Kulturë

Monodrama e vetmisë në skenë, kulmi i artit teatror

Shfaqjet teatrore nga vende të ndryshme të botës janë njëra anë e festivalit “MonoAkt”. Diskutimet janë ana tjetër, siç ka qenë të martën konferenca “Monodramë”, ku është përuruar “Drama e humbur në kohë” e Sashko Nasevit, e botuar në shqip

“Të jesh i vetëm në skenë është e vështirë. Kam punuar si mësues drame rreth 30 vjet dhe është e vështirë të ndash këtë me nxënësit. Mendoj se monodrama është thjesht një pjesë e dramës. Drama është prezente gjithandej. Drama është prezente në televizion, në rrugë, në politikë. Kështu që monodrama është gjë e mirë”, ka thënë Sashko Nasev, dramaturgu nga Maqedonia e Veriut

“MonoAkt” tashmë në edicionin e 15-të dhe një adresë me peshë jo vetëm si festival shfaqjesh, në ditën e pestë ka hapur diskutimin për monodramën. Ka sjellë në kryeqytet emra të njohur të skenës botërore dhe mesdita e së martës në Fakultetin e Arteve është rezervuar që të trajtohen qasjet dhe eksperiencat e të qenit vetë në skenë.

Kësaj konference ndërkombëtare të titulluar “Monodramë” gjithashtu i parapriu promovimi i veprës dramatike “Drama e humbur në kohë” nga Sashko Nasev, producent dhe shkrimtar nga Maqedonia e Veriut, njëherësh anëtar jurie në këtë edicion të “MonoAkt”. Libri është rreth aktorëve të vjetër “të ardhur nga teatri para se të pensionoheshin dhe kur ishin duke provuar të sjellin e të dëshmojnë diçka”.

“Kjo është shumë e komplikuar. Kështu që unë jam shumë falënderues ndaj këtyre njerëzve të rinj, përfshirë edhe veten time. Sot në Prishtinë kemi biseduar në shumë gjuhë të ndryshme, në një stil shumë evropian, kështu që jam shumë i nderuar që jam këtu”, ka thënë Nasev pas promovimit të librit. Është shprehur i lumtur për praninë e tij në edicionin e 15-të të festivalit, dhe për mundësinë e sjelljes së librit të tij edhe në shqip.

“Dua të tregoj se sa falënderues jam ndaj profesor Mentorit që na ftoi nga shtete të ndryshme të botës këtu në Prishtinë dhe na bëri ta ndiejmë gjithë këtë energji të mirë që nuk po vjen vetëm nga festivali, por edhe nga njerëzit këtu”, ka thënë ai.

Drejtori i festivalit, Mentor Zymberaj, ka thënë se “Dramë e humbur në kohë” është një dramë jashtëzakonisht shumë e bukur, me personazhe dy artistë, që është përkthyer në shumë gjuhë të botës.

“E kësaj radhe arritëm që ta kemi edhe në gjuhën shqipe”, ka thënë Zymberaj, aktor e regjisor.

Zbërthimin e kryetemës, pjesëmarrësit në diskutim e kanë bërë nga eksperiencat.

“Monodrama është një stil modern i punës, por është shumë i komplikuar, sepse artisti duhet të kujdeset për gjithçka. Të jesh i vetëm në skenë është e vështirë. Kam punuar si mësues drame rreth 30 vjet dhe është e vështirë të ndash këtë me nxënësit. Mendoj se monodrama është thjesht një pjesë e dramës. Drama është prezente gjithandej. Drama është prezente në televizion, në rrugë, në politikë, kështu që monodrama është gjë e mirë”, ka thënë Sashko Nasev.

Ky zhanër dramatik, që gjatë gjithë konferencës u theksua për vështirësinë e interpretimit të tij, sipas Mentor Zymberajt, është mjaft i zhvilluar në Kosovë.

“Ne deri më tash në Kosovë ia kemi dalë goxha mirë, sepse monodramën e kemi zhvilluar në shumë formë, si dramaturgji, si regji, e pastaj edhe si lojë. Kemi arritur ta mbjellim në mendjen e artistëve të rinj që monodramës nuk kemi pse t’i frikësohemi. Artistët nëpër botë tentojnë të realizojnë atë pjekurinë maksimale dhe pastaj ta luajnë një monodramë, sepse është gjinia më e vështirë skenike, kuptohet”, ka thënë ai, duke inkurajuar të rinjtë t’i rreken monodramës. Meritat e peshës që ka monodrama në Kosovë ia ka atribuuar edhe festivalit që ka themeluar dhe organizon, e që tash e 15 vjet

monodrama nga vende të ndryshme të botës zbarkojnë në skenën vendore.

“Ne kemi ardhur në një nivel ku jemi të anëtarësuar në institucionet më të mëdha të monodramës në botë, dhe njëherësh me sukseset më të mëdha. Kështu që në këtë rruzull tokësor kemi mbërritur të hyjmë në elitën artistike, në veçanti të monodramës”, ka shtuar tutje Zymberaj.

Se ky lloj zhanri dhe drama në përgjithësi është e mirëfunksionalizuar në Kosovë, ka thënë edhe Sashko Nasev, i cili është njëherësh juri në këtë edicion të festivalit.

“Kam parë në 2021-tën se monodrama në Kosovë është shumë e mirë. Akte shumë të mira, aktorë shumë të mirë, nga më e thjeshta e deri te materiali gjeneral. Dje pamë edhe studentët teksa performuan disa tekste. Ishte e mrekullueshme të shohësh njerëz të rinj me një energji shumë të mirë dhe teksa flasin me shumë dashuri për teatrin. Kështu që mendoj se këtu ka një të ardhme”, ka thënë Nasev.

Regjisori dhe aktori Zymberaj është kthyer mbrapa me diskutimin mbi monodramën. Ka shpalosur sfidat e tij, për të reflektuar vështirësinë që mban në vete paraqitja individuale e një drame në skenën e teatrove.

“Gjithmonë kam luajtur në gjuhën shqipe, në gjuhën time. Kryesisht 90 për qind e temave janë tonat, të cilat i kemi trajtuar qoftë si shtëpi teatrore a filmike, qoftë si individ, si regjisor dhe si autor. Kam qenë shumë i pavarur në promovimin e ideve të mia dhe në atë se çfarë mendoj dhe çfarë dua të them për kohën dhe hapësirën ku jetoj”, ka thënë ai.