Kulturë

Misioni për të ripërdorur veshjet e Gorës

Foto: Koha

Sevdije Ramadani është gruaja që po e lufton zhdukjen e disa prej veshjeve tradicionale të zonës që i takon. Ajo është gorane, por ka kohë që jeton në Prishtinë.

Tash e gati një dekadë vetes ia ka vënë këtë mision. Po grumbullon veshje që nuk përdoren më nga gratë në Gorë, i ripërpunon dhe i shet. Njësoj bën edhe me qilima, shkruan sot “Koha Ditore”.

E ka themeluar për këtë edhe një shoqatë, që e ka emërtuar “Gora”.

Një dyqan të vogël e ka në cep të rrugës “Nazmi Gafurri” në kryeqytet. Por çdo të martë del edhe në Tregun Mobil, të cilin e organizon Komuna e Prishtinës.

Nga dyqani i saj ajo rrëfen se si i gjen e si i përpunon këto veshje e qilima. E krahas kësaj rrëfen për një traditë që dita-ditës po zhduket.

Restaurimi për rifunksionalizim

Ramadani tregon se ka qenë maji i vitit 2010 kur është themeluar shoqata “Gora”, me seli në Prishtinë, por me mision në Gorë. Thotë se anëtare i ka kryesisht gratë gorane. Në fakt, thotë se më shumë po punon vetë.

“Puna ka nisur si ide për të bërë diçka në këtë drejtim. Shumica e grave gorane nuk dinë të flasin shqip, e unë jam bërë si ndërmjetësuese”, thotë ajo, teksa thekson se me këtë punë nuk ia del të fitojë më shumë sesa për të mbetur gjallë. “Nuk kam pasur ndonjë angazhim, dhe kam dashtë të merrem me diçka”, thotë Ramadani.

Ajo merret kryesisht me veshjen tradicionale gorane, që thotë se në thelb nuk dallon shumë nga veshja shqiptare.

“Po merremi më shumë me veshje tradicionale gorane. Me jelekë, këmisha, e gjëra të tjera. Ato janë kryesisht produkte të vjetra, se sot pak i prodhojnë.

Shumë njerëz kanë emigruar nga ajo zonë dhe sëndukët kanë mbetë ashtu. Këto veshje pak i përdorin në përditshmëri”, thotë ajo.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)