“Unë veç drejt di të flas”, janë fjalët me të cilat nis bisedën 72- vjeçari Mehdi Kryeziu. Ferizajasi, që prej viteve ’70 të shekullit të kaluar jeton në Prishtinë, thotë se ka një jetë që merret me çifteli.
Blerja e parë e instrumentit me dy tela, emblematik për kombin shqiptar, ishte e hershme dhe kishte një merak më vete. Kryeziu ishte vetëm 12 vjeç kur i ati ia bleu një çifteli, shkruan sot Koha Ditore.
“Jam lindur në fshatin Plitkoviq, dhe shkoja çoban me dhen. Një kushëri e ka pasur një çifteli dhe gjithë ditën i bike te koka ime. Unë e lutsha me ma dhanë me i ra, por nuk ma jepte, thojke: ‘jo se ma prish’. Erdha dhe i tregova babës.
Më tha që ka me ma ble një dhe ma bleu”, kujton ngjarjen e fiks 6 dekadave më parë burri me mustaqe të thinjura. E prej atëherë, thotë se, ka nisur edhe vetë të merret me prodhimin e çiftelive.
Thotë të ketë bërë mijëra sosh për gjithë këto vite. Ka një “vulë” të veten në instrumentet që thotë se i prodhon. Por tash një kohë del në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku më shumë shet çifteli që i prodhojnë mjeshtërit e tjerë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)