Rëndom emri i tij del diku në fund të filmit te titrat dhe viteve të fundit është i pashmangshëm kur bëhet fjalë për filmat e Kosovës që bënë histori. Enis Saraçi qëndron në piedestalin e montazherëve në vend, dyert i ka hapur edhe për vëmendje ndërkombëtare. “Unë punoj për t’i shërbyer tregimit dhe sipas tregimit gjej edhe stilin e duhur. Mendoj që jam më shumë montazher intuitiv dhe ndoshta ndjeshmëria dhe ritmi e karakterizojnë më së shumti punën time”, thotë Saraçi
Montazheri është njëri prej kontribuuesve me të mëdhenj në suksesin e një filmi. Është fati i tyre – i dikujt që ka rol esencial në pjesët estetike dhe teknike të krijimit të filmit – të rrijë larg vëmendjes së publikut shpesh edhe kritikëve. Për montazherin nga Kosova, Enis Saraçi, kjo nuk vlen.
Emri i tij qëndron në piedestalin e montazherëve në vend, dyert i ka hapur edhe për vëmendje ndërkombëtare.

Editimi me ndjeshmëri
Aftësia për të kuptuar esencën e skenarit dhe aktrimin, për të lënë mjaftueshëm shkurt apo gjatë një skenë të caktuar, mprehtësia për të vendosur se kur duhet ndërruar skenat, instinkti për të kuptuar ritmin dhe nuancat që u japin jetë skenave, e lartësojnë punën e tij. Këtu fshihet edhe gjenialiteti i punës së 30-vjeçarit nga Vushtrria. Enis Saraçi është një montazher me ndjeshmëri ta jashtëzakonshme që ndihmon filmbërësit të sjellin rrëfimet e tyre në jetë.

“Një montazh i mirë është një film i mirë. Nëse shikuesi është lidhur emocionalisht me tregimin nga fillimi deri në fund, nëse shikuesi u beson plotësisht karaktereve dhe perceptimi i kohës nuk është më i gjatë sesa kohëzgjatja e filmit, atëherë edhe montazhi ka funksionuar mirë”, thotë ai. Për të montazhi është një proces ku rishkruhet dhe finalizohet tregimi.
“Çdo pamje apo tingull ka energji apo përmbajtje të veçantë. Roli im është me i zgjedhë pjesët e duhura dhe me i renditë në atë mënyrë për të bërë tregimin sa më interesant dhe sa më emocional”, thekson ai.
Hapi i parë që merr është të njohë më mirë filmbërësin me të cilin do të punojë. Përpiqet të kuptojë qëllimin, vizionin dhe me diskutime të fitojë besimin.
“Pastaj zbuloj edhe motivet e mija personale, pse po dua të kontribuoj në atë film, kështu e personalizoj temën dhe krijoj lidhje të forta me karakteret në film”, thotë ai. Thekson se në çdo film, regjisor a regjisore ka, është unik. Prandaj e ka të rëndësishme që të jetë i hapur dhe i përshtatshëm ndaj qasjeve të reja. Një regjisor mendjehapur me vizion të qartë pune.
“Zakonisht kur filloj me i pa xhirimet ngacmohem nga momente të veçanta si nga aspekti emocional apo përmbajtjesor. Këto ngacmime më shërbejnë të mendoj se si t’i qasem projektit dhe t’i ndërtoj skenat, sekuencat apo edhe gjithë tregimin”, shton tutje Saraçi, që aktualisht është duke punuar në temën e tij të diplomës dhe është drejt diplomimit.

Gjurmë suksesi në çerekshekull
“Të gjithë studentët tanë janë të talentuar – pas të gjithave, talenti i tyre është arsyeja primare pse ata janë pjesë e shkollës sonë. Me raste del në pah një talent i jashtëzakonshëm”, janë fjalët që i famshmi “FAMU” në Pragë ka shkruar për Saraçin, të cilin e konsiderojnë si një nga studentët më të suksesshëm të këtij departamenti në këtë çerekshekull të fundit. Kështu ishte cilësuar në kuadër të serisë së fakultetit “Sukseset e studentëve, të diplomuarve dhe ligjëruesve tanë”. Ndoqi studimet në Departamentin e Montazhit. Qyteti i qindra shpirtrave u bë vendi ku Saraçi u zhvillua më së shumti profesionalisht.
“Gjatë fillimeve të karrierës sime njerëz të afërt dhe filmbërës besonin në aftësitë e mia dhe vazhdimisht më motivonin për të studiuar në shkollën e filmit. Jeta studentore në Pragë ka qenë ndër periudhat më të bukura të jetës sime, e kam shijuar çdo moment”, thotë ai. Rrugëtimin në kryeqytetin e Çekisë e nisi në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Qendrës Kinematografike të Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Akademisë së Arteve të Bukura në Pragë. Qe shteg për depërtim në skenë.

“Laboratori” e kreativitetit
“Gjithmonë më ka pëlqyer të shikoj filma, por dashuria për kinematografinë ka filluar kur kam punuar në filmat e parë. Ato momente kanë qenë kur jam ndier i përmbushur”, thotë Saraçi. Ai e ka kuptuar se dhoma e montazhit është mënyra më e mirë për të shprehur veten. Aty gjen rehatinë dhe aty vlon kreativiteti i tij. Nuk fokusohet të vështirësitë që mund të hasë gjatë punës. Është i dhënë pas sfidave. I shndërron në avantazhe të punës. Si copëza i shfrytëzon për të kompletuar një imazh mbresëlënës. Filmat, montazhin e të cilëve e ka realizuar si student, bënë nam në festivalet me të prestigjioze të botës së kinematografisë.

