Kulturë

Miratohet projekti restaurues i Teatrit Kombëtar, çmimi prek 7 milionë euro

Në bazë të asaj që është prezantuar, projekti i detajizuar nuk e tejkalon atë ideor sa i përket pamjes që do të ketë ndërtesa. Ruan formën aktuale të ndërtesës së viteve ’40 të shekullit të kaluar (Foto: Ministri i Kulturës/FB)

Në bazë të asaj që është prezantuar, projekti i detajizuar nuk e tejkalon atë ideor sa i përket pamjes që do të ketë ndërtesa. Ruan formën aktuale të ndërtesës së viteve ’40 të shekullit të kaluar (Foto: Ministri i Kulturës/FB)

Komisionit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve i është mbushur mendja që t’i japë dritën jeshile për zbatim të projektit për restaurimin e rinovimin e tërësishëm të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës. Kostoja e implementimit si paramasë është llogaritur të shkojë në prag të 7 milionë eurove. Sipas projektuesve, implementimi do të kushtojë 6.9 milionë euro. Vlera prej 5.4 milionë eurosh si parallogari – e projektit detaj që ishte kthyer nga IKMM-ja për plotësime – qe konsideruar vlerësim me “shkarje të vogla”. Përderisa MKRS-ja nuk kthen përgjigje, ministri Hajrulla Çeku, në rrjete sociale ka shkruar se “Kosova po bëhet me teatër të ri kombëtar, duke e ruajtur teatrin e vjetër”

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve i ka hapur rrugë procesit të realizimit të projektit për restaurimin e përgjithshëm të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës. Të martën është miratuar projekti zbatues ose i detajuar që është përgatitur nga profesorët e Universitetit të Prishtinës. Ky miratim duhej për shkak se ndërtesa e Teatrit është monument. 

Pas projektit ideor, IKMM-ja një herë e kishte kthyer zbatuesin për plotësime. Kësaj radhe, Komisionit i është mbushur mendja që t’ia japin dritën jeshile për zbatim. 

Kostoja e implementimit si paramasë është llogaritur të shkojë në prag të 7 milionë euro. Sipas projektuesve, implementimi do të kushtojë 6.9 milionë euro. 

Vlera prej 5.4 milionë eurosh si parallogari – e projektit detaj që ishte kthyer nga IKMM-ja për plotësime – qe konsideruar vlerësim me “shkarje të vogla”.

Në bazë të asaj që është prezantuar, projekti i detajizuar nuk e tejkalon atë ideor sa i përket pamjes që do të ketë ndërtesa. Projekti i hartuar nga profesorët universitarë të Fakultetit të Arkitekturës, atij të Ndërtimtarisë, Inxhinierisë Elektrike dhe Inxhinierisë Mekanike ruan formën aktuale të ndërtesës së viteve ’40 të shekullit të kaluar. Shtesa janë bërë nga prapa në një aneks të shtuar në vitet ’80. Arkitektura e re e bazuar në nevojat e institucionit, nuk tejkalon pikën më të lartë aktuale të monumentit. Gjatë një prezantimi të mbyllur në fillim të prillit, profesori i inxhinierisë së ndërtimit, Naser Kabashi, kishte thënë se është bërë diçka e mundshme për kushtet që janë. 

“Detyra ishte komplekse, pasi kishte shumë kërkesa”, kishte thënë ai. Sipas tij, si projektues janë të gatshëm për të ndihmuar edhe gjatë procesit të zbatimit të projektit. 

“Mbetemi në lojë për disa detaje”, kishte thënë ai. 

Ministria e Kulturës ka përvoja kur punëkryesit “kanë hasur në telashe me zbatimin e projekteve” dhe projekte kapitale kanë ngelur ngrehina. 

Inxhinieri Kabashi disa herë kishte kërkuar nga kolegët që të bëjnë llogaritje të sakta sa i përket paramanës së vlerës së realizimit të projektit. 

