Kulturë

“Miqtë për Diellzën” bashkon zërat në thirrje për kurajë e vetëdijesim

Një pjesë e anëtarëve të Filharmonisë së Kosovës kanë mbajtur koncert në mbështetje për miken e tyre, alton Diellza Sylejmani-Veseli, e diagnostikuar me kancer. Ngjarja emocionuese pati për qëllim kurajën e përkrahjen për të prekurit e tjerë. Mbi të gjitha, thirrje për ndërgjegjësim mbi sëmundjen. Mesazhet kanë qenë brenda repertorit me vepra emocionale njësoj si interpretimi. Për mua kënaqësi e madhe ishte së pari ta dëgjoja koncertin. Kësaj here prej pozicionit të publikut. Normalisht që është kënaqësi shumë e madhe dhe nder shumë i madh që kolegët e mi e kanë organizuar këtë koncert”, ka thënë Diellza Sylejmani-Veseli

Një pjesë e armatës së muzikës klasike në vend shkathtësitë e përvojën i kanë transformuar në thirrje për ndërgjegjësim. Arti me vokal e me tingull ka qenë metoda me të cilën miqtë e altos Diellza Sylejmani-Veseli i japin motiv në betejën e saj. Me koncertin “Miqtë për Diellzën” publikut e vetë protagonistëve në skenë u janë sfiduar emocionet. Ka qenë përjetim tejet prekës nëpërmjet këngës. Këtë dimension ia ka dhënë veçmas dedikimi i koncertit.

Mesazhet kanë qenë brenda repertorit me vepra emocionale. Sopranoja Besa Llugiqi u ka dhënë zë arieve operistike me interpretim delikat. Bashkë me Misbah Kaçamakun në piano e kanë thurur rrëfimin me mozaikun e operave botërore.

Kanë interpretuar pjesën “Vilja” për soprano e piano të kompozitorit austro-hungarez Franz Lehar. Interpretimi i kësaj pjese bashkë me arien “Quando m’en vo” nga “La Boheme” e italianit Giacomo Puccini dhe “Ah Lieb...” e “Allerseelen” të kompozitorit gjerman Richard Strauss, kanë qenë tejet emocionuese në interpretim dhe delikate sa i përket vokalit. “Kënga e hënës” nga opera “Rusalka” e çekut Antonin Dvorak nuk ka dalë shumë prej këtyre kornizave, por rrallë ka pasur elemente të vokalit harmonik. Tingulli i pianos ka qenë i lehtë.

Poezia ka qenë medium tjetër në koncert. Aktorja Safete Rogova e ka sfiduar gjendjen emocionale me vargje. Forca e gruas ka qenë në qendër të performancës së saj. Ka kujtuar përjetimet e grave të Srebrenicës, Ferdonije Qerkezin, humbjet e saj dhe dëshirën për të jetuar përkundër mërzisë në jetë. Në vargjet e Rogovës janë edhe gratë e bijat e familjes Jashari të cilat përtërinë familjen heroike.

Image
I ndjeshëm ka qenë edhe interpretimi i një pjese të Korit të Grave të Filharmonisë së Kosovës nën dirigjimin e Hajrullah Sylës (Foto: Arben Llapashtica)

Në mbyllje ato i dedikohen altos Sylejmani-Veseli. Ajo përshkruhet si universi, bota, zanafilla. “Së bashku do t’i kalojmë vargjet e së keqes, të pabesisë”, është vargu me të cilin aktorja Rogova e mbyll interpretimin poetik. Me tinguj pianoje e ka ngjyrosur pikën e saj Andi Duraku.

I ndjeshëm ka qenë edhe interpretimi i një pjese të Korit të Grave të Filharmonisë së Kosovës nën dirigjimin e Hajrullah Sylës. “E bukura more”, “Qenke veshur me të bardha” dhe “Trëndelinë” kanë ardhur në version më ndryshe se zakonisht. I janë përshtatur formatit të koncertit në gërshetim edhe me pikat e repertorit botëror.

Ka qenë art me zëra. Krahas atyre qendrorë kanë qenë edhe ata me të cilët improvizohej një ngjarje në sfond. Anëtaret me zërat e tyre i kanë mbajtur pjesët të pashkëputura.

Në interpretim të këngës “She weeps over rahoon” të amerikanit Eric Whitacre, në skenë është bashkuar klarinetisti Shkumbin Bajraktari.

Në një pjesë të këngës “The Rose” të norvegjezit Ola Gjeilo, zëri i altos Diellza Sylejmani-Veseli është rikthyer në skenë. Së fundit herë kur interpretoi përkrah Korit, qe koncerti përmbyllës i sezonit të Filharmonisë në qershor, kur u interpretua vepra “Messa da Requiem” e Verdit.

Ajo ka thënë se është ndier e nderuar me aktivitetin e organizuar për të.

