Prej fillimit të viteve ’70, monumenti që njihej si “Barazi, punë dije” do të shndërrohej në ikonë e pikë referente në qendër të Mitrovicës, promovonte qytetin dhe ideologjinë e kohës. Më 2010 befas do të zhdukej prej aty. Artisti Alban Muja qe ndër të parët që reagoi dhe prej atëherë, do ta nismonte rikthimin e monumentit. Ia ka dalë me “Autostrada Biennale”. Ka realizuar kopjen e asaj vepre në format më të vogël dhe tashmë ajo zë vend aty ku ka qenë dikur origjinali
Për rreth katër dekada, vepra “Barazi, punë, dije” do t’i jepte kuptim të veçantë njërës prej hapësirave të qytetit të Mitrovicës. Do të linte jo pak gjurmë e do të kthehej në simbol ikonë për qytetarët, e do të bëhej pikë referente edhe në kohë demokracie. Gjenerata të tëra do të shëtisnin pranë saj. Deri në vitin 2010. Kur u hoq befas dhe u zhduk prej aty. Gjurmët e saj nuk dihen sot e kësaj dite. Por ajo tashmë është rikthyer si kopje.
Prezenca e veprës do të bëhej e pashmangshme për artistin mitrovicas Alban Muja. Ia kujtonte fëmijërinë e rininë. Kishte reaguar publikisht kur u zhduk këtu e para më shumë se një dekade.
Të dielën, po në vendin e njëjtë ku kishte qenë vepra origjinale, qytetit ia ka siguruar përjetësinë e gjurmëve të viteve ‘70. Ka lidhur katër dekada në një vijë me gjendjen e shoqërisë që nuk dallon fort, e me mesazhin e veprës që duhet dëgjuar edhe sot, pavarësisht se i takon komunizmit që ka kohë që ka perënduar.
“Monumenti në lëvizje” do të titullohej vepra e Mujës. E porositur nga “Autostrada Biennale” për programin e edicionit të tretë dy vjet më parë, rimodelonte monumentin e barazisë dhe të përparimit. U realizua në përmasa më të vogla sesa origjinali dhe do të vendosej në një hapësirë prej betoni në formë rrethore mu në qendër të Prizrenit në vitin 2021.

Prej atëherë, Alban Muja planifikonte ta kthente monumentin në vendndodhjen që i përkiste – në Mitrovicë.
Tash kur simboli i “barazisë, punës dhe dijës” ka rinisur të frymojë në qytetin e tij, monumentit i është shtuar edhe një copë emri. Quhet “Monumenti në lëvizje–kthimi prapa, 2021-23”. Për shfaqjen e monumentit në Prizren, kuratoret e këtij edicioni, Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza kanë thënë se “ka qenë një lloj provokimi”. Dyshja ka qenë kuratore edhe në edicionin e kaluar të Bienales së sivjet shënon edicionin e katërt.
Jo rrallë ka ngjarë që “Autostrada Biennale” ndonëse me temën “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”, në fakt t’i rikthejë ato. Fuqishëm vjen rikthimi i plotë i kopjes së veprës së zhdukur të kohës së komunizmit. I paprecedentë është edhe fakti se vepra në shesh do të jetë permanente sa i përket ekspozimit.
“Monumenti...”, sikurse edhe monumenti origjinal, paraqet minimalisht dy burra dhe një grua tek mbajmë një vegël pune, një pëllumb dhe një libër si simbole të “Barazisë, punës, dijes”.
Artisti i lindur në Mitrovicë dhe që jeton midis Berlinit dhe Prishtinës ka vlerësuar se vepra është me temë e koncept të njëjtë me origjinalen që qëndroi aty për afro 40 vjet.
“Ka temë dhe koncept aktual edhe sot. Madje nëse e krahasojmë është edhe më aktuale për qytetarët e Mitrovicës: ‘Barazia’ mes gjinive ku ne e dimë se duhet të punohet shumë në këtë drejtim, ‘puna’, ku ne e dimë se mungesa e madhe e gjetjes së punës dhe ‘dija’ apo ‘edukimi’ për t’i larguar të rinjtë nga gjëra të tjera dhe të fokusohet vetëm te dija”, është shprehur artisti Muja, i cili më 2019 me “Albumin familjar” përfaqësoi Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie.
Jo të pakta janë kujtimet për monumentin për qytetarët e Mitrovicës. Njësoj edhe për Mujën që ka jetuar aty deri në moshën 18-vjeçare.
“E kemi pasur si memorie kolektive për veprën dhe ka qenë e papritur që në vitin 2010 të largohej. Njëherë u tha se ishte hequr përkohësisht, por nuk u kthye më. Prej asaj kohe menduam si ta kthejmë, pasi nostalgjia ka qenë e madhe”, ka treguar Alban Muja. Ka treguar se dy kuratoret e “Autostradës...” i kishte takuar në Berlin kur edhe i kishte njoftuar për historinë e veprës. I kishin kërkuar që vepra të dërgohej në Prizren ku u punua dy vjet para se të kthehej në “vendlindje”.
