Kulturë

Ministria ndërron fituesin, projekti për Teatrin e Operës mbetet pezull

Maket për objektin e Teatrit të Operës dhe Baletit

Maket për objektin e Teatrit të Operës dhe Baletit me të cilin vitin e kaluar “Gerber Architekten International GmbH & Hark Architect” mori vendin e parë. Edhe me konkursin e sivjetmë u rendit i pari, por MKRS-ja çoi lëndët në rivlerësim kur u ankua kompania e dytë, të cilën e shpalli fituese…

Kompania gjermane para një viti fitoi konkursin për projektin ideor për objektin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Iu zbulua identiteti i kompanisë, procesi u anulua. Me konkursin e radhës sërish fitoi e njëjta kompani, u ankua kompania e dytë, Ministria e Kulturës i dha të drejtë, e shpalli fituese, e kompania gjermane u ankua në Gjykatën e Tenderëve. Rezultati – procesi pezull

Ministria e Kulturës ka dy vjet që tenton të pajiset me dokumentin bazik, projektin ideor për Teatër të Operës dhe Baletit. Por, nuk po i bën mirë hesapet procedurale. Në disa raste vetë MKRS-ja e në disa raste Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik ka vërtetuar se janë bërë shkelje gjatë procesit. Pas dështimit të parë, shkaku i shkeljeve të Ligjit të prokurimit publik nga Ministria e Kulturës, edhe në tenderin e dytë lënda ka shkuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik. Aktualisht statusi i këtij aktiviteti të prokurimit është – i pezulluar. Është konsorciumi “Gerber Architekten International GmbH & Hark Architect” që është ankuar në OSHP. 

Në shkurt të këtij viti MKRS-ja kishte rihapur thirrjen ndërkombëtare “Zhvillimi i projektit ideor dhe i hollësishëm, i arkitekturës dhe  inxhinierisë, për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës, në Prishtinë, në Republikën e Kosovës – Ritenderim”. 

Deri në shtator ky institucion nuk ia kishte dalë që të merrte vendim për kompaninë që ka zënë vendin e parë në vlerësim. 

Tenderit ndërkombëtar ia kishin mësyrë katër kompani. Në fazën e parë, sipas dokumentacionit të lëndës, ishin kualifikuar tri kompani, kurse një nuk i kishte plotësuar kushtet për të vazhduar më tej procesin. Më pas, pos vlerësimit të projektit ideor ishte vlerësuar edhe oferta financiare. Konsorciumi “Gerber Architekten International GmbH & Hark Architect” është vlerësuar me më së shumti pikë, me 83.11 gjithsej, duke zënë vendin e parë. MKRS-ja kishte vendosur që për 2 milionë e 480 mijë euro t’ia jepte këtij konsorciumi tenderin për të vazhduar më tej me projektimin e ndërtesës. Kompania gjermane që e udhëheq këtë konsorcium ka fituar edhe tenderin për masterplanin për kompleksin “Adem Jashari”. Do të paguhet me 7 milionë e 890 mijë euro veç për projektim. E njëjta kompani ishte bërë shkaktare që MKRS-ja të bënte shkelje ligjore dhe të tentonte t’ia jepte edhe projektin për Teatër të Operës, gjë që e ndaloi Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik. 

Sipas vlerësimit, “Big Partners Ltd & ALB Architect” ka marrë 66.87 pikë dhe ka zënë vendin e dytë. Kurse “MVRD & OUD ARCHITECT” është eliminuar. Në dokumentacion figuron se nuk e kanë kaluar vlerësimin e ofertës financiare. 

Por “Big Partners Ltd & ALB Architect” ka bërë kërkesë për rishqyrtim të lëndës. Edhe vetë MKRS-ja i ka dhënë të drejtë. Ky institucion ka anuluar vendimin e shpalljes së rezultateve të thirrjes. 

“Mbështetur në dokumentacionin e paraqitur nga kompania ankuese, Autoriteti Kontraktues ka vendosur ta trajtojë edhe një herë lëndën (vlerësimin administrativ) dhe në këtë formë e kthen lëndën në rivlerësim”, shkruhet në vendimin e MKRS-së.