“Për mua kënaqësi e madhe ishte së pari ta dëgjoja koncertin. Kësaj here prej pozicionit të publikut. Normalisht që është kënaqësi shumë e madhe dhe nder shumë i madh që kolegët e mi e kanë organizuar këtë koncert. Sidomos, patjetër që Besa Llugiqi më pëlqeu shumë. Me Besën i kemi kryer studimet bashkë. Gjithashtu edhe veprat e Korit të Grave të Filharmonisë, ato që i kam interpretuar edhe vetë”, ka thënë altoja Diellza Sylejmani-Veseli, për të cilën është organizuar koncerti të enjten mbrëma në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.

Për publikun mesazhi i saj ka qenë i qartë.

“Mesazhi kryesor është t’i bëjmë kontrollet herët dhe me rregull, gjithashtu të jenë të forta, sepse nuk mund të përballohet ndryshe kjo sëmundje. Duhet qenë pozitiv, të fortë dhe për të pasur kurajë”, ka thënë Sylejmani-Veseli.

Image
Sopranoja Besa Llugiqi u ka dhënë zë arieve operistike me interpretim delikat. Bashkë me Misbah Kaçamakun në piano e kanë thurur rrëfimin me mozaikun e operave botërore (Foto: Arben Llapashtica)

Altoja Elikona Hysaj, që ka interpretuar në kor, ka thënë se paraqitja në skenë ka qenë tejet emocionuese për ta.

“Ne të gjitha koleget jemi bërë bashkë për një mision, një mesazh më të fortë për Diellzën dhe shumë të tjerë. Për ne me të vërtetë ka qenë pak e vështirë ta mbajmë veten gjatë interpretimit, por që kur e dimë për çfarë jemi mbledhur ka qenë një forcë e brendshme që na mbajti në skenë. Gjithë ai emocion i brendshëm reflekton në zë dhe zëri është gjithmonë treguesi më i mirë për gjendjen emocionale”, ka thënë Hysaj.

Këngëtarja Adelina Thaçi ka thënë se koncerti ka qenë dëshmi e përkrahjes nga artistët dhe publiku.

“Sot u pa një përkrahje e jashtëzakonshme prej miqve të saj, qofshin ata artistë apo edhe jashtë sferës së muzikës. Faleminderit kolegëve të mi, koncerti ka qenë i jashtëzakonshëm. Natyrisht programi pati përmbajtje të ndjeshme, me një mesazh, që tregon se sa ka mbështetje Diellza dhe jo vetëm për të, por ne duhet ta përkrahim sa më shumë njëri-tjetrin dhe t’u gjendemi kur ata kanë nevojë më së shumti. Unë besoj shumë në Diellzën, sepse e njoh mirë, është karakter shumë i fortë”, ka thënë Thaçi derisa ka treguar se grupe të caktuara janë të angazhuara në ngjarje të tilla.

“Ne si artistë shpesh grupe-grupe shkojmë edhe në spitale, sidomos në Onkologji, Hematologji, ku vizitojmë fëmijët e prekur me kancer, i argëtojmë duke kënduar apo duke u dhënë dhurata. Kemi shpeshherë organizime të tilla, por që tash duhet t’i shpeshtojmë ato dhe t’i ndihmojmë sa më shumë njerëzit që kanë nevojë”, është shprehur ajo.

Menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj – institucion në të cilin punon Sylejmani-Veseli – ka thënë se koncerti është organizuar veçanërisht për ta ndërgjegjësuar publikun nëpërmjet artit muzikor.

“Ky koncert ka qenë sikur të tjerët në të cilët ne përfshihemi në kampanja vetëdijesuese individualisht. Por, në rastin kur dikush prej nesh është prekur ka qenë më e prekshme dhe ka qenë arsyeja pse jemi bërë krejt bashkë. E kemi organizuar më shumë për ta mbështetur moralisht Diellzën në këtë rrugëtim sesa që mund ta ndihmojmë shumë me një sfidë të tillë që është duke u ballafaquar ajo dhe shumë njerëz të tjerë”, ka thënë Selimaj.

Ish-gazetarja e “Rilindjes”, Nezaqete Rukovci, që e ka fituar betejën me sëmundjen, ka vënë theksin në fuqinë e artit për të përcjellë mesazhe. Ka treguar edhe përjetimet e saj në kohën kur trajtohej dhe punonte njëkohësisht.

“Unë jam e mrekulluar me komunitetin e artit për solidarizimin dhe mbështetjen që po i japin koleges së tyre. Mesazhin që përçon arti është mesazhi më i mirë të cilin mund ta prekë një njeri i prekur nga kanceri. Edhe unë kam pasur përkrahjen e kolegëve të mi dhe me përkrahjen e tyre e kam përballuar shumë lehtë këtë sfidë. Kam punuar çdo ditë, edhe kur e kam marrë terapinë. Para dreke kam marrë terapinë, pas dreke kam qenë në punë”, ka thënë Rukovci.

Kurajë për të vazhduar tutje dhe thirrjet për diagnostikim të hershëm kanë qenë kryefjalë e koncertit. “Miqtë për Diellzën” ka dëshmuar fuqinë e artit muzikor për të përcjellë mesazhe ndërgjegjësimi.