Kulturë

Monumente të përhershme edhe Shtëpia e Xhafer Devës dhe Qendra Historike e Prizrenit

Për të tretën herë brenda vitit, Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme është zgjeruar. Është pasuruar edhe me 13 monumente. Tash shteti mbron përhershëm 44 monumente. Prej së hënës monumente të përhershme janë edhe Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë e shënuar si “Ambulanta e Vjetër” dhe Qendra Historike e Prizrenit. Aty janë edhe Bajrakli Xhamia në Pejë, Shtëpia Muze e Ukshin Hotit në Krushë të Madhe e të tjera

Shteti e ka çuar në 72 numrin e aseteve të trashëgimisë kulturore që i mbron përhershëm. Deri te kjo shifër është arritur të hënën, kur Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka miratuar mbrojtjen e përhershme edhe për 13 asete, të cilat pas miratimit të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, do t’i shtohen Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme. Deri tash ajo Listë kishte 59 asete. Paraprakisht i ishin shtuar 13 të tjera në ditën e fundit të korrikut. Në qershor ishin futur edhe 18 monumente.

Por, pavarësisht këtyre zhvillimeve “me letra” shteti është ende larg detyrimeve që i ka për obligim ndaj monumenteve.

Shtëpia Muze e Ukshin Hotit në Krushë të Madhe, Kulla e Rexhë Gashit, Abri e Poshtme, Skenderaj, Xhamia e Trepçës, Mitrovicë, Qendra Historike e Prizrenit, Ambulanta e Vjetër – Shtëpia e Xhafer Devës, Mitrovicë, Hamami i Qytetit, Mitrovicë, Kulla e Astrit Tahsum Kryeziut, Gjakovë, Kulla e Hysni Koshit, po në këtë qytet, Kisha Katolike Shën Antoni e Shtëpia e Mazllum Zherkës po në këtë komunë janë midis aseteve që janë miratuar nga KKTK-ja të hënën. Aty po ashtu zënë vend edhe Kulla e Ali Gecit, Llukë e Ulët, Komuna e Deçanit, Bajrakli Xhamia në Pejë dhe Bazilika e Shën Pjetrit në Mitrovicë.

Zanita Halimi, kryetare e KKTK-së, ka thënë se me mbrojtje të përhershme sigurohet mbrojtja ligjore, kurse ajo çfarë duhet bërë është që asetet të jenë prioritet sa u përket investimeve dhe promovimit.

“Me raportin e vlerësimit të aseteve të shpallura nën mbrojtje të përhershme në vitin 2016 kemi dhënë rekomandimet që duhet të jenë prioritet asetet e shpallura nën mbrojte të përhershme si në investime ashtu edhe në plane të menaxhimit e në promovim. Ka përmirësime në këtë drejtim, por duhet ende punë”, ka thënë Halimi në mbrëmjen e së hënës.

Kosova ka Listën e trashëgimisë nën mbrojtje të përkohshme dhe atë të përhershme. Sipas ligjit, mbrojtja e përkohshme është një lloj preventive dhe brenda një viti monumenti duhet të vlerësohet nëse i plotëson kushtet për të gëzuar mbrojtje të përhershme. Por, prej vitit 2012, kur është miratuar Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme shteti nuk ia ka dalë të kryejë obligimin ligjor të afatit që përcakton ligji.

Sipas Ligjit për trashëgiminë kulturore, asetet e trashëgimisë kulturore të propozuara për mbrojtje të përhershme duhet t’i paraqiten Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për rishikim, adaptim ose refuzim. Pas këtij procesi përcaktohet që vendimet e këtij institucioni të miratohen nga ministri i Kulturës.

“Vendimi për përfshirjen e objekteve nё Listën e trashëgimisё kulturore nёn mbrojtje tё përhershme tё përcaktuar nga Këshilli i Kosovës pёr Trashëgimi Kulturore nënshkruhet nga ministri, me ç’rast hyn nё fuqi mbrojtja e përhershme e tyre me kёtë ligj. Lista e trashëgimisë kulturore do tё jetë e hapur për publikun”, përcaktohet në nenin 4 të këtij ligji.

Tek asetet e reja që tashmë gëzojnë mbrojtje të përhershme jehonën më të madhe ndër vite e kanë pasur Qendra Historike të Prizrenit dhe Shtëpia e Xhafer Devës që tash mban emrin Ambulanca e Vjetër. Vitin e kaluar tentimin për restaurimin e këtij monumenti kishte shkaktuar reagime të forta edhe nga institucionet ndërkombëtare. MKRS-ja kishte ndarë buxhet prej 300 mijë eurove që të nisë projekti sivjet, por një gjë e tillë nuk është bërë.

