Dita e dytë e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqipe ka vazhduar me ligjërata e kumtesa të shumta. Ka qenë kumtesa “Një vështrim perëndimor mbi Shqipërinë e Luftës së Ftohtë: Koleksioni fotografik i etnologes franceze Monique Roussel de Fontanès (1924 -2015)” e francezes Oriane Girarda ajo që ka mbyllur ditën. Nëpërmjet saj, Girard ka dhënë detaje lidhur me ekspeditat e de Fontanès, fotografitë etnografike, si dhe interesimin që kjo e para ka pasur për veshjet tradicionale shqiptare. Nëpërmjet një referimi te shkurtër, Girard shfaqi para dëgjuesve të seminarit disa fotografi të de Fontanès, të cilat i shpjegoi veç e veç apo ndonjëherë edhe i krahasoi me fotografitë etnografike të shqiptarëve, si ato të Afërdita Onuzit, Rrok Zojzit, Andromaqi Gjergjit e të tjerë.
Hulumtimin rreth kësaj çështjeje Girard e kishte nisur me fotografitë e bëra në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit. Para të pranishmëve ajo ka folur edhe për pikëtakimin e saj me de Fontanès.
“Kërkimin tim me arkivat fotografike të prodhuara në Shqipëri gjatë periudhës komuniste e nisa në Marsejë, një qytet jugor i Francës ku ndodhej Muzeu i Qytetërimit të Evropës dhe të Mesdheut (i quajtur edhe Mucem). Në mesin e tij ndodhen koleksione të larmishme të artefakteve nga jeta e përditshme, mjeshtëri të ashtuquajturat "objekte dëshmitarësh" të kulturave popullore. Kam studiuar arkivat fotografike të etnografes franceze Monique Roussel de Fontanès, që punoi në Muzeun e Njerëzimit (Paris) dhe organizoi katër ekspedita në Shqipëri nga viti 1956 deri në vitin 1996”, ka thënë ajo.
Ka bërë të ditur se de Fontanès kishte ardhur në një kohë kur etnografët shqiptarë veçse kishin krijuar një traditë të kërkimit etnografik.
“Kur erdhi për herë të parë në Shqipëri në vitin 1956, sektori i etnografisë ishte gati për të festuar 10-vjetorin e saj. Në të vërtetë, viti 1947 shënoi fillimin e një tradite institucionale të kërkimit etnografik në Shqipëri, kur dy studiuesit e parë Rrok Zojzi dhe Andromaqi Gjergji e nisën punën e tyre koleksionuese me qëllim krijimin e arkivave me karakter etnografik”, ka bërë të ditur ajo.
Monique Roussel de Fontanès vinte nga një familje protestante, e cila jetonte në juglindje të Francës. Ajo kishte mësuar për etnologji nga arkeologu francez André Leroi-Gourhan. Përpara se të vinte në Shqipëri, ajo kishte bërë edhe disa ekspedita të tjera nëpër vende të ndryshme, përfshirë edhe pjesën e arbëreshëve të Italisë.
“Pas misioneve të saj të para si etnologe në Italinë e jugut, kryesisht në Kalabri mes komunitetit arbëresh, misionet e reja e çuan atë në Poloni, Portugali, Spanjë, Austri, Bullgaria, Greqia, Hungari, Rumani dhe në Shqipëri. Kjo shumëllojshmëri e vendeve mund të shpjegohet me nevojën e përsëritur të muzeut për të arritur një formë të ‘përfaqësimit’ të të gjithë Evropës, për të krijuar një shkallë homogjene në aspektin kontinental. Gjatë dyzet vjetëve marrëdhëniesh institucionale dhe personale me Shqipërinë, ajo krijoi lidhje të forta me etnologët shqiptarë”, ka thënë ajo.
E në rrugëtimin e saj hyn edhe etnografja e njohur shqiptare, Afërdita Onuzi. Gjatë një bisede që Girard kishte bërë me Onuzin, ajo i kishte folur për ekspeditat që kishte pasur me de Fontanès.
“Një dekadë më vonë edhe Afërdita Onuzi po përdorte aparatin fotografik për të shfaqur "chaînes opératoires" ose "sekuenca operacionale" të prodhimit të një ene balte. Në korrik 2023, Afërdita Onuzi kujton se ajo u takua me Monique Roussel de Fontanès rreth viteve ‘70 dhe e shoqëroi atë në dy ekspedita të bëra në fshatra të ndryshme të Shqipërisë. Ajo kujtoi gjithashtu se gjatë këtyre dy muajve intensivë, de Fontanès ishte shumë e interesuar për veshjet e grave dhe do të fotografonte çdo detaj të tyre”, ka thënë ajo.
Teksa flet për këtë, Girard shfaq në ekran edhe disa fotografi të bëra nga de Fontanès. Në to mund të shihet qartë interesimi që de Fontanès kishte pasur për veshjet kombëtare shqipe.
“Në të vërtetë, fotografitë e saj më së shumti kanë të bëjnë me kostumet tradicionale të grave, të cilat ajo ishte në gjendje t’i merrte vetëm në numër të vogël për koleksionet e muzeut. Sa herë që ishte e mundur, ajo do t'i bënte gratë të pozonin nga këndvështrime të ndryshme, më së shpeshti nga pjesa e përparme dhe e pasme, por ndonjëherë edhe në profil ose treçerekësh, për të nxjerrë në pah një pjesë specifike të kostumit”, ka shpjeguar ajo.
Në rolin e studiueses së de Fontanès, Girard ka shpjeguar edhe për disa nga karakteristikat e fotografisë së saj.
“Shumica e fotografive të Monique Roussel de Fontanès janë bardhezi, në përputhje me standardet në fuqi në ‘Musée de l’Homme’. Kjo teknikë bën të mundur fokusimin në forma, modele dhe gjeste, duke i vendosur në kontekstin e tyre njerëzor dhe topografik. Si për dokumentim ashtu edhe për estetikë”, ka bërë të ditur ajo.