Kur kanë mbetur edhe 13 ditë deri në hapjen e edicionit të 11-të të “Mirëdita, dobar dan!” kryetari në detyrë i Beogradit, Aleksandar Shapiq, është përkujdesur që ta thotë të tijën për një ngjarje si kjo. S’e do në qytetin e tij – ku përherë është pritur me protesta radikalësh serbë – por e di s’e nuk ka takat ta ndalë. Deklarata si këto për organizatorët nuk çojnë peshë. “Do të isha i lumtur nëse nuk do të kishte gjëra të tilla dhe aktivitetet do të vazhdonin pa telashe. Do të ishte befasi e mirë dhe shenjë e mirë për shoqërinë serbe”, ka thënë Kushtrim Koliqi nga “Integra”
Radikalët serbë me protestat e tyre ku thërritet edhe për vrasje shqiptarësh, janë bërë tashmë pjesë e pandashme e “Mirëdita, dobar dan!” në Beograd. Intro e festivalit i cili ka lënë prapa një dekadë, në edicionet në kryeqytetin e Serbisë, kanë qenë përherë mbledhjet e grupeve që tentonin ta pengonin mbajtjen e tij. E tash, kur kanë mbetur edhe 13 ditë deri në hapjen e edicionit të 11-të, këtë po synon ta bëjë edhe kryetari në detyrë i Beogradit, Aleksandar Shapiq. Atij s’i pëlqen një ngjarje si kjo, por e di që nuk ka fuqi të bëjë gjë. Organizatorët s’e kanë ndërmend të ndalen e deklaratat e Shapiqit i kanë cilësuar të kota.
“Ne, si administratë e qytetit, nuk kemi mundësi ligjore t’i ndalojmë, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që çdo gjë asgjë që ka të bëjë me qytetin e Beogradit të jetë në shërbim të tyre”, ka thënë Shapiq në një deklaratë të postuar në portalin “BeoInfo”. Ka bërë thirrje që të mos lejohen manifestime të tilla, që sipas tij, e dëmtojnë rendin kushtetues dhe juridik të Serbisë. Ka deklaruar se festivali ka “falsifikuar dhe ndryshuar drejtpërdrejt historinë përmes promovimit të ashtuquajturës trashëgimi kulturore të Kosovës, duke përjashtuar atë serbe”.
Kushtrim Koliqi, udhëheqës i organizatës “Integra”, e cila e organizon festivalin me bashkë me Iniciativën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Iniciativën Qytetare të Serbisë, nuk është befasuar prej deklaratave të tilla. Sipas tij, institucionet shtetërore e ato lokale në Serbi nuk kanë autoritet në hapësirat ku “Mirëdita, dobar dan!” zhvillon aktivitetin.
“Këto reagime nuk na befasojnë, sidomos prej politikanëve nacionalistë që gjithmonë mundohen të përdorin tema dhe ngjarje të tilla ta mirëmbajnë profilin e tyre politik. Nuk është asgjë e re për ‘Mirëdita, Dobar dan’. Unë vetëm ndiej keqardhje për këto reagime, të cilat janë fillimisht jo civile, nuk respektojnë vlerat e respektit të ndërsjellë, mirëkuptimit, tolerancës. Megjithatë nuk befasohem me këto reagime”, ka thënë Koliqi për KOHËN.
Ka qenë i prerë se festivali nuk do ta ndalë aktivitetin e edicionit të sivjetmë. Madje reagime të tilla i sheh si argument shtesë për vazhdimin e tij
“Është e rëndësishme të thuhet se ‘Mirëdita, Dobar dan’ do të vazhdojë dhe ngjarjet e saj nuk i ka në asnjë prej institucioneve vartëse të Qeverisë së Beogradit në këtë rast. Këtë e shohim si argument shtesë që festivali duhet të vazhdojë dhe pa asnjë dilemë do të mbajë edicion”, ka thënë Koliqi teksa “Mirëdita, dobar dan” e ka vlerësuar si dritaren e vetme për t’i parë shoqëritë e dy vendeve nga një tjetër perspektivë, veçmas narrativën e saktë për luftën në Kosovë.