Në shkurt të vitit të kaluar, kur gjithçka ishte gati që të nisnin konservimi dhe restaurimi, situata qe alarmuar, kur ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, reagoi duke bërë thirrje të “mos shtrembërohet e vërteta në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendës”. Në ditën e 8-të të shkurtit Zyra e BE-së në Kosovë bashkë me atë të UNDP-së kishin dalë me një deklaratë të përbashkët duke bërë të ditur pezullimin e projektit. E MKRS-ja kishte paralajmëruar se do të presë një kohë, por do ta zbatojë projektin vetë nëse partnerët ndërkombëtarë heqin dorë. Para se çështja të shndërrohej në telash të madh, shkaku i veprimtarisë së ish-pronarit të ndërtesës ikonike, MKRS-ja po bashkëpunonte për restaurim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe UNDP-në. Këto dy institucione ndërkombëtare nuk kanë bërë hapa të tjerë pos pezullimit. Xahefer Deva ishte ministër i Brendshëm i Qeverisë që gjatë Luftës së Dytë Botërore përkrahej nga gjermanet.

Kurse Qendra Historike e Prizrenit është prej komplekseve më ikonike që ka shteti. Por, para disa vjetësh qe shndërruar edhe në kronike të zezë. Shkaku i shembjes së një monumenti në vitin 2016, në rrugën “Marin Barleti” kishte vdekur 3-vjeçarja Xheneta Gashi.

Në gusht kur shteti kishte listuar edhe 13 asete të tjera nën mbrojtje të përhershme, Sali Shoshi, udhëheqës i fondacionit kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij, “CHwB Kosova”, kishte thënë se nuk mjafton shpallja nën mbrojtje të përhershme. Të njëjtën e ka përsëritur prapë.

“Përkundrazi ky është hapi i parë ku mandej shteti duhet të tregojë kujdes ndaj diçkaje që e quan vlerë nacionale. Kur e bën diçka vlerë nacionale duhet të ketë masa si mirëmbajtje e promovim”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, përfshirja në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme pa këto masa nuk ka ndonjë efekt te monumenti. “E para, nuk e promovon dhe njerëzit nuk e dinë se ku është e çfarë ofron, pastaj kur mungon mirëmbajtja monumenti i humb vlerat. Duhet të lëvizet nga ana formale e listave në diçka konkrete”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, aseti që gëzon mbrojtje të përhershme duhet të gëzojë profitet e diçkaje që është vlerë nacionale dhe kjo duhet bërë me strategji e me plane të menaxhimit veç e veç.

“Plani i menaxhimit ka për synim kthimin e një aseti në vlerë shoqërore si aset shoqëror e ekonomik, pa ia prekur vlerat për të cilat është në listë. Pra, nuk mjafton futja në listë pa veprimet e tjera që sigurojnë mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e monumentit”, ka thënë Shoshi. Ka treguar se në terren nuk vërehen dallime midis një aseti që është nën mbrojtje dhe një tjetri që ka potencial për të qenë nën mbrojtje.

“Këto veprime nuk garantojnë kthimin e asetit në resurs publik”, ka thënë ai.

Prej tetorit të vitit 2016, kur 23 asete të trashëgimisë kulturore janë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme, deri vitin e kaluar shteti nuk kishte arritur që asnjë monumenti tjetër t’ia jepte këtë status. Nuk ka arritur që as t’u përmbahej përcaktimeve ligjore që dalin pasi një aset ka marrë këtë status ligjor, siç janë planet e menaxhimit. Një prej shembujve është parku arkeologjik “Ulpiana”. Tek në tetorin e sivjetmë është miratuar Plani i menaxhimit për lokalitetin më të vizituar të trashëgimisë kulturore në Kosovë që nuk posedon staf të përhershëm e ndodh që mbetet me muaj pa rojtar. E për ciceron e kushte të tjera deri më tash as që bëhet fjalë. Në fund të 2016-s atij një pjesë i ishte shpallur edhe Park Arkeologjik.

Sa i përket mbrojtjes së përhershme, deri në korrik të vitit 2021 – kur Kuvendi zgjodhi shtatë anëtarët e KKTK-së – Ministria e Kulturës nuk kishte as kujt t’i propozonte monumente për mbrojtje të përhershme. Për tre vjet ky Këshill ishte jofunksional. Prej themelimit, më 2009, funksionoi vetëm nga viti 2015 deri më 2018, në pjesën tjetër nuk ishte plotësuar kurrë me të gjithë anëtarët.

Në tetor të këtij viti – siç ndodh rëndom – qe përtërirë Lista e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme që kishte 1683 asete, përfshirë ato të luajtshme dhe ato shpirtërore. Më 13 që do të kalojnë në Listën e përhershme mbesin 1670. Te Lista e përkohshme sivjet janë shtuar edhe Guri i Nënës Pashke dhe lokali “Panda” në Pejë.