“Ju lus shumë që me paramasë të jemi sa më të mirë. Nuk bën të bëhemi horë e të ndalen punimet, shkaku i paramasës. Ka raste të tilla mjaftueshëm. Me sa kam parë, ka shkarje të vogla në paramasë”, kishte thënë ai disa herë. Të martën i ka thënë gazetës se pas thirrjes publike është normale që ofertat të jenë në vlerë 10 për qind më të ulëta ose më të larta. Ka hezituar shumë të flasë në parim për afat të kryerjes së punimeve, por e ka dhënë një mendim. 

“Kjo varet shumë nga kapacitet e kompanisë punëkyrese. Por do të thosha se një afat optimal është nga një vit në një vit e gjysmë”, ka thënë ai. 

KOHA gjatë së martës ka pyetur Ministrinë e Kulturës për kohën e hapjes së thirrjes publike për angazhimin e punëkryesit. Por MKRS-ja nuk e ka ofruar këtë përgjigje.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, të martën ka shkruar në Facebook. Ka thënë se “Kosova po bëhet me teatër të ri kombëtar, duke e ruajtur teatrin e vjetër”. “Projekti zbatues për restaurimin/rinovimin e tërësishëm të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës tanimë ka marrë edhe pëlqimin përfundimtar nga Komisioni i IKMM-së. Vazhdojmë me shpalljen e procedurës për angazhimin e operatorit për realizimin e punimeve. Kosova po bëhet me teatër të ri kombëtar, duke e ruajtur teatrin e vjetër”, ka shkruar ai. 

Shtesa janë bërë nga prapa në një aneks të shtuar në vitet ’80 (Foto: Ministri i Kulturës/FB)

Sipas tij, MKRS-ja ka punuar me “gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës, profesionistët më të mirë të vendit tonë për hartimin e projektit, i cili përveç rinovimit të ndërtesës parasheh edhe shtim të hapësirave të reja për të krijuar kushte të dinjitetshme për aktorët e stafin dhe përjetim të përmirësuar artistik për publikun”. 

Paraprakisht projektuesit kishin paraparë që punët të përfundojnë me 5.4 milionë euro. 
Në fund të marsit të sivjetmë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte thënë se janë ta gatshëm të mbulojnë shpenzimet. 

“Kjo informatë (5.4 milionë v.j.) ka qenë e fundit, por mundësia është që të shkojmë edhe pak përtej, pasi faza që është hartuar herën e fundit ka të bëjë me akustikën dhe ajo ka disa specifika të caktuara. Ta shohim tash kur të përfshihet edhe akustika në totalin e paramasës se në çfarë shume do të shkojmë. Por edhe nëse e tejkalojmë këtë shumë në kornizën afatmesme të shpenzimeve e kemi buxhetin e nevojshëm. Shpresojmë shumë që procedura e prokurimit për operatorin punëkryes të shkojë në afate optimale, në mënyrë që sa më parë të nisë punë në ndërtesën e Teatrit”, kishte thënë ministri Çeku. 

Sipas Ligjit për ndarjet buxhetore për këtë vit, deri më 2026, Ministria e Kulturës ka paraparë 5.3 milionë euro për këtë projekt, por në të njëjtin dokument si vlerë të totale të projektit ka llogaritur mbi 10 milionë euro.

Lajm të jashtëzakonshëm e ka cilësuar miratimin e projektit, drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Kushtrim Sheremeti. S’e ka fshehur entuziazmin. 

“Është lajm jashtëzakonshëm për të cilin, ndër të tjera, edhe kemi punuar shumë! Sipas asaj që kemi biseduar me MKRS-në, ne besojmë që brenda javesh do të bëhet edhe hapja e thirrjes dhe shpresoj se gjithçka të shkojë mbarë, në mënyrë që gjatë verës të nisin edhe punimet e para”, ka thënë Sheremeti në përgjigje me shkrim. 