Sa i përket deklaratës së Shapiqit për gjoja falsifikim të trashëgimisë kulturore, ka thënë se çdo material e ngjarje kanë qenë të ndërtuara bazuar në fakte.
“Çfarëdo që kemi dërguar në Beograd, qoftë botime, libra, prodhime të ndryshme artistike, definitivisht nuk kanë pasur për qëllim ta propagandojnë ndonjë narrativë. Janë të bazuara në evidencë dhe jo në dogma që kanë qëllime politike për ta transformuar historinë. Festivali ka mbetur dritarja e vetme midis dy shoqërive”, ka thënë Koliqi.
Protestave të radikalëve, jo rrallë u janë bashkuar edhe liderë politikë. Më 2018 pranë Qendrës për Dekontaminim Kulturor u kishte prirë vetë lideri radikal Vojslav Sheshel.
Parvjet, në edicionin e nëntë të festivalit ishte ndërruar strategjia: me alarme bombash. Ceremonia e hapjes ishte ndërprerë ndërsa hapësira ishte kontrolluar nga një njësit për çminim. Pas rreth gjysmë ore ishte konfirmuar se ishte alarm i rrejshëm. Në anën tjetër, protesta kishte qenë e zbehtë. Veç pesë veta kishin kundërshtuar festivalin dhe ishin vetëquajtur “Radikalët nga Prishtina”. KOHA që e ka ndjekur secilin edicion kishte raportuar se protestuesit mbanin “flamuj” me hartën e kufijve të Kosovës, të krijuar prej flamurit serb.
Koliqi ka thënë se do të habiteshin nëse sivjet nuk do të vazhdonte ky episod.
“Nuk kemi ndonjë parashikim për sivjet. Por nuk habitemi nëse do të ketë protesta dhe alarme për bombë, çfarëdo qoftë që ka pasur vitet e kaluara. Do të isha i lumtur nëse nuk do të kishte gjëra të tilla dhe aktivitet do të vazhdonin pa telashe. Do të ishte befasi e mirë dhe shenjë e mirë për shoqërinë serbe, më shumë sesa për ne”, ka thënë ai.
Edhe Sofija Todoroviq, drejtoreshë e programit të Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut që është po ashtu bashkorganizatore e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, ka thënë për REL se festivali nuk ndikohet nga të tilla reagime.
“Deklarata e Aleksandar Shapiqit nuk ndikon në organizimin e festivalit, sepse festivali është mbajtur kryesisht në hapësira private për vite. Festivali nuk e fyen askënd”, ka thënë Todoroviq.
Edicioni i 11-të sivjet hapet më 27 qershor në “Dorćol Platz”, ku do të jepet shfaqja “Babai dhe babai” në regji të Kushtrim Koliqit. Promovime librash, shfaqje filmash, debate mbi narrativat e pasluftës, e muzikë, do ta karakterizojnë sivjet festivalin që ka radhën të zhvillojë edicionin në Beograd.
Vitin e kaluar ishte mbajtur në Prishtinë. Për dallim prej kryeqytetit serb, nuk kishte asnjë telash në ushtrimin e aktivitetit. Madje, kontrasti edhe më i thellë ka qenë solidarizimi me viktimat e sulmit që kishte lënë të vrarë tetë nxënës të një shkolle fillore në fillimmajin e vitit të kaluar. Në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës ishin ndezur qirinj në shenjë solidarizimi.
Për tri ditë ishte prezantuar skena kulturore, artistike e shoqërore të Serbisë me shfaqje të filmave e të teatrit, promovime librash e koncerte. Programi ishte përmbyllur me art skenik që thërret për të dhuruar dashuri.
Të njëjtën synon ta bëjë për tri ditë edhe në Beograd.