Pjesa më e madhe e mjeshtërve kanë kaluar nëpër një rrugëtim, që nis me të qenit shegert. Por Gani Fazlija bën përjashtim. 58-vjeçari i lindur në Keqekollë të Prishtinës është mjeshtër i elektronikës. Ka kohë që është i specializuar në rregullimin e frigoriferëve të akulloreve. Zanatin e ka mësuar edhe në shkollë të mesme teknike, por edhe prej përvojës. Deri vonë nuk ka pasur lokal të vetin, ka punuar kryesisht si i pavarur. Rreth 5 vjet më parë, në rrugën “Bajram Bahtiri” ai ka krijuar një adresë. Aty, në një copë druri, “ka shkruar edhe CV-në” e tij. Përvoja e tij e punës shtrihet edhe në Gjermani.
Fillimet e zanatit dhe lidhja me fizikën
Te mosha 20-vjeçare e tij kthehet Gani Fazlija, teksa i duhet të përgjigjet për fillimet e zanatit të tij.
“E kam kryer shkollën e mesme për teknik të elektros. E kam pasë Sylë Tahirsylën, meteorologun, profesor të fizikës, dhe prej tij e kam pasë dëshirë gjithnjë fizikën. Aty e kam marrë atë bazën”, nis rrëfimin e tij Fazlija, i cili më vonë do të studionte edhe dy vjet për ekonomi, e do ta përfundonte Fakultetin e Edukimit.
“Asnjë orë shegert nuk kam punu”, thotë ai pak si me krenari.
Thotë se punët e rrymës i ka bërë kryesisht nëpër fshatin e tij të lindjes. I kujton edhe debatet e asaj kohe, që lidheshin me ëndrra për elektrifikim, në kohën kur në vendet e zhvilluara kjo s’ishte më në mesin e çështjeve problematike.