Sipas projektit, ndryshimet në organizimin e brendshëm nxjerrin në pah se hapësira që ka qenë bufe dhe fondus, bashkohen në një për sallë provash. Skenë alternative del të jetë ish-salla e Baletit Kombëtar të Kosovës, kurse interpolimi përfshin të ashtuquajturën “Green room” ku midis të tjerash, do të ketë sallë leximi e “media fasadë”, fasadë që jep mundësi të reklamimit të shfaqjeve në ekrane. Është shtesa ku materiali “corten” – çelik i njohur për intervenime të tilla – dominon.
Me “corten” do të mbështillen disa grupacione të kthinave të reja të Teatrit. 

“Mbi kafazin e aneksit të ruajtur të viteve ‘80 krijohet ‘Green Room’ – hapësira për shumë qëllime e trupës së Teatrit, e në segmentin jugor ngrihet në dy kate një segment i ri rreth 20 metra i gjatë, që formohet si hapësirë shtesë për trupën e teatrit dhe për apartamentet sipër në nën kulm. Këto dy segmente lidhen në një strukturë të vetme përmes materializmit të mbështjellësit corten që i mbështjell ato që të duken si një strukturë e vetme e interpeluar”, shkruhet në projekt. Sipas këtij dokumenti, do të aplikohen tre tipa të paneleve corten: panele solide, që do të vendosen aty ku kërkohet mbyllje e plotë e sipërfaqeve, panele me përforcim të rrallë për të kontrolluar dritën në disa segmente të mbulesës së “Green Room”.

Skenë alternative del të jetë ish-salla e Baletit Kombëtar të Kosovës, kurse interpolimi përfshin të ashtuquajturën “Green room”, ku midis të tjerash, do të ketë sallë leximi e “media fasadë”, fasadë që jep mundësi të reklamimit të shfaqjeve në ekrane (Foto: Ministri i Kulturës/FB)

Gjatë sqarimeve të projektit detaj, hartuesit kishin bërë me dije se shtesat do të jenë të betonit. 
Ndërtesa e TKK-së ishte mbyllur nga Ministria e Kulturës në korrik të vitit 2022 me arsyetimin se paraqiste rrezik. Qe një arsyetim i paqenë, pasi raporti i profesorëve universitarë nuk e konstatonte këtë. Në maj të vitit 2022, një grup i profesorëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë të Universitetit të Prishtinës ia kishte dorëzuar Ministrisë së Kulturës një raport mbi gjendjen e objektit.

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës bashkë me Ministrinë e Kulturës e kanë mbyllur ndërtesën e institucionit më të lartë teatror. Të paktën profesionistët që janë thirrur për të bërë një vlerësim të gjendjes fizike të ndërtesës nuk kanë rekomanduar mbyllje. Nuk është konstatuar se ndërtesa si tërësi paraqet rrezik për punëtorët dhe publikun, e as që gjendja është alarmante. Në raportin që zyrtarisht titullohet “Vlerësimi i gjendjes fizike të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, hartimi i termave të referencës (tor) dhe ndërhyrjet e menjëhershme të evidentuara”, nuk shkruhet se ndërtesa paraqet rrezik për punonjësit apo publikun. Raporti i detajuar shpërfaq gjendjen e secilës pjesë të ndërtesës. Nxirren përfundime se në shumicën e pjesëve ka nevojë për ndërhyrje. Për këtë edhe janë dhënë një varg rekomandimesh.

Nga paslufta e deri më tani, objekti i Teatrit Kombëtar të Kosovës është rinovuar gjashtë herë. Më 2010, në atë që u quajt rinovim, u shpenzuan 150 mijë euro. Më pas ishte një rinovim i vitit 2015, rinovimi i parë pas luftës qe ai i vitit 2000, për të vazhduar edhe më 2004 dhe 2007. Më 2022 po ashtu qe një rinovim i nyjave sanitare dhe banjave të Baletit.
Prej shtatorit të vitit 2022, Teatri u zhvendos në atë që tash quhet Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit. Edhe së fundmi u investua për rinovim.