Shaban Tashevci është mjeshtri i gjeneratës së re. Ka pasur fatin që si i vogël të mësojë përkrah babait të tij, tashmë të ndjerë, për rregullimin e pajisjeve mekanike elektrike. Babai i tij, Rexhepi, ka qenë inxhinier i elektroteknikës. Shabani është ende duke i ndjekur studimet në Fakultetin e Elektros, porse studimet po i ecin më ngadalë për shkak të angazhimit të madh në punë.
Thotë se si mjeshtër di të bëjë shërbime prej rregullimit të pajisjes më të vogël, ta zëmë, një tharëse flokësh apo mikrongrohëse, deri në montimin e trafove me 10 mijë kilovatë.
“Një profesion që të bën për vete”
Teksa nis rrëfimin për lidhjen e tij me këtë profesion, Shaban Tashevci kthehet tek i ati i tij.
“Ai ka qenë inxhinier i elektros dhe ka punuar në Minierën e Novobërdës. Pas orarit të punës atje, gjithmonë ka punuar në servis”, thotë Tashevci. “Vdiq i ri, në moshën 52-vjeçare. Por me të kam qenë më shumë shok sesa që kemi pas raport babë e bir”, thotë me mallëngjim ai, shkruan KOHA.
E pranon se gjithmonë e ka dashur këtë punë, të cilës në fakt nuk ka pasur se si t’i shmangej.
“Gjithmonë kam punuar përkrah babait, prej kur kam qenë shumë i vogël”, thotë Tashevci, që kujton edhe momente drithëruese. “Kam qenë në klasën e tetë të shkollës fillore, jo më shumë se 15-vjeçar, kur jam ngjitur në shtyllë elektrike për të bërë kyçje. Atëherë nuk kam ditur të frikësohesha prej rrymës, por frikësohesha vetëm prej lartësisë. Sot kur e kujtoj më rrëqethet trupi, se ndoshta nuk e kam ditur realisht rrezikun që i kanoset njeriut në atë punë. Një prekje e vogël e kabllos mund të jetë fatale”, thotë ai.
Tashevci do të regjistrohej në shkollën profesionale “Gjin Gazulli” në Prishtinë, në drejtimin e elektros. E më vonë edhe në fakultet, po në drejtimin e Elektros.
“Është një profesion që të bën për vete. Kur hyn në botën e saj, është problem me dalë”, thotë ai.
E ndryshimet në këtë punë janë të mëdha.