Arsyeja e zhdukjes së monumentit “Barazi, punë dhe dije” dhe statusi i tij mbeten të paqarta.
Por “ai mbijeton në kujtesën kolektive të banorëve të Mitrovicës”, shkruan “Autostrada Biennale” dhe se “vepra ishte simbol i talentit dhe kreativitetit të artistëve të Mitrovicës në atë kohë, përmes së cilës shkriheshin në mënyrë të përsosur koncepti ideologjik me realizimin teknik dhe pasqyrohej bota industriale që njëherë promovonte qytetin dhe ideologjinë e kohës”.
Njëri prej organizatorëve të ngjarjes, Leutrim Fishekçiu, rikthimin e veprës e ka vlerësuar si kontribut për vendin dhe si mesazh jashtëzakonisht të fuqishëm jo veç për të kaluarën, por edhe të tashmen e të ardhmen.
“Me Vatrën dhe Bareshin gjithmonë kemi menduar se duhet të kontribuojmë për vendin tonë, qytetin tonë për të pasur vepra arti që do të jenë më afatgjate. Jashtë Bienales që ndodh çdo dy vjet dhe zgjat dy muaj, jemi shumë të lumtur që kemi arritur të sjellim një vepër jashtëzakonisht të çmuar dhe të nevojshme, në kohën e duhur”, ka thënë Fishekçiu.

Kuratorja turke, Övül Durmuşoğlu, është shprehur krenare, pasi sipas saj, nëpërmjet veprës shohin se puna e tyre si kuratore ka të bëjë edhe me të ndërtuarit e infrastrukturës dhe të lënit diçka prapa për komunitetet me të cilat punojnë.
“Kjo lidhje me të cilën deshëm të zhvillojmë duke punuar për katër vjet rresht në Kosovë është akt simbolik me këtë monument publik që kthehet në vendin e tij”, ka thënë ajo. Është ndërlidhur me temën e përgjithshme të Bienales.
“Ne e quajmë ekspozitën tonë ‘Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë’, por këtu po e rikthejmë imazhin në vendin origjinal. Do të doja të thosha se kjo rishfaqje e imazhit më në fund do të drejtojë mesazhin e saj. Kosova ka këta njerëz që hulumtojnë gjatë dhe që sjellin e kthejnë më shumë gjëra te komuniteti. Kjo është pjesa kur bëhet edhe më kuptimplote”, ka thënë Durmuşoğlu.
Kuratorja tjetër e këtij edicioni të “Autostrada Biennale”, polakja Joanna Warsza, ka thënë se qëllimi i tyre është që gjithashtu ta kundërshtojnë në një formë temën e edicionit të katërt.
“Disa prej monumenteve janë mbivlerësuar, për arsye të mira dhe disa të tjera zhduken dhe disi lënë njëfarë afirmimi se ato do të zhduken në rrethana të ndryshme. Fakti se juve ju intereson tash e sa vjet zhdukja e kësaj vepre, tërheq vëmendje. Qëllimi ishte se si këtë gjë të padukshme ta bëjmë të duket prapë. Ky monument ishte shfaqur në një shkallë më të vogël në Prizren, kështu që për disa njerëz nga Mitrovica ishte histori interesante se çfarë ndodh me një shfaqje të pjesshme aty”, ka thënë Warsza.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka thënë se me projekte të tilla, Mitrovica po bëhet qendër e kulturës. Sipas tij, kthimi i veprës në Mitrovicë ishte i domosdoshëm.
“Ky monument historik, me përmbajtje tejet të rëndësishme që i ka rezistuar kohës ishte jo i nevojshëm, por i domosdoshëm të kthehet. Kjo u realizua në mënyrën më të mirë. E ftuam Albanin, ‘fajtorin’, i cili në shenjë revolte ndaj rrënimit, largimit tashmë, e kishte krijuar veprën me dimensione më të vogla dhe e kishte quajtur ‘Monumenti në lëvizje’”, ka thënë kryetari Hamza, derisa është zotuar për projekte në fushën e kulturës.
“Këtë vit, disa projekte veçse kanë filluar. Qendra e Kulturës është në renovim të tërësishëm, Teatri i Qytetit po ashtu në proces, ndërtimi i shkollës së muzikës dhe bibliotekës së qytetit pritet të fillojnë së shpejti. E përkrahja për kulturë do të vazhdojë më tej”, ka thënë Hamza.
Ngjarje të shumta ngjajnë në “Autostrada Bienale” dhe atë në jo më shumë se dy ditë. Tema “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë” zbërthehet në anë të kundërta si me rastin e zhdukjes së veprës së artistes turke, Gözde Ilkin “Bimët shoqëruese, gurë besnikë” tok me shtëpinë që u rrafshua në Prizren, si me rastin kur Mitrovicës i ringjallet vepra e kohës së komunizmit.