Kulturë

Ministrisë i teprojnë milionat, djeg investimet kapitale në kulturë

Me investime kapitale, Ministrisë së Kulturës keq i dalin hesapet. Nëse shkëputen vetëm projektet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, me buxhet ishin paraparë 22.6 milionë euro investime. Janë shpenzuar 2.5 milionë. Te kolona e “Progresit”, zerot dominojnë. Ka zotuar 12 milionë, por llogaritur sipas tabelave, me gjithë shpenzimet e me zotimet, te investimet kapitale në kulturë e trashëgimi kulturore MKRS-së i “teprojnë” 8 milionë euro. Investimet ka kohë që janë shndërruar në emra projektesh, që për çdo vit barten në lista

Projekti për objektin e teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” – shembulli i dështimit tash e 15 e kusur vjet – është në krye të listës së investimeve kapitale edhe të këtij viti. Në fakt, me 2.1 milionë euro të pashfrytëzuara fare, kryeson dështimet e investimeve kapitale të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit edhe për sivjet.

Nëpërmjet tabelave të Raportit nëntëmujor financiar, publikuar së fundmi nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve mund të “lexohet” mënyra se si ka menaxhuar me buxhetin edhe Ministria e Kulturës. Keq i ka hesapet me kategorinë e investimeve kapitale. Në tërësi – në kulturë, rini dhe sport – për nëntë muaj te investimet kapitale ka shpenzuar vetëm dhjetë për qind të buxhetit të paraparë. Përkthyer në shifra, prej 32.7 milionë eurove në kategorinë e investimeve kapitale, prej ditës së parë të janarit deri në ditën e fundit të shtatorit, ka shpenzuar 3.2 milionë euro. Nëse shkëputen vetëm projektet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, me buxhet ishin paraparë 22.6 milionë euro investime. Janë shpenzuar 2.5 milionë. Te kolona e “Progresit”, zerot dominojnë. Por llogaritur sipas tabelave, me shpenzimet e me zotimet, te investimet kapitale në kulturë e trashëgimi kulturore, MKRS-së i teprojnë 8 milionë euro.

Prej 176 projekteve në kulturë, 150 me progres zero

Në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, Ministria e Kulturës ka listuar 176 projekte kapitale për sivjet. Prej tyre, hiç më pak se 150 projekte, për nëntë muajt e këtij viti kanë shënuar zero progres, që i bie të mos e kenë shpenzuar asnjë metelik deri në fund të shtatorit. Në total, 26 projekte kanë shënuar progres. Prej krejt kësaj liste, vetëm shtatë projekte e kanë shfrytëzuar buxhetin 100 për qind. Janë kryesisht projekte minore si Memoriali i Dëshmorëve të UÇK-së në Penuhë me 90 mijë euro, Mulliri i Familjes Jonuzaj në Senik të Malishevës me 22 mijë euro, Kulla e Familjes Tafollaj në Çadrak të Suharekës me 3 mijë euro, Kulla e Sylë Tahirsylajt në Isniq me 10 mijë euro, Dyqani i Musa Goranit në Pejë me 2 mijë euro, Xhamia në Carrabreg me 25 mijë euro dhe ngritja e bustit të veprimtarit Idriz Rreci në Skënderaj me 7 mijë euro. Ka edhe projekte të tjera me progres deri në 90 për qind, por që janë kryesisht me shuma të vogla.

“Djegia” e një të tretës së buxhetit të investimeve kapitale

Në listën e projekteve kapitale – pos atij për objektin e teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”, pa mjete të shpenzuara prej buxhetit prej 2.1 milionë sa i figuron në buxhet e pa mjete të zotuara për tremujorin e fundit – në listën e projekteve të njohura që për disa vjet barten, është edhe ai për muzeun e artit bashkëkohor, një ide tash e 23 vjet, e që 16 vjet më parë kishte edhe projekt ideor dhe parcelë. Në javën e fundit të tetorit qe prezantuar ai që ishte quajtur koncept themelues. Më pak se tri javë më parë ishte thënë se synimet janë që muzeu të inaugurohet më 2028. Në Raportin nëntëmujor financiar del se nuk është shfrytëzuar buxheti, përderisa 10 mijë euro janë zotuar. Një tjetër projekt që bie në sy, është ai për rinovimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Prej 100 mijë eurove, sa ishin paraparë me Ligjin për Buxhet, jo vetëm që nuk është shfrytëzuar asnjë euro, por nuk janë as të zotuara, që e konfirmon se kjo punë është çështje e mbyllur për sivjet. Me arsyetimin se paraqet rrezik, MKRS-ja e mbylli objektin e TKK-së në qershorin e vitit të kaluar. Ansambli i TKK-së është duke punuar në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, përderisa ai i Baletit Kombëtar të Kosovës në ambientet e ansamblit “Shota”. Në fakt, provat e fundit i mban në sallë private. Prilli i sivjetmë ishte paralajmëruar si kohë e nisjes së restaurimit, por shtatë muaj pas nuk ka asnjë lëvizje. Në pranverën e sivjetme qe lidhur kontrata për “realizimin e hulumtimit për ndërtesën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, pjesë e projektit të konservimit e restaurimit të TKK-së, si dhe parapërgatitja për hartimin e projektit për rinovimin të TKK-së”.

Para rreth një muaji punonjësve të TKK-së nëpërmjet një prezantimi të mbyllur u është shpalosur një projekt ideor për ndërtesën e TKK-së. Bëhet fjalë edhe për ndryshime nga jashtë në anën e pasme e për këtë duhet miratimi i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Projektet si këto janë vetëm shembuj. Shifrat japin një tjetër rrëfim.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do t’i ndezë motorët në këta tre muajt e fundit dhe zotimet e buxhetit e shpërfaqin këtë. Prej 176 projekteve në kulturë e trashëgimi kulturore, pa zotime mjetesh janë 37 projekte. Përkthyer sërish në shifra, MKRS-ja ka zotuar 12 milionë euro. Megjithëkëtë, jo pak miliona të investimeve kapitale kthehen prapa.