Në fund të tetorit MKRS-ja kishte korrigjuar veten. Pas shqyrtimit të ankesës kishte marrë vendim se konsorcioumi “Big Partners Ltd & ALB Architect” me ofertë prej 2 milionë e 450 mijë eurosh të renditet në vend të parë dhe rrjedhimisht të jetë fitues i tenderit. Menjëherë “Gerber Architekten International GmbH & Hark Architect” ka dorëzuar ankesë në MKRS. I është refuzuar si e pabazuar. E ky konsorcium tash i është drejtuar OSHP-së. Sipas ankesës që organi, i cili njihet si Gjykata e Tenderëve, e ka pranuar në ditën e 18-të të këtij muaji, konsorciumi pretendon se MKRS-ja ka shkelur të paktën 6 nene të Ligjit për prokurimin publik. 

“Mbetet e paqartë dhe e papranueshme pse një autoritet kontraktues që ka shpallur fitues një konsorcium për projektin më të mirë, më pas e ka eliminuar atë pa një arsyetim të qartë dhe pa asnjë ndryshim substancial në dokumentacionin e paraqitur. Kjo ngre dyshime mbi transparencën dhe qëndrueshmërinë e procesit të vlerësimit dhe eliminimit të projekteve”, shkruhet në ankesë. Sipas ankesës, MKRS-ja ka përdorur standarde të dyfishta në vlerësimin e dokumentacionit të paraqitur nga kompanitë. Në ankesë po ashtu ceket se konsorciumi që e ka shpallur fitues MKRS-ja kishte marrë më së paku pikë në vlerësimin e dizajnit duke u renditur i treti. 

MKRS-ja kësaj radhe kishte qartësuar se i duhet projekt për teatër që do të kushtojë 50 milionë euro. Për projekt qenë paraparë 2.5 milionë euro. 

Paraprakisht në janar të këtij viti, pas më shumë se një viti procedurë, shkaku i shkeljeve ligjore të Ministrisë së Kulturës ky institucion nuk ia kishte dalë që ta bënte hapin e parë për këtë projekt, të cilin shteti synon tash e dy dekada. Nëpërmjet vendimit paneli i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik kishte anuluar procesin e nisur në tetor të vitit 2022. Shpejt, në shkurt, kishte pasuar ritenderimi. 

MKRS-në po e përcjellin telashe në procese prokurimi. Zbulimi i identitetit të një prej kompanive pjesëmarrëse gjatë procesit të vlerësimit në konkursin e kaluar, në fillimvit ka bërë që krejt lënda të bjerë poshtë.

Në konkursin e parë kanë qenë tri kompani në garë për projekt ideor: “Gerber Architektekten International GmbH” nga Dortmundi, “Consortium MVRDV” & ‘O.U.D.-ARCHITECTS’ SH.P.K”, kompani holandeze me arkitektin nga Kosova, Bekim Ramku, dhe “Big Partners LTd” me seli në Londër. 

Në versionin online të kompanisë “Gerber Architekten International GmbH”, projekti i së cilës është vlerësuar si më i miri, qëndronte edhe logoja e saj duke iu zbuluar identiteti. 

Tentativa për të pasur një projekt për këtë ndërtesë është e katërta me radhë pas luftës. Ky tentim vjen pas konkursit të 17 vjetëve më parë, gurit themeltar të vitit 2009 dhe dy konkurseve të vitit 2019.

Ministria e Kulturës ka planifikuar që ky konkurs të rrumbullakohet me kosto prej 2.5 milionë eurosh dhe kaq qenë paraparë në Ligjin e Buxhetit të vitit 2023. Sivjet janë paraparë 2.7 milionë. 

Më 2019, Ministria e Kulturës kishte zhvilluar një proces të ngjashëm, po me konkurs ndërkombëtar, por procesi nuk pati epilog. Paraprakisht më 2 dhjetor të 2009-s qe vënë guri themeltar për këtë ndërtesë afër Fakultetit Teknik. Asokohe planifikohej që ndërtesa të mbante edhe emër: teatri i operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”.

Kuvendi i Kosovës në gushtin e vitit 2021 themeloi institucionin e Operës, i cili ende mbetet në konsolidim.

Në prill të vitit 2022, shumica e këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Prishtinës kanë votuar pro ndarjes së një pjese të hapësirës prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve si lokacion për Teatrin e Operës dhe të Baletit. Në lokacionin paraprak – te Fakulteti Teknik në “Kodrën e Diellit” – gati kanë përfunduar punimet e vrazhda të një kampusi të ri universitar për Universitetin e Prishtinës.