Nga fondi prej 2.5 milionë eurosh për mbështetje të kulturës dhe trashëgimisë kulturore, Ministria e Kulturës i ka ndarë apostafat 247 mijë euro për blerje të veprave pamore dhe audiopamore të artistëve që krijuan gjatë pandemisë. Derisa për këtë punë do të krijohen juri profesionale e më pas veprat e blera do të vendosen në mjediset e institucioneve kulturore në vend, Ministria e Kulturës ende nuk e ka të qartë se si do të adresojë ankesat e kahershme të Galerisë Kombëtare të Kosovës për mungesë hapësire për koleksionin e saj ekzistues dhe për mungesë restauruesish profesionistë. “Sa i përket mirëmbajtjes, në kuadër të programit tonë qeverisës, parashihet qartë edhe rritja e ekspertizës të personave që merren me mirëmbajtjen e veprave artistike”, ka thënë të mërkurën zëvendësministrja Daulina Osmani
Blerja e veprave artistike është prioritizuar si një nga format e mbështetjes për artistët vendorë. Për këtë, Ministria e Kulturës fiks 247 mijë euro i ka kategorizuar në modulin e dytë të ndihmës financiare në kuadër të buxhetit 5-milionësh, i cili u akordua javën e kaluar nga Qeveria e Kosovës.
Në konferencën e mbajtur pasditen e së mërkurës, zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani, ka dhënë hollësi për planin e kësaj Ministrie për ndarjen e subvencioneve nga fondi në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Në adresimin e saj për gazetarë, ajo ka thënë se pandemia e ka pamundësuar perforimimin e artistëve lokalë.
“Në mënyrë që të zbusim ndikimin që ka pasur pandemia në shumë fusha, ne i kemi dedikuar secilit sektor nga një buxhet të veçantë”, ka thënë Osmani për 2.5 milionë eurot që tashmë janë përcaktuar si përkrahje për kulturën dhe trashëgiminë kulturore.
Osmani: “Duam të përkrahim krijimtarinë artistike në vend”
Derisa ka bërë me dije se institucioni më i lartë kulturor në vend ka shpallur thirrjet për aplikim për mbështetje të projekteve, ajo ka nënvizuar se, pos financimit të skenës së pavarur kulturore, do të ketë mbështetje edhe për organizatat e trashëgimisë kulturore ashtu sikurse edhe institucionet kulturore në nivel komunal.
Sipas paralajmërimit të Ministrisë së Kulturës, nga gjithsejti i 2.5 milionë eurove për kulturë dhe trashëgimi kulturore për thirrje publike për OJQ dhe individë janë paraparë 1 milionë e 710 mijë euro; për blerje të veprave artistike 247 mijë euro; për mbështetje të teatrove të qyteteve 225 mijë euro; për mbështetje të bibliotekave komunale 108 mijë euro dhe për mbështetjen e muzeve komunalë 210 mijë euro.
Tutje, zëvendësministrja Osmani ka saktësuar se në modulin e dytë të mbështetjes fokusi është hedhur tek artistët që kanë punuar gjatë gjithë kohës, pavarësisht rrethanave të pandemisë.
“Përmes fondit të ringjalljes, me blerje direkte të veprave artistike, ne duam që ta njohim dhe përkrahim krijimtarinë kulturore artistike në Kosovë. Të gjitha këto vepra do të inventarizohen, mbrohen dhe do të bëhen pjesë e koleksioneve të Galerisë, Bibliotekës dhe muzeve të Kosovës”, ka shtuar ajo.
“Rritje ekspertize për mirëmbajtjen e veprave”
Pyetjes së KOHËS se si Ministria mendon t’i adresojë ankesat e kahershme të GKK-së për mungesë hapësire për veprat që i ka në fond ashtu sikurse edhe për mirëmbajtjen e tyre, zëvendësministrja Osmani i është përgjigjur fare shkurt.
Sipas saj, ideja e këtij moduli të përkrahjes janë artistët që nuk kanë pasur mundësi t’i shesin veprat e tyre.
Osmani ka theksuar se për hapat e mëtejmë, Ministria po e përpunon një koncept të detajizuar, përkatësisht një komision profesional të përbërë edhe nga institucione vartëse që do të vendosin për blerjen e veprave.
“Sa i përket mirëmbajtjes, në kuadër të programit tonë qeverisës, parashihet qartë edhe rritja e ekspertizës të personave që merren me mirëmbajtjen e veprave artistike”, ka shtuar zëvendësministrja e Kulturës.
Pasurimi i koleksionit të GKK-së me 125 vepra të reja të hotel “Grandit” i ka shtuar edhe një tjetër hall këtij institucioni. Përveç hapësirave të pamjaftueshme për ekspozimin e krejt fondusit me 1 mijë e 35 vepra të llojndryshme, nevoja për restaurimin e tyre ka trokitur gjatë gjithë kohës.
Bashkëpunimi me Tiranën, zgjidhja e vetme
Kjo është vënë në pah veçanërisht me rastin e hapjes së ekspozitës së paradokohshme “Grand Art 1970 – 2000”, që bën bashkë rreth 50 vepra nga 27 artistë pamorë nga Kosova e jashtë saj me piktura, skulptura, grafika, tapiceri e artizanale.
Artisti Zeni Ballazhi, i cili kishte qenë kurator i kësaj ekspozite, kishte thënë se këto vepra kanë nevojë për rehabilitim dhe ruajtje.
“Një pjesë e tyre janë të dëmtuara dhe kanë nevojë për restaurim, por për fat të keq ka mungesë përvojash profesionale të kuadrove për restaurim”, kishte thënë Ballazhi për gazetën.
Të njëjtën e ka pohuar edhe Naim Spahiu, ushtrues i detyrës së drejtorit të GKK-së. Sipas tij, ky institucion është duke e konsideruar mundësinë se si do të procedohet për veprat që kanë nevojë për restaurim.
“Përpos këtyre që janë të ekspozuara, nevojë për restaurim kanë edhe vepra të tjera që janë në koleksionin e përgjithshëm të GKK-së”, kishte thënë Spahiu.
Ndërkaq drejtori i parë i GKK-së në vitet e pasluftës, Luan Mulliqi kishte treguar për një marrëveshje që ishte bërë me simotrën në Tiranë, Galerinë Kombëtare të Arteve, për t’i dërguar atje veprat që kanë nevojë për riparime.
Kur ishte folur ideja e Muzeut të Arteve Bashkëkohore, sipas tij, ishte menduar edhe krijimi i laboratorit për riparim të veprave artistike, por edhe dhënia e bursave për ata që duan ta mësojnë këtë zanat.
Derisa këto dy opsione mund të marrin vite, Mulliqi kishte vlerësuar se më praktike është rikthimi i bashkëpunimit me Tiranën.
“Duhet të riaktivizohet një bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Tiranës, pasi këtë e kemi pak më afër në mënyrë që këto vepra, të cilat kanë nevojë të restaurohen, të bisedohet se si të veprohet ose ata të vijnë të aftësojnë një ekip, ose ato vepra që janë më urgjente të dërgohen në Tiranë për restaurim, ashtu që të paktën të mos dëmtohen më tepër”, kishte thënë ai.