Kulturë

“Monade” në “Lumbardh”, premierë botërore me tregimin për Prizrenin

Rrëfimin muzikor e hodhi në partitura, e titulloi “Monade” dhe me të i rikthehet qytetit ku e ka zanafillën kjo suitë për piano, orkestër, kor, solistë dhe multimedia. Në fakt kompozitori e poli-instrumentisti Robert Bisha rikthehet në epiqendër, në “Kino Lumbardhi” në Prizren, ku “Monade” e tij të shtunën do të jepet premierë botërore nga Filharmonia e Kosovës. Me këtë koncert, institucioni më i lartë muzikor hap zyrtarisht sezonin koncertal

Në pranverën e sivjetme do të vinte në Prizren në një rezidence disaditore. Do t’i kapte tingujt e qytetit, zhurmat, frymën, zërat e çdo gjë që do t’i hynte në punë për një rrëfim nëpërmjet muzikës dhe jo vetëm. Sebep qe procesi i hulumtimit dhe kompozimit, duke u njoftuar me historinë e Kino Lumbardhit dhe, siç shkruhet në prezantim, “rrethanat e ndryshueshme përgjatë 70 vjetëve të saj”. “Lumbardhi” u bë epiqendër në zbërthimin e historisë së qytetit.

Rrëfimin muzikor e hodhi në partitura, e titulloi “Monade” dhe me të i rikthehet qytetit ku e ka zanafillën kjo suitë për piano, orkestër, kor, solistë dhe multimedia.

Në fakt kompozitori e poli-instrumentisti Robert Bisha rikthehet në epiqendër, në “Kino Lumbardhi”, ku “Monade” e tij – një term të cilin filozofia ndër të tjera e zbërthen si tërësi e të gjitha gjërave, a qenie supreme – do të jepet premierë botërore. Se si e në çfarë forme, publikut i mbetet ta kuptojë të shtunën, në koncertin në “Kino Lumbardh” nën dirigjimin e Gridi Krajës, me të cilin Fiharmonia e Kosovës hap sezonin koncertal 2022/2023.

Në konferencë për media, të enjten në atelienë te “Salla e Kuqe” në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë janë zbardhur disa detaje.

“Monade” siç ka shpjeguar vetë Bisha – instrumentist e kompozitor jo i zakonshëm, i cili ka bërë karrierë edhe në Itali, ku ka vazhduar studimet – vepra ka një narrativë në secilën nga tetë pjesët e saj dhe mundohet ta shohë në çdo këndvështrim Prizrenin. Ka qenë “Lumbardhi” vendi ku ai mbajti të vetmin koncert gjatë vitit 2020 në kohën e pandemisë, kur në prani të 50 personave në bahçe kishte interpretuar “Home Neverland” për solo-piano. Për të rasti i “Monade” është hera e parë në Kosovë e Shqipëri që ka dëgjuar që një vepër për orkestër është komisionuar nga një kinema. Edhe kinemaja konsiderohet si instrument i përfshirë në orkestër.

“’Monade’ ndahet në tetë pjesë, numër simbolik për mua. Çdo koncert e bëj me tetë pjesë, nuk e di pse. Por gjithsesi janë të gjitha, koha, tempi, që shpjegojnë. Ka një narrativë që nga ‘Pastorale’ deri te pjesa e fundit që quhet ‘Shamanik’. Mundohet ta shohë Prizrenin si nga detaji, si nga sipër, apo edhe më mirë, ta shohë nga pikëpamja e tij”, ka thënë Bisha. Nga perspektiva e kompozitorit, qyteti merret si vend shembullor për angazhimin e tij shoqëror përmes ndryshimeve që kanë nisur te “Kino Lumbardhi”, që është kundruar si epiqendër për shqyrtimin e tematikave kyç që i përkasin historisë së qytetit të Prizrenit.

Image

“Jam shumë i kënaqur që backgroundin, jam mundur të vë në dispozicion të fondacionit ‘Lumbardhi’, me të cilin kam nderin të bashkëpunoj, e në dispozicion të Filharmonisë”, ka thënë Bisha (38), fitues i disa çmimeve me peshë në Itali. “Tingulli është, jeton midis dy heshtjeve”, është filozofia e tij muzikore.

Përpos hapjes së sezonit të ri të Filharmonisë, premiera e “Monade” do të jetë edhe kremte për 70-vjetorin e kësaj kinemaje.

Ares Shporta, drejtor i fondacionit “Lumbardhi”, është shprehur krenar që rrugëtimi i “Monade” do të fillojë në Prizren dhe shpreson se kjo premierë do t’i hapë rrugë sukseseve të saj.

“Disa prej ideve na kanë sjellë edhe neve një entuziazëm, na kanë bërë që ia vlen ta marrim përsipër një ndërmarrje të tillë, në një kontekst të Kosovës, veçanërisht Prizrenit, i cili që nga Lidhja e Prizrenit nuk ka komisionuar një vepër simfonike. Kështu që kjo sa është krenari e jona, është edhe për të ardhur keq”, ka thënë Shporta.

Për premierën e “Monade”, Robert Bisha do të jetë i shoqëruar nga pjesëtarë të orkestrës së Filharmonisë së Kosovës dhe kori kameral “Dardanica”. Regjisurën e filmimeve të qytetit, që përbëjnë pjesën vizive e të integruar në “Monade”, Bisha i ka realizuar gjatë qëndrimit në Prizren, ndërkohë që ato ndërthuren në një qasje poetike nga regjisorët Blerta Zeqiri dhe Gazmend Bajri për të krijuar ndërveprim instrumental pamor si pjesë të koncertit. Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se ky institucion ka qenë i angazhuar në përgatitjen e një vepre të veçantë për nga përmbajtja, formacioni dhe pjesëmarrësit. Veprën e Bishës e ka konsideruar si përvojë më ndryshe për Filharmoninë, duke u bazuar në programet paraprake e te vetë autori i saj si eksperimentues e që vepron në stilin avangardë.

“Tani jemi në prag të një projekti jashtëzakonisht të rëndësishëm e të veçantë të Filharmonisë së Kosovës. Bëhet fjalë për një vepër vokalo-instrumentale të kompozitorit shqiptar Robert Bisha. Ditëve të fundit, Filharmonia e Kosovës ka qenë jashtëzakonisht e angazhuar në përgatitjen e një vepre të veçantë për nga përmbajtja, për nga formacioni, pjesëmarrësit, tematika”, ka thënë Jashari.

Edhe pse 17 shtatori konsiderohet si hapje e sezonit 2022/2023, Filharmonia e Kosovës ka mbajtur dy koncerte në fillim të muajit. Më 5 shtator, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë kishin interpretuar në qendrën “Bogdani Polis” me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së Nënës Terezë. Koncerti i dytë është mbajtur më 10 shtator nga Kori i Filharmonisë në kishën katolike “Shën Ndou”.