është bërë i plotfuqishëm dhe në bazë të cilit i është hequr zotësia e veprimit të njëjtit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Ferizaj. Sipas përgjigjes, Prokuroria Themelore në Ferizaj është në proces të grumbullimit të të gjitha lëndëve ndaj të pandehurit në fjalë, meqenëse ndaj të njëjtit figurojnë disa vepra të ndryshme penale dhe më pas, ashtu siç edhe e parashohin dispozitat ligjore, të vendoset për të gjitha rastet në mënyrë unanime.

Më 13 mars, ndërtesa kishte nisur të restaurohej me projektin që peshonte gjysmë milioni euro. Një ditë pas mëngjesi e gjeti në zjarr duke bërë që t’i bjerë çatia e të mbeten vetëm muret.

Objekti me peshë i trashëgimisë kulturore ishte neglizhuar prej kohësh. Në vitin 2017, në “E diela me KOHËN Ditore” qe botuar reportazhi i veçantë për këtë monument.

“Vitet 1928-30 janë shkruar mbi portën kryesore të objektit, sa për të dëshmuar kohën kur u ndërtua. Vitet nuk do të tregonin ‘moshën’ sikur objekti të mos ishte lënë pas dore. Por në pamjen që ka marrë lë përshtypjen e një objekti katrahurë. Është godinë e madhe e me shumë kthina. Dyert qëndrojnë të mbyllura, por me aq sa shihet nga ndonjë vrimë e krijuar apo nga ndonjë xham i thyer, gjendja brenda objektit është si mos më keq. Dyert e drurit janë megjithatë të hijshme, por moskujdesi për to ua ka humbur shkëlqimin”, shkruante Artan Krasniqi në reportazhin “Shkolla me dyer të mbyllura ku ruhet historia”. Midis shenjave të tjera në një pllakë të zezë me shkronja të bardha ishin të gjithë emrat e, siç shkruante aty, “arsimtarëve që kanë punuar në Gjimnazin Shqiptar të Shtetit në Ferizaj në vitet 1946-1955”. Ndër të tjera, qysh para pesë-gjashtë vjetësh, në këtë artikull shkruhej se “rrënimi i këtij objekti është edhe çështje diskutimi në Ferizaj”.

Ndërtesa ishte nxjerrë pak në pah në tetor të vitit të kaluar. Festivali i Teatrove në Ferizaj, më i vjetri në Kosovë, në edicionin e 52-të nëpërmjet konceptit të “Retroteatri”, kishte realizuar shfaqjen “Udha e shkronjave - 1965” në këtë ndërtesë.