Monodrama që bën thirrje për të mos e lëshuar vendin, “Arka” e Mentor Zymberajt, ka hapur edicionin e 15-të të festivalit “Monoakt”. Festivali që i kushtohet njërës prej zhanreve më të vështira dramatike, monodramës, do të jetë nikoqir i pesë shfaqjeve të ndryshme të cilat janë edhe pjesë e garës për çmimin kryesor.
Nën qetësinë e madhe të sallës, nga prapa shpinës së shikuesve nisën të dëgjoheshin tingujt e këngës së famshme “Back to black” të Amy Whinehouse, të interpretuar nga Qëndresa Spahiu. Porsa Spahiu përfundoi e ulur në shkallët e skenës, nga publiku nisi të dëgjohej kënga e njohur shqipe “Një lule”, tani nën interpretimin e Ardiana Mehmetit. Pa lënë asnjë sekondë qetësie, menjëherë pas saj u hap perdja dhe në skenë u shfaq Diellza Dedushi që këndoi këngën me nam të Nexhmije Pagarushës, “Baresha”. E tërë kjo performancë ishte vetëm pjesa e parë e ceremonisë hapëse të “Monoakt”. Për t’i dhënë edhe më shumë kuptim nisjes së edicionit të 15-të të Festivalit Ndërkombëtarë të Monodramës, aktori e regjisori i njohur, njëherësh edhe drejtor i festivalit, Mentor Zymberaj, dha shfaqjen “Arka”. Premiera e saj ishte dhënë në qershor të vitit të kaluar.
Skena është krejt minimaliste. Përbëhet vetëm nga një arkë e cila ka zënë vend në qendër të skenës, si dhe një dritë e vënë në tavan e që bën dritë mbi arkë. Shfaqja nis me aktorin i cili e qan nënën e vdekur duke iu drejtuar arkës, vendit ku e ndjera ruante gjërat e vlefshme të familjes. Pas pak aktori hap arkën dhe nis të nxjerrë nga ajo gjësende të ndryshme, teksa për secilën tregon një histori që fshihet prapa saj. Por rrëfimi kryesor ka të bëjë me historinë e vëllait të tij të vogël, Mirit, i cili kishte vdekur në moshë të njomë a siç thotë vetë aktori kur kishte qenë “shumë, shumë i vogël”.
Ndonëse shfaqja është monodramë, regjisori Zymberaj nëpërmjet zërit fut në skenë edhe aktoren Igballe Qena. Është zëri i nënës së vdekur që me plot emocion i rrëfen të birit vazhdimësinë e jetës së familjes: vdekjen e Mirit, vdekjen e babait, i cili nuk duroi dot dhimbjen për djalin, si dhe tjetërsimin e së motrës Mirës, e cila u rebelua karshi vendit, por edhe nënës së saj. Në fund, në kapakun e arkës zgjatet një kukull e varur në litar, trupi i së cilës lëviz sa andej sa këndej. Simbolizon vrasjen e vet personazhit kryesor.
“Arka është vërtet ajo që ne ende e kemi. Kjo është pjesë e familjes gjithashtu. Ajo na ruan kujtimet. Kujtimi është gjëja më e shtrenjtë në këtë botë dhe mundohet që në njëfarë forme ta shtjellojë edhe problemin e madh të cilin e kemi pasur kur ne kemi sakrifikuar shumë në jetën tonë për njëri-tjetrin, por që ndonjëherë në pamundësi, tash po kalojmë në këtë izolimin politik të Evropës, pak a shumë ka ndikuar që të mos e kemi atë lirinë që e meritojmë”, është shprehur regjisori i shfaqjes, Mentor Zymberaj. Ka shtuar se mesazhi kryesor i shfaqjes është që të rinjtë, por edhe të tjerët, të mos e lëshojnë vendin.
Në kuadër të “Monoakt” do të luhen edhe pesë shfaqje të tjera të cilat do të jenë prodhime e bashkëprodhime nga vende të ndryshme të botës si: Izraeli, Armenia, Spanja, Gjermania, Portugalia, Bullgaria e të tjera. Zymberaj është shprehur i lumtur me rrugëtimin që festivali ka bërë tash e pesëmbëdhjetë vjet. Ka thënë se regjisorët, aktorët e skenaristët tashmë kanë nisur të mos kenë më frikë nga monodrma, si një zhanër tejet i vështirë.
Në fund të festivalit do të ndahen edhe çmimet për aktorin e aktoren më të mirë, çmimi për regjinë më të mirë, monodramën më të mirë, si dhe çmimi special. Festivali do të ketë edhe kategori të tjera sikurse ajo e monostripit dhe monoperformancës. Në kuadër të aktiviteteve, mysafirët e “Monoakt” do të bëjnë vizita edhe nëpër disa nga monumentet dhe institucionet e rëndësishme kulturore të vendit tonë.
Regjisori i teatrit, Matthias Gehrt, do të jenë pjesë e jurisë së festivalit. Në rolin e regjisorit të shfaqjeve teatrale, Gehrt ka folur edhe për vështirësitë dhe karakteristikat e monodramës.
“Jam regjisor teatri. Kam punuar në teatër pjesën më të madhe të jetës sime profesionale, por kam qenë regjisor i vetëm një monodrame. Udhëheq shfaqje të mëdha si ato me Shekspirin, kështu që jam mësuar të punoj me shumë njerëz. Por kjo është shumë interesante sepse duhet të fokusohesh në një njeri, në një subjekt dhe secili thotë që monologu është më i vështirë se dialogu. Kështu që monodrama është një disiplinë shumë e vështirë dhe unë kam parë shumë monodrama”, ka thënë ai.
Me pak fjalë, shfaqjen e Zymberajt e ka vlerësua edhe aktori e regjisori izraelit Michael Riskin.
“Shfaqja e Mentorit ishte e mrekullueshme, mbresëlënëse dhe unë isha i mahnitur më të. Ai meriton çdo lëvdatë për të cilën mund të më shkoj në mendje, është tejet profesionale”, ka thënë ai.
E emocionuar nga “Arka” ishte edhe Suzana Feta, e cila kishte ardhur për ta ndjekur shfaqjen së bashku me të bijën.
“Diçka që s’kam parë më mirë. Asnjëherë nuk më ka rënë rasti të shoh diçka kështu sidomos profesorin e kemi shembull në Kosovë. Tematika ishte shumë e rëndë vetëm që shumë mirë e kishte përgatitur. Bravo i qoftë!”, është shprehur ajo.
“Monoakt” do të zhvillojë aktivitetin e saj deri më 15 qershor, kur edhe do të bëhet ndarja e çmimeve.