Është një botë e tërë që shpaloset në skenë, publikun e fut në rrugëtimin e Mollyt të verbër dhe s’ka për qëllim ta vajtojë fatin e saj, por ta njohë atë ashtu siç është. Mollyt gati se i lind një shans për ta kthyer shikimin, por në esencë ka synim që të tjerët ta kuptojnë botën shumëngjyrëshe të saj, ndjesinë. Kërkimi i dritës konstantja, por ajo e gjen atë kur të tjerët e kuptojnë. “Molly”, nën regji të Sibel Abdiut, është një ftesë për t’i kthyer sytë nga përvojat e personave me aftësi të kufizuara
Midis skenës është një shtrat spitali, vendbanimi i personazhit kryesor, Molly. Si fëmijë e humbi tërësisht të pamurit. Që në fillim tregon dashurinë e saj për lulet të cilat i njeh të gjitha, pa i parë. I mjafton t’u marrë erë.
Shfaqja “Molly”, nën regji të Sibel Abdiut, bazuar në tekstin e dramaturgut irlandez, Brian Friel, është dhënë premierë të mërkurën mbrëma në atë që tash njihet si Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Molly – e luajtur nga Verona Koxha, ka shumë pasione, duke përfshirë radion, ecjen, çiklizmin dhe veçon notin. Të gjitha këto i zbulon në një monolog. Shprehet optimiste për jetën e saj dhe falënderuese për gjithçka që mund të bëjë, ani pse lëvizjet e saj janë të kufizuara brenda një hapësire. Koxha thotë e ky ka qenë një rol sfidues për shkak të ndjeshmërisë së temës dhe dyshimit se a mund t’i përfaqësojë në mënyrën e duhur personat të cilëve u dedikohet shfaqja. Ky ka qenë një rikujtim dhe mision i vazhdueshëm për aktoren.
“Jemi munduar ta bëjmë më të mirën që kjo premierë të jetë jo thjesht një shfaqje, por edhe një thirrje shoqërore për t’i kthyer sytë nga përvojat e personave me aftësi të kufizuara në përgjithësi të cilët sidomos në Kosovë ballafaqohen me sfida nga më baziket. Ne e kemi bërë punën tonë përkundër të gjitha pasigurive e sfidave dhe shpresojmë që këtë ta reflektojmë në mënyrën më të mirë të publiku”, ka thënë Koxha për KOHËN. Ajo ka shtuar se bashkë me menaxhmentin e Teatrit e kanë përcjellë të gjithë procesin me shumë vullnet, veçmas për shfaqje, për të hapur një debat shoqëror dhe për ta pasuruar skenën e teatrit në Kosovë, duke e përfaqësuar edhe një narrativë shoqërore, e cila, sipas saj, deri tash nuk ka qenë shumë e përfaqësuar.
Në më shumë se një orë në skenë, jeta e saj është e lidhur në vendimet e dy burrave: bashkëshortit të saj Frankut dhe kirurgut z. Rice. Frank – i luajtur nga Bujar Ahmeti – ka bindjen se Molly mund të shohë përsëri. Madje ngulmon fort në këtë, ani pse mjekësia ishte dorëzuar. Vetëm 20 njerëz për 10 shekuj kishin pasur rezultate në operacion. Doktor Rice është zotuar që do ta arrijë suksesin me Mollyn. Madje këtë e vlerëson si pikë kthese për të ngritur reputacionin e tij. Ahmeti është ndalur në një moment e ka kërkuar ndaljen e dritave dhe të muzikës. Për publikun ka pasur një pyetje: “A ju ka shkuar ndonjëherë ndërmend të ftoni një person të verbër në teatër, kinema apo në një klub nate?”. E ka thënë këtë me nëntekstin e përfshirjes së tyre në shoqëri.
Regjisorja nga Maqedonia e Veriut, Sibel Abdiu, me këtë shfaqje ka punuar për herë të parë në Kosovë. Sipas saj, shfaqja ia ka dhënë edhe asaj mundësinë të futet në botën shumëngjyrëshe të personave me aftësi të kufizuara.
“Për mua si regjisore ky tekst më ka ndihmuar ta kuptoj botën e personave të verbër. Më ka ndihmuar ta shoh që kjo vetëm është një botë ndryshe prej botës tonë dhe të them të drejtën si artiste ua kam pasur lakmi sepse kanë një botë shumë të pasur të imagjinatës, shumë më të pasur se e jona”, ka thënë Abdiu për KOHËN.
Dy burrat duan t’i japin një vizion Mollyt, kurse Molly është tërësisht e gatshme për një botë të re. Ajo vazhdimisht i kthehet së kaluarës e veçmas fëmijërisë. Burri i saj Frank ishte gjithçka që babai i saj kishte qenë. Kishte gjithçka për të humbur në sfidën për të kthyer shikimin nëpërmjet operacionit. Bashkë me Frank skenën e transformojnë në një ambient vallëzimi i cili bëhet gjithnjë e më dinamik. Pastaj, në skenën e muzikës kryhet dhe operacioni. Aty këndohen pjesë nga kënga “Hapi syzë e zeza”. Për aktorin Afrim Muçaj thellimi në këtë tekst nuk ka qenë i lehtë, por i ka ndihmuar të hyjë tërësisht në botën e personazhit që e ka luajtur.
“Ky lloj teksti ka një mision edhe për ndërgjegjësimin e njerëzve se si i trajtojmë njerëzit me aftësi të kufizuara – në këtë rast të verbrit. Teksti ka qenë një ndër tekstet më të mira në të cilin kam luajtur dhe na ka dhënë mundësinë për të bërë role të mira”, ka thënë ai për KOHËN.
Molly zgjohet në errësirë. Me disa prova dëshmohet se i është kthyer shikimi. Ajo arrin t’i shohë lulet ngjyrë blu. Burrat kanë një moment ngazëllimi. E shfaqja ka edhe nuance me të cilat prekë patriarkatin pasi në një sistem të këtij soji vendoset edhe për fatin e grave me aftësi të kufizuara. Molly përfshihet në një transformim personaliteti dhe shpejt tërhiqet duke kaluar në një gjendje tjetër. Ajo përfundon në një spital psikiatrik. Doktorit s’i vyen shumë kohë për të pohuar se kishte dështuar me Mollyn. Të dy burrat mbulojnë sytë me fashë dhe kështu kapërcejnë në realitetin e saj. Regjisorja Arinda Morina, e cila është përballur shumë gjatë me sëmundjen e kancerit, thotë se kjo shfaqje e ka kthyer në ditët e errëta.
“Pak a shumë munda me ia kuptu botën e Mollyt, prej një situatë të errët në një situatë me dritë të cilën se njeh dhe se percepton dhe je mësuar në rehatinë e saj. Më ngjau diçka në mua që një kohë më herët që për një kohë goxha të gjatë kam qenë e mbyllur me një sëmundje. U preka shumë nga tema që ka zgjedhur dhe nga ajo që është duke trajtuar”, ka thënë ajo për KOHËN.
Shfaqja “Molly”, e cila vjen premierë në muajin e personave me aftësi të kufizuara, është dhënë reprizë edhe të enjten.
