Janë katër koncerte, emra të shquar të kitarës, pasioni e entuziazmi në nivel dhe “Mitrovica Guitar Days” është gati për një edicion të radhës. Marcin Dylla i skenave të botës do ta bëjë hapjen, kitaristi-fenomen Aniellio Desiderio rikthehet në Kosovë, Agron Peni Trio ia ndërron pak ngjyrat, e përmbyllja është një thurje kulturash. “Kemi mbërritur në një pikë ku festivali tash i ka marrë hapat le të themi ndërkombëtarë...”, ka thënë Anisa Suhodolli-Mujka, koordinatore e “KosovaArs”, që organizon “Ditët...” dhe ka një arsye për këtë
Për organizatorët e një ngjarjeje që bën bashkë në Mitrovicë kitaristë botërorë e vendorë “sa më shumë që po afrohet data, aq më shumë po rritet temperatura”. Data që po afrohet është 19 shtatori. Ngjarja: “Mitrovica Guitar Days”. Programi tashmë është shpalosur, emrat e artistëve pjesëmarrës po ashtu, qëllimi dihet kaherë, vështirësitë janë tejkaluar dhe entuziazmi është në kulm.
Entuziaste ka qenë edhe Anisa Suhodolli-Mujka, koordinatore e “KosovaArs”, të hënën, kur ka folur për detajet e fundit të edicionit të pestë të “Mitrovica Guitar Days”. Ka yje botërore në mesin e mysafirëve dhe mjeshtër vendorë të kitarës. Do të hapet me koncertin e Marcin Dyllas, një emër fort i shquar në botën e kitarës klasike, fitues i mbi 15 çmimeve ndërkombëtare, i vlerësuar fort nga kritika.
“Jemi duke provuar të sjellim emra shumë të mëdhenj të skenës botërore të kitarës”, ka thënë Suhodolli-Mujka. Kitaristi polak Dylla, që ka shkelur alamet skenash gjithandej, nuk është i vetmi yll. Sivjet vjen edhe kitaristi italian Aniellio Desiderio, i cili tashmë është edhe mik i “Mitrovica Guitar Days”. Ka qenë edhe vitin e kaluar dhe një njëfarë forme është publiku ai që e rikthen edhe sivjet. Organizatorët ia kanë parë edhe hairin këtij emri të shquar, mjeshtër në lojën e veprave të Paganinit, i veçuar për teknikë e zbërthime të shpejta.
“Kemi mbërritur në një pikë ku festivali tash i ka marrë hapat le të themi ndërkombëtarë. Vitin e kaluar e kemi shënuar një ngritje të dukshme dhe prej zotit Aniellio Desiderio e kemi parë që ai ka folur shumë për festivalin te kolegët e tij”, ka thënë Suhodolli-Mujka. Aranzhimi i emrave të tillë nuk është punë e kollajtë, kitaristë të këtij kalibri duhen kontaktuar shumë më herët. “Mitrovica...” nuk e ka një mundësi të tillë pasi çdo gjë varet prej përkrahjes. Por, janë misioni e pasioni ata që nuk i zmbraps organizatorët dhe në synimet që t’ia sjellin Kosovës instrumentistë prej listës A. Kur flet për pikat ku ia kanë dalë, Suhadolli-Mujka i harron vështirësitë. Ose së paku i minimizon ato. “Jemi duke provuar të sjellim emra shumë të mëdhenj të skenës botërore të kitarës. Nuk është e vështirë, është thjesht dashuri për me e sjellë një festival të tillë”, ka thënë ajo në një bisedë në emision “Express” në Kohavision. Me katër koncerte vjen edicioni i pestë. Desiderio vjen me dy ditë pas hapjes prej Marcin Dyllas të martën e 19 shtatorit. Skena në Muzeun e Qytetit – ku mbahen krejt koncertet – do t’i lihet Trios së Agron Penit, në mbrëmjen e 22 shtatorit që u jep tjetër ngjyrë prej atyre klasike, e tjetër tingëllime ka edhe koncerti përmbyllës një natë më pas.
“Kemi vendosur të mos e mbajmë festivalin vetëm te kitara klasike, e kemi zgjeruar dhe një natë do të kemi flamengo prej Agron Peni Trios. Kemi edhe prej Turqisë, njëri në saz dhe duo kitarë, e që është një miks kulturash. Ata e sjellin një frymë të re në festival”, ka thënë Suhodolli-Mujka.
Por “Mitrovica Guitar Days” nuk sjell vetëm koncerte, katër sa janë sivjet.
Aty janë edhe master-klasat.
“Pika ndoshta më fitimprurëse për studentët, sidomos për studentët e kitarës por edhe në përgjithësi për muzikëdashësit, janë master-klasat dhe workshopet që do të mbahen gjatë kësaj jave”, ka thënë koordinatorja e “ArsKosova”, që e organizon festivalin. Kitaristët Erhan Mujka, Kreshnik Berisha e Drilon Çoçaj, janë trashja e punëtorive.
Me emra të tillë, ani pse në edicionin e pestë, “Mitrovica Guitar Days” ka nisur të veçohet. Kjo sepse, sipas organizatorëve, ka diçka që e veçon.
“Me të vërtetë po vijnë emra të skenave botërore. Marcin Dylla prej ‘The ‘Washington Post’ është cilësuar si talenti me i madh i botës aktualisht. Aniellio Desiderio në Itali cilësohet ‘Il Fenomeno’ (fenomeni)”, ka thënë Suhodolli-Mujka.
E, ajo që e veçon organizimin është fryma. Më pak përkrahje ka sivjet festivali sesa edicionin e kaluar. Pos Komunës së Mitrovicës, në përkrahje u kanë dalë edhe Ambasada e Italisë e disa biznese. Por, përkundër kësaj, organizatorët janë të vendosur.
“Si krejt festivalet, edhe ky festival është aty: t’i bëjë njerëzit bashkë. Kjo është më e bukura e festivalit dhe qyteti e merr një ngjyrë tjetër kur vijnë studentë edhe prej Maqedonisë së Veriut, edhe prej Shqipërisë. Nuk kemi përkrahje si vitin e kaluar, por dëshira për ta bërë festivalin e për të mos u ndalur nuk na lë të mendojmë sa kemi përkrahje”, ka thënë Suhadolli-Mujka.
Me ngjarje si këto, Mitrovicës i kthehet shkëlqimi i dikurshëm.
“Siç e dimë historikisht ka qenë vend i qejfit, kulturës, i muzikës, por e dimë që pasluftës qasja politike e mediat, duke u koncentruar shumë tek ajo pjesë, ka humbur ose ka rënë shumë në hije çështja e kulturës. Viteve të fundit është e vërtetë se jemi një grup i madh i organizatave që e kemi kapur për krahu njëri-tjetrin dhe po mundohemi ta shtyjmë përpara”, ka thënë ajo. Organizime të tilla për të, por edhe për të tjera organizata nuk janë thjesht ngjarje kulturore. “Sepse është një qëllim jashtë vetvetes – qëllim i qytetit. Jemi shumë të lumtur që Mitrovica po e rikthen shkëlqimin që e ka pasur dikur”, ka thënë Anisa Suhodolli-Mujka. E qyteti tashmë është akorduar për “Mitrovica Guitar Days”.