Momente krenarie ka shumë, mirëpo veçon suksesin me filmin “Zgjoi”. “Sepse ndoshta ka qenë njëra prej punëve më dedikuese dhe intensive”, thotë ai. Filmi, nën regji të Blerta Bashollit, njëherësh kandidati i Kosovës për “Oscars2022”, ishte fitues i trefishtë në “Sundance Film Festival” ku mori çmimin e audiencës, të jurisë dhe atë për regji. Saraçi si student përveç në këtë film punoi edhe në filmat “Pa vend” e “Në mes” të regjisorit Samir Karahoda. I pari për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në garë për “Oscarin” evropian, i dyti në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”. Ky është veç një kapitull i rrugëtimeve të suksesshme që patën këta filma. Secili prej tyre është një rrëfim më vetë, sa historik aq edhe krenar për skenën kulturore. Si pjesë e tyre, Saraçi definitivisht ka një rol signifikues në atë që po konsiderohet si vala e re e kinematografisë në vend. Pionier në fushën e tij.

Fuqizimi i rrëfimit
Saraçi ka një perspektivë të veçantë dhe vitale sa i përket perspektivës për filmin. Kur kthehet prapa në fëmijëri kujtimet që i ngjallen janë duke luajtur futboll. Ëndërr e kishte të bëhej futbollist. Si 14-vjeçar për shkak të rrethanave dhe duke mos parë një të ardhme në futboll, i ndërpreu angazhimet në këtë sport. Rehatinë e lidhjen me këtë dashuri fëmijërore e gjente në internet. Kohën më të madhe e kalonte duke shikuar video përmbledhëse për futbollistë. Këtu shfaqen shkëndijat e para për montazh. I kishin lindur nevoja dhe dëshira që edhe vetë të editonte video të tilla sipas mënyrës së tij, me lojtarët e tij të preferuar dhe më muzikën që atij i pëlqente. Si atëherë, si tash, Saraçi mundohet që pas çdo editimi të vërehen gjurmët e tij.
I gjendur mes stileve të ndryshme të editimit, Saraçi thotë se të kuptosh se e ke përfunduar montazhin e një filmi është një ndër proceset më të vështira. “Kur përfundon montazhi ende mendoj për mundësitë apo mënyrat më të mira të editimit. Megjithatë, gjatë procesit të montazhit në momentin që kam arritur të realizoj qëllimin e regjisorit dhe tregimi funksionon mirë, atëherë mendoj që edhe puna ime ka përfunduar”, thotë Saraçi, që aktualisht është në Danimarkë.
I ka hyrë punës për të punuar në një dokumentar të gjatë. “Paqe për Ninën", nën regji të Zhanna Maksymenko-Dovhych, trajton historinë e një gruaje ukrainase, jeta e së cilës është shkatërruar nga lufta dhe humbja e njerëzve të saj më të dashur. Saraçi veç ka nisur rrugëtimin e tij. Kryeveprat priten të vijnë. Ajo që dihet është se ai tashmë ia ka dhuruar skenës vizionin e tij unik.

“Punoj për t’i shërbyer tregimit”
KOHA: Një film që ua sugjeroni lexuesve tanë për ta shikuar?
Saraçi: “Samsara” nga regjisori Ron Fricke.
KOHA: Cila do të ishte këshilla për montazherët e rinj?
Saraçi: “Gjatë procesit të montazhit këshilloj të dedikoheni, të jepni gjithçka nga vetja dhe të besoni që roli juaj si montazher është shumë i rëndësishëm në filmbërje”.
KOHA: Çfarë e karakterizon stilin tuaj?
Saraçi: “Unë punoj për t’i shërbyer tregimit dhe, sipas tregimit, gjej edhe stilin e duhur. Mendoj që jam më shumë montazher intuitiv dhe ndoshta ndjeshmëria dhe ritmi e karakterizojnë më së shumti punën time”.
Lista e filmave në të cilët ka punuar
“Dead Sun of Russia” – Sybilla Tuxen – 2023
“Bhangar” – Sumira Roy – 2023
“I love you more – Erblin Nushi – 2022
“Kah kqyrsha përpjetë, e shihsha veten përfuni” – Ilir Hasanaj – 2022
“Pa vend” – Samir Karahoda – 2021
“Zgjoi” – Blerta Basholli – 2021
“Life As A Game” – Shen-Hao Yang – 2021
“Në mes” – Samir Karahoda – 2019
“Double” – Shen-Hao Yang – 2019
“Drita” – Rita Krasniqi – 2018
“Gjumë dhe Dashuri” – Arsim Haliti – 2017
“Një Muaj” – Zgjim Terziqi – 2017
“E dashura Nita” – Alban Zogjani – 2014
Filmat e vitit 2023 ende nuk janë shfaqur. Montazhi ka përfunduar dhe tash filmat janë në fazën e finalizimit të ngjyrave dhe zërit