Me 2.5 milionë të shpenzuara për nëntë muaj dhe 12 milionët e zotuar, nga buxheti prej 22.6 milionësh i investimeve kapitale në kulturë e trashëgimi kulturore, “i teprojnë” mbi 8 milionë euro.

Të martën Ministria e Kulturës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS në lidhje me ato që dalin prej Raportit nëntëmujor financiar të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve. Se çfarë, sipas MKRS-së, ka ndikuar në lidhje me këtë përqindje të ulët, se cilat janë shkaqet që projektet madhore – si rinovimi i objektit të Teatrit Kombëtar – të konsideruara edhe si urgjente, as që kanë nisur dhe nëse do të ketë ndërrim qasjeje te dinamika e projekteve kapitale, kanë qenë tri pyetjet dërguar MKRS-së. KOHA nuk ka marrë përgjigje deri të martën vonë.

Në total buxheti i Ministrisë së Kulturës për këtë vit ka qenë 62.8 milionë euro. Për nëntë muaj është realizuar në masën prej 35 për qind, përfshirë pagat e shtesat që prijnë me realizim prej 70 për qind, mallra e shërbime, shpenzime komunale dhe subvencione e transfere.

Protagonistë të skenës kulturore në Kosovë kanë theksuar se Ministria e Kulturës nuk ka guxim e dije të merret me punën e investimeve kapitale. Përderisa MKRS-ja s’e shfrytëzon buxhetin, infrastruktura është e mjerueshme. Njësoj edhe në fushën e trashëgimisë kulturore, qasja është krejt e vjetër.

“Punojmë sikur të ishim në vitet ‘90”

Dramaturgu Jeton Neziraj me optimizëm e ka nisur komentin e tij në lidhje me përqindjen e ulët të shpenzimit të buxhetit të investimeve kapitale. Por shpejt ka dalë te telashet. Fillimisht edhe te ato në shpërndarjen e subvencioneve.

“Përderisa ka pasur rritje të ndjeshme të buxhetit për skenën e pavarur kulturore – gjë që pa dyshim duhet konsideruar si progres i rëndësishëm – MKRS-ja vazhdon të ngecë në fushat e tjera më të komplikuara, siç janë administrimi i atyre fondeve dhe mënyra e distribuimit të tyre. Jemi në fund të vitit dhe një pjesë e organizatave fituese të granteve për 2023 akoma nuk i kanë nënshkruar kontratat për projektet e tyre për 2023”, ka kujtuar Neziraj, udhëheqës i qendrës “Multimedia” në Prishtinë, pare se të ndalet te çështja e projekteve kapitale.

“Është një ‘nerv’ kapital që MKRS-ja nuk e ka trajtuar fare, s’ka pasur guxim e as dije të ballafaqohet me të: investimet kapitale dhe krijimi i hapësirave kulturore, sidomos në Prishtinë. Dhe kështu, hapësirat kulturore kanë ardhur duke u tkurrur këtyre viteve dhe skena kulturore, pavarësisht me rritje buxhetore, është gjuajtur skutave e margjinave, e operon në kushte të mjerueshme”, ka thënë Neziraj. Sipas dramaturgut të njohur, dramatike është gjendja në këtë aspekt.

“Kryeqyteti është duke e vuajtur mungesën e hapësirave kulturore – jo për mungesë të tyre, por për mungesë të vullnetit të MKRS-së, por edhe të Komunës së Prishtinës. Dhe prandaj, sot, në Prishtinë, nuk kemi asnjë teatër të denjë që ka infrastrukturë solide”, ka përshkruar ai para një konstatimi të prerë: ”Punojmë sikur të ishim në vitet ‘90, margjinave, skutave e bodrumeve”.

Me optimizëm e ka nisur komentin e tij edhe Sali Shoshi, udhëheqës i udhëheqës i Fondacionit Kosovar për Trashëgiminë Kulturore pa Kufij – “CHWB Kosova”.

“Mendoj që në fushën e trashëgimisë kulturore Qeveria aktuale ka provuar të zhvillojë një dinamikë të re të punës, sidomos në kompletimin e infrastrukturës ligjore, e cila ka qenë e pakompletuar që nga miratimi i Ligjit për Trashëgimi Kulturore në vitin 2006. Gjithashtu kemi parë një dinamikë të re në ndërhyrje emergjente”, ka thënë Shoshi.

Dinamika e re me politikat e vjetruara

Por e gjithë kjo dinamikë e re, sipas Sali Shoshit, është zhvilluar nëpërmjet politikave të vjetruara të nisura qysh nga paslufta.

“Tash, 25 vjet pas, Kosova ka nevojë për një vizionim të ri për trashëgiminë kulturore, duke kthyer atë në resurs të zhvillimit përmes krijimit të mundësive të reja për komunitetet lokale, organizatave të kulturës dhe bizneseve të turizmit”, ka thënë ai. Ky vizionim ka thënë se duhet të sigurojë një përfshirje të trashëgimisë kulturore në politikat e planifikimit hapësinor. “Zonat e vjetra të qyteteve, fshatrat e pasura me trashëgimi kulturore duhet të mbrohen përmes politikave dhe planeve të konservimit. Ne kemi parë që në mungesë të këtyre dokumenteve shumë zona historike janë transformuar duke humbur historinë e tyre”, ka thënë Shoshi.

E, dokumentet si Raporti nëntëmujor financiar e dëshmojnë se Ministria e Kulturës ende s’e ka gjetur vizionin për investimet